Shtetet e Bashkuara synojnë të organizojnë para Krishtlindjeve një takim trepalësh me Ukrainën dhe Rusinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se e ka pranuar propozimin amerikan dhe se takimi mund të zhvillohet në nivel liderësh gjatë samitit të G20-s në Miami, më 15 dhe 16 dhjetor.

“Këshilltarët tanë për sigurinë do të zhvillojnë një sërë kontaktesh, ndoshta me videokonferencë, ndoshta me takime fizike, për të përgatitur axhendën, pra çështjet që do të diskutohen, dhe për të përcaktuar se çfarë synojmë të arrijmë: si t’i afrohemi fundit të luftës. Pala amerikane tha se dëshiron ta organizojë takimin para Krishtlindjeve. Unë pranova. Sa më shpejt të arrihet një rezultat, aq më mirë”, tha Zelensky në një takim me gazetarët në Kiev.

Presidenti ukrainas e sheh samitin e G20-s si një mundësi për një takim trepalësh në nivel liderësh. Ai tha se disa udhëheqës i kanë konfirmuar se Uashingtonit i është sugjeruar ta ftojë zyrtarisht Ukrainën në samit. Deri tani, Kievi ende pret një ftesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara.

“Besoj se, nëse Trump do ta ftonte Ukrainën, situata do të ishte pak më ndryshe, sepse një takim trepalësh në kuadër të G20-s do të merrte mbështetje. Pavarësisht se sa e simpatizon apo e urren dikush Putinin, nëse e ka mik apo jo, po të krijohej mundësia për një takim trepalësh në nivel liderësh në G20, jam i sigurt se të gjithë do ta mbështesnin”, shtoi Zelensky.


Lajmi kryesor:

Tensione në detin Baltik, anija ruse goditet nga dronët! Finlanda rrit sigurinë: Ukraina qëndron pas sulmit