Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës garanci sigurie për një periudhë 15-vjeçare, me mundësi zgjatjeje. Këtë deklaratë Zelensky e bëri dje në një intervistë për Axios.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se është i gatshëm ta çojë në referendum kombëtar planin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës, nëse Rusia pranon një armëpushim prej të paktën 60 ditësh. Sipas Zelenskyt, një “armëpushim 60-ditor për të organizuar dhe zhvilluar votimin” është minimumi i nevojshëm, pasi një referendum i tillë do të sillte komplikime të mëdha politike, logjistike dhe të sigurisë.
Zelensky vlerëson se zgjidhja më e mirë do të ishte që i gjithë plani me 20 pika t’i nënshtrohej referendumit. Ai shtoi gjithashtu se, nëse qytetarët nuk do të shkonin në votime për arsye sigurie, rezultati i referendumit mund të ishte i paligjshëm.
Sipas Presidentit ukrainas, shumica e elementeve të marrëveshjeve dypalëshe mes SHBA-së dhe Ukrainës janë tashmë të dakorduara, megjithëse mbeten disa “aspekte teknike” për t’u diskutuar më tej. Sipas Axios, një prej tyre është kohëzgjatja e marrëveshjes: SHBA-të kanë propozuar një pakt 15-vjeçar të rinovueshëm, ndërsa Zelensky beson se Ukraina ka nevojë për më shumë se 15 vjet garanci sigurie.
Trump: “Kemi mundësi të mira për ta zgjidhur konfliktin në Ukrainë”
Nga ana tjetër, presidenti Trump vlerëson se ka mundësi të mira për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.
“Mendoj se kemi shanse të mira për t’ia dalë”, deklaroi Trump për New York Post, cituar nga agjencia ruse Tass.
“Kam zgjidhur tetë luftëra, dhe kjo është më e vështira nga të gjitha. Por besoj se do t’ia dalim”, u shpreh Trump.
Sipas gazetës, lideri amerikan shfaqet optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje gjatë takimit të tij të ardhshëm me Volodymyr Zelenskyn, i planifikuar për nesër. Sipas tij, të dyja palët janë të interesuara për t’i dhënë fund konfliktit.
“Mendoj se [qeveria e Kievit] dëshiron ta bëjë këtë tani dhe mendoj se edhe Rusia dëshiron ta bëjë. Por sa herë që njëra palë e dëshiron, tjetra jo”, tha Trump.
![]()
“Përfaqësuesit rusë marrin pjesë në bisedime të gjata, por në realitet janë ‘Kinzhal’-ët dhe ‘Shahed’-ët që flasin për ta. Ky është qëndrimi i vërtetë i Putinit dhe rrethit të tij të ngushtë. Ata nuk duan t’i japin fund luftës dhe përpiqen të shfrytëzojnë çdo rast për t’i shkaktuar Ukrainës vuajtje edhe më të mëdha.” Kështu shkruan në platformën X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke komentuar sulmet ruse të orëve të fundit.
“Një tjetër sulm rus është ende në zhvillim: që nga nata janë lëshuar pothuajse 500 dronë, një numër i konsiderueshëm dronësh ‘Shahed’ dhe 40 raketa, përfshirë ‘Kinzhal’-ët”, shkruan më tej Zelensky në rrjetet sociale.
Sipas tij, objektivi kryesor ka qenë Kievi, ku janë goditur infrastruktura energjetike dhe civile. “Fatkeqësisht, janë goditur dhe dëmtuar edhe ndërtesa banimi. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë një person nën rrënojat e njërës prej tyre”, thekson presidenti ukrainas.
Zelensky shton se në disa zona të kryeqytetit dhe të rajonit përreth mungon energjia elektrike dhe ngrohja, ndërsa zjarret e shkaktuara nga sulmet janë ende duke u shuar.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të marrë pjesë sot në një telefonatë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe me liderë të tjerë të Bashkimit Evropian. Lajmi bëhet i ditur nga një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Telefonata zhvillohet në prag të takimit të planifikuar për nesër në Mar-a-Lago, ku lideri ukrainas dhe presidenti amerikan pritet të vijojnë negociatat lidhur me një marrëveshje të mundshme me Rusinë.
Sipas burimeve, baza e diskutimeve mbetet raundi i fundit i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, nga i cili ka dalë një plan me 20 pika, i cili më pas i është përcjellë Moskës.

Sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë kanë goditur sërish infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike (blackout) në disa zona të vendit. Lajmi raportohet nga mediat lokale, të cilat citojnë burime nga mbrojtja ukrainase.
Sipas autoriteteve, sulmet kanë prekur edhe zona të banuara. Administrata Ushtarake Rajonale e Kievit njoftoi në Telegram, sipas Ukrinform, se forcat ruse kanë sulmuar disa distrikte të rajonit të Kievit, duke dëmtuar ndërtesa banimi, kantierë ndërtimi dhe biznese, si dhe duke shkaktuar të plagosur.
“Vendi terrorist vazhdon të bëjë luftë kundër popullsisë civile. Armiku po sulmon qëllimisht infrastrukturën kritike dhe banesat”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Një person ka mbetur i plagosur: një banor i rajonit Ivano-Frankivsk, i cili po drejtonte një kamion në momentin e sulmit, ka pësuar plagë nga copëzat e shpërthimit në shpinë dhe është shtruar në spitalin lokal.
Në Vyshhorod janë dëmtuar dritaret e një pallati shumëkatësh. Në distriktin e Boryspilit janë dëmtuar objekte prodhimi dhe dy automjete. Në distriktin e Buchas ka shpërthyer zjarr në një kantier ndërtimi, ndërsa në distriktin e Obukhivit janë dëmtuar ambientet e një ndërmarrjeje komunale në një nga komunitetet e zonës.
Autoritetet ushtarake theksojnë se alarmi ajror mbetet në fuqi dhe Administrata Ushtarake Rajonale e Kievit u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta.
Komente








Pra me garantoni per 15vite dhe deri ne ate kohe kemi prodhuar armet tona dhe jemi ne gjengje qe atehere ti marim prap teritoret e aneksuara nga Rusia por Ruset e dine kete plan edhe ata dote pregaditen keshtu Evropa me dekada dote mbetet ne lufte.
Përgjigju