Për sa i përket familjeve që nuk do të jenë objekt i trajtimit tonë, mund të përmendim edhe Zenebishët, zotër të Gjirokastrës. Qysh prej fillimit të shek. XV, ata kishin luftuar ashpër me turqit dhe në fund ishin mundur; në periudhën e kryengritjes së madhe të Shqipërisë së jugut të viteve ’30, njëri prej tyre, emigrant në Itali, u kthye në atdhe për t’u venë në krye të revoltës, por u mund falë gjenisë strategjike të një komandanti të madh turk, Turhanit, në një betejë, ku ai vetë gjeti një vdekje të tmerrshme17.

Pinjolli i breznisë së mëvonshme të Zenebishëve, Simoni, arriti të shtjerë në dorë kështjellën e Strobilit në bregdetin përballë Korfuzit dhe t’u shkaktojë shumë andralla turqve dhe po ashtu venecianëve, të cilët nuk mund të duronin që Strobili të bëhej një bazë për piratët katalanë.

Ai ishte shpallur vasal i mbretit të Napolit dhe me ndihmën e trupave italiane, më 1456, kishte mundur të pushtonte disa kështjella në bregun e Himarës, duke kërcënuar edhe vetë Butrintin. Më vonë e braktisi luftën dhe u strehua në Korfuz18.

Po në atë kohë, një farë Hamza Zenebishi ishte bërë një nga gjeneralët më të besuar të Mehmetit II, të cilin e shoqëroi ne fushatat kundër kryengritësve shqiptarë të Peloponezit, ndërkohë që një vëlla i tij ishte subash i Tetovës.

Nuk dimë se ç’lidhje kishte me këto personalitete një murg me emrin Mihal, që sigurisht i përkiste të njëjtit fis dhe që në dekadën e dytë të shek. XVI kopjoi, për një kishë të vogël ortodokse të Kalabrisë, disa kodikë liturgjikë që ruhen sot e kësaj dite.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)