Një shkollë e mesme në Berchem, Belgjikë, është hakeruar dhe kriminelët po kërkojnë shpërblim nga shkolla dhe prindërit, raporton Cybernews.
Shantazhuesit pretendojnë se do t’i publikojnë në rrjetin e errët të gjitha të dhënat e vjedhura nëse shpërblimi nuk paguhet deri të hënën.
Shkolla Onze-Lieve-Vrouw Instituut (OLV) Pulhof u hakerua menjëherë pas pushimeve të Krishtlindjeve. Sipas mediave belge, sulmuesit përdorën programe për të enkriptuar serverët e shkollës. Fillimisht ata kërkuan 100,000 euro shpërblim, por më pas e ulën kërkesën në 15,000 euro.
Deri tani, shkolla nuk ka kontaktuar me hakerat.
“Në përputhje me këshillat e autoriteteve, ne nuk iu përgjigjëm këtij mesazhi dhe e injoruam atë. Bazuar në vizionin tonë dhe për arsye etike, ne nuk do t’u bindemi kërkesave të këtyre kriminelëve,” thotë Kris Smout, Drejtor i Përgjithshëm i shkollës.
Meqenëse shkolla nuk iu përgjigj kërkesave të sulmuesve, disa prindër të nxënësve morën një email për incidentin të enjten e kaluar. Në email, operacioni BitLock merr përgjegjësinë dhe thotë se ka pasur qasje të padiktuar në sistemet e OLV Pulhof për më shumë se një vit. Sipas pretendimeve, sulmuesit kanë vjedhur 45 GB të dhëna nga nxënësit dhe stafi, përfshirë karta identiteti, të dhëna të shëndetit mendor dhe diploma. Gjithashtu janë nxjerrë edhe të dhënat financiare të shkollës.
“Pulhof: ju ende keni një mundësi të fundit për të na paguar 15.000 euro dhe e gjithë kjo do të ndalet, atëherë asnjë prind nuk do të duhet të paguajë. Prindër: ose mund ta bindni Pulhofin të na paguajë, ose ju si prind të na paguani 50 euro për çdo fëmijë; përndryshe do t’i publikojmë të dhënat e fëmijës tuaj dhe do t’i shesim në rrjetin e errët,” thuhet në email.
Specialistët theksojnë se OLV Pulhof nuk është sulmuar nga grupi i vërtetë LockBit, por me shumë gjasa nga një imitues që nuk i përket asaj organizate. Sipas VRT NWS, prindërit u këshilluan të mos paguajnë dhe të mos klikojnë asgjë.
Në një mesazh drejtuar prindërve dhe nxënësve, Pulhof thotë se është duke u zhvilluar një hetim për të përcaktuar se cilat të dhëna personale mund të jenë komprometuar.
Komente








