Zenullah Rrahmani, një roman 
 ndryshe në letërsinë shqipe

Zenullah Rrahmani, një roman <br /> ndryshe në letërsinë shqipe
Autori i romanit “Pesë Vakte”, Zejnullah Rrahmani është njëri nga prozatorët me të talentuar të letërsisë shqipe, vepra e të cilit bën një jetë të qetë, pak të tërhequr, por në vetëbesim të plotë për vlerën dhe mundësitë, pa u përfshirë në shumësinë e zhurmshme të përditshmërisë sonë letrare. E tillë u shfaq që në fillim, në vitin 1974, me romanin “Zanoret e Humbura”, kur autori nuk i kishte mbushur ende njëzet e dy vjeç, përkatësisht me romanin “Sheshi i Unazës”, katër vite më vonë, që ishte ngjarje letrare dhe që bashkë me botimet e tjera të atyre viteve  përbejnë fazën e parë krijuese të autorit.

     Faza e dytë, ka si shtyllë kryesore romanin “Udhëtim arbdhetar” dhe veprën tjetër  “Romani për Kosovën”. Harku kohor i viteve nëntëdhjetë përmbyllet pikërisht me këto dy faza të veprimtarisë letrare të këtij autori. Në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit njëzet e një, përkatësisht deri në vitin 2013, Zejnullah Rrahmani shënon një etapë tjetër të krijimtarisë, e cila përbëhet nga triptiku “Nëntëdhjetë e nëntë rruzaret prej smaragdi”, “Lypësi dhe Sofija”, dhe “Pesë vakte”.

     Romani “Pesë vakte” është ecje më tej rrugës së nisur të triptikut e mbase mund të jetë edhe mbyllje e kësaj faze apo e këtij udhëtimi . “Nëntëdhjetë e nëntë rruzaret prej smaragdi” për bosht qendror e kanë refleksin narrativ për vlerat shpirtërore.

Edhe sipas mistikës dhe filozofisë islame, fjala është për nëntëdhjetë e nëntë variacionet e vlerave të predikuara nga libri i shenjtë. Ndërsa “Lypësi dhe Sofija” bosht qendror përmbajtjesor e ka njohjen, një ushtrim të përqendruar drejt njohjes së thelbësores, të kuptimit të botës, të qenies. Në romanin më të fundit, “Pesë Vakte”, Zejnullah Rrahmani sjell reflekse përjetësie, të ekzistencës, të qenies, të Unit, të sferave shpirtërore dhe psikologjike edhe nga më të fshehurat, reflekse në kërkim edhe të Krijuesit, të Zotit...

Tërë rrëfimi romanor lëviz brenda një harku të tensionuar, dramatik në momente nga një krah në tjetrin, herë si përplasje pa shpleksje, herë përjashtuese që, hap pas hapi të afrohen rishtazi, por asnjëherë për gjatë. Brenda këtyre hapësirave lundron mendja dhe imagjinata, ndjeshmëria e botës së autorit në këtë rrëfim të veçantë dhe fare të pangjashëm në prozën shqipe. Shtyllat narrative më me jehonë dhe më të artikuluara me këtë rast, pos lirisë, pushtetit, lindjes dhe vdekjes, kalueshmërisë dhe përjetshmërisë etj, janë Besimi dhe Dashuria.

Në të gjitha rastet, autori kërkon kodet e fshehta, shenjat që nuk i përkap syri i rëndomtë, pos atij që arrin të depërtojë përtej. Këtij caku na prin rrëfimi i Zejnullah Rrahmanit që në fillim drejt pafundësisë, drejt perdes së padepërtueshme në horizont, njësoj kur rrëfen nga statusi i atij që prore dyshon, që apriori të mos besojë përfundimisht në asgjë. Pikërisht mbi këtë bazë, të dyshimit, pas çdo përballje të radhës me enigmat, absurdin, pas çdo sfide dramatike, zëri narrativ sikur rilind rishtazi si një feniks që gjakon pastrim dhe përsosmëri absolute të Qenies, të Unit, të Krijuesit.

     Romani “Pesë Vakte, në kontaktin e parë, mbase të nxit idenë e ritualit të njohur islam të pesë faljeve në ditë. Që është dhe nuk është. Nuk janë pesë vaktet kuranore, por pesë vakte të mundshme, të ngjashme, që mund të jenë fragmente kohe dhe çaste përditshmërie, përjetësie, të rrugës jetësore të njeriut, etj. Mund të jenë pesë kthime të individit drejt vetes, pesë përballje sy më sy me vetveten, pesë depërtime në thellësitë më të paprekura, të errëta, mistere të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.

Prandaj vepra në të vërtetë është rrëfim i zërit kureshtar dhe të habitur përballë enigmës së qenies, të ekzistencës, përballë gjithësisë, përballë krijuesit dhe zotit. Është, njëkohësisht ngasje ngulitëse e zërit që kërkon dalje, shteg, kërkon dalje përtej rrugëve të shkelura dhe të ecura. Fjala është për një thelb kuptimor përmbledhës i tërë asaj që shtrihet si spektër i pafund bredhjesh, por edhe përpëlitje klithëse dhe përgjëruese. Njëkohësisht adhuruese dhe refuzuese, me një besim dhe vetëbesim që shfaqet dhe fshihet pareshtur, dhe që beson por në çaste edhe dyshon se njeriu mund t’i gjejë këto shtigje.

     Në mënyrë përmbledhëse, janë ngasjet kryesore të përmendura që reflektojnë nga libri. Megjithatë fjala është për pesë vakte. I pari është vakti i mëngjesit. Dhe është mëngjes pranveror, botën e zgjojnë tinguj drite, rreze dielli, jasemini, një dekor i traditës së Lindjes, klasikës perse sidomos dhe tek tuk, si pahiri shfaqet ndonjë shenjë e tërthortë nga përtej, drejtuar njeriut, njerëzimit.

