
Janë 4 personat e vrarë në sulmin masiv rus që goditi Ukrainën gjatë natës. Lajmin e bëri të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili në një postim në X denoncoi atë që e quajti “një sulm të llogaritur qëllimisht për të shkaktuar dëmin maksimal ndaj njerëzve dhe infrastrukturës civile”, duke theksuar se “vetëm në Kiev dhjetëra ndërtesa banimi janë dëmtuar”.
“Gjatë sulmit u përdorën rreth 430 dronë dhe 18 raketa, përfshirë raketa balistike dhe aerobalistike”, deklaroi Zelensky, duke folur për “dhjetëra të plagosur, mes tyre fëmijë dhe një grua shtatzënë”. “Një sulm mizor”, shkroi ai, duke shpjeguar se “shënjestra kryesore e sulmit ishte Kievi, por goditjet prekën edhe rajonet e Kievit, Kharkivit dhe Odesës” dhe se “sipas të dhënave paraprake, këtë mëngjes rusët përdorën një raketë Zircon në rajonin e Sumit”.
“Ambasada e Azerbajxhanit u godit nga mbetjet e një rakete Iskander”, shtoi Zelensky. Më pas përfundoi: “Ukraina po u përgjigjet këtyre sulmeve me forca me rreze të gjatë veprimi dhe bota duhet t’i ndalojë këto sulme ndaj jetës përmes sanksioneve. Rusia ende është në gjendje të shesë naftë dhe të ndërtojë planet e saj. Kjo duhet të marrë fund. Po zhvillohet një punë e madhe me partnerët për të forcuar mbrojtjen tonë ajrore, por nuk mjafton. Kemi nevojë për përforcime me sisteme shtesë dhe raketa ndërprerëse. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë. Presim vendime konkrete.”, shkruan Zelensky në X.
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë/ Sulm masiv rus gjatë natës, 430 dronë e 18 raketa në Kiev! 13 të vrarë dhe 35 të plagosur! Zelensky: Ishte llogaritur për dëme të mëdha