Dhe gjithsesi rrëfimi rrjedh qetë, prurje kënaqësish, përmes medaljoneve narrative, kombinim ese-përsiatje, rrëfim-përshkrim emocional, mall- kujtime fëmijërie, gjithnjë nën përshtypjen ndjellëse: të qëndrosh në syprinën e kësaj bukurie, kënaqësie estetike, apo të kridhesh në thellësi detesh të thella dhe të trazuara që me çdo hap përpara, zëri që prin shtron dilema, pyetje të panumërta që nuk kanë të sosur, secila më e para, më kryesorja, dhe në çaste më dramatikja...

Dhe rishtazi tek fillimet, te hapat e parë në Ballofc, në fshatin e lindjes, tulatur në gjirin e shëndetshëm të natyrës ku mëngjesi vjen kurorë rrezesh nga lart dhe gjallëron gjithë çka, florë dhe faunë, rrëmetin njerëzor. Dhe zëri urdhër i babait, djalit që sapo ka nisur shkollën, “ me u zgjua herët, me e falë sabahun dhe pas lutjes me knue librin”.

Baba, përherë i mrekulluar para atij zgjimi të gjithësisë, bashkë me hutim e trazim të përhershëm se nuk ia di fillimin as fundin tërë atij rrëmeti, në mister e harmoni, beson se tere çfarë ndodh, gjendet, fshihet tek libri, pikërisht tek ai që biri e mban në strajcën prej pëlhure.

Dhe biri, alias autori i romanit “Pesë Vakte” rreket ta lexojë, ta kuptojë gjatë jetës dhe s’është i sigurt se ia del. Pikërisht se libri,- është i bindur biri, është shtrirje pakufi, sa tërë koha dhe hapësira, të cilën ai, pikërisht si të tillë reket ta rrëfejë brenda pesë vakteve. Po kaq pa fund prandaj edhe besimi, zhgënjimi, gëzimi, dëshpërimi, dashuria, pyetje pa përgjigje të paluara stavë me këtë rast.

Në këtë frymë rrjedh kapitulli i parë, vakti i parë, që përmblidhet në rreth pesëqind tekste numërorë. Në këtë fazë të rrëfimit, në kombinim të kujtimit të gjallëruar, i perceptuar dhe komentuar nga e tanishmja e narratorit, mund të thuhet që është një diskurs që e mban plot kërshëri lexuesin. Le të themi se autori është mjeshtër i madh i lojës me kohën dhe i çasteve emocionale dhe psikologjike të cilat i vë në lëvizje të përhershme. Poetikë narrative karakteristike që me këtë rast ndjek të njëjtin format deri në faqen e fundit të romanit.

Brenda sojit të krijuesve, si të gjithë njerëzve fundja, ka natyra të ndryshme. Ajo, besoj, nga vjen Zejnullah Rrahmani u takon ëndërrimtarëve kureshtarë, që gjakojnë të dinë se ç’ka matanë malit, matanë majës, përtej reve, ku ndoshta fshihet tërë enigma, që e tërheq përthithshëm mendjen, shpirtin, fantazinë e tij. Autori i kësaj letërsie fare të veçantë, në vazhdimësi ka ngasje shqetësuese, ndjellje drejt asaj që fshihet brenda lëvizjes së pafundme, ndaj asaj që, praninë e së cilës e ndjen dhe të rrëshqet fluid, dhe që është sfidë konstante e shtresimeve të mjegullta, të errëta, edhe kërshëri mistike, gjithnjë në këtë vijë, në këtë kuptim filozofik.

Pra vetëm në këtë kuptim perceptimi, për mistikën si rrugë drejt enigmës, drejt zotit, mbase edhe më shumë se kaq. Ja si e ndjen dhe si e formulon misterin mistiku më i madh i universit, Ajnshtajni kur përgjigjet në pyetjen nëse beson në diçka : “Po, jam mistik...Rruga drejt Zotit është rrugë drejt një besimi .... Ka fare pak njerëz që nuk besojnë në asgjë.” Duke e zhvilluar më tej përgjigjen, ai e veçon si më të bukur ngasjen, magjinë e emocionit, që sfidohet nga enigmat, nga fshehtësitë, misteret e pafund që e rrethojnë njeriun.

Tek romani “Pesë vakte” ka pjesë që shtrojnë dilema të natyrës që përjashtojnë çdo lloj zgjidhje definitive. Në përgjithësi nga rropatjet kërkuese, por edhe në kuptim të pozicionimit të vetë autorit, e vetmja rrugë nga e cila nuk heq dorë është vendosmëria drejt sfidave, ngasjeve, që gjakojnë ndriçimin e përtej mjegullave. Është zë, mendje e shpirt trazuar, që prore udhëton dhe kurrë nuk arrin në shtëpi, siç e thotë vetë me një rast.

Gjithnjë i përthithur nga përtej, nga ku, sipas dëshmive të tij, besimit të tij, vijnë shenja, për të cilat nuk është i sigurt se do të dijë t’i lexojë njeriu: “ Ne i njohim dhe i shpjegojmë gjërat me anë të gjërave të tjera e jo nga veta e vet... midis të vërtetës dhe njeriut është një perde e zezë, përtej së cilës njeriu nuk kalon as në imagjinatë...”.

Komunikimi i narratorit me të përtejmen, kryesisht përmes shenjave të shfaqura fshehurazi, me misteret qiellore, me krijuesin a zotin, është ana më komplekse, paradoksalisht më domethënëse: sa rrjedh një shtrati të vetëm, mbështetur faktesh dhe argumentesh të besueshëm, për vetë narratorin, e mbase edhe për lexuesin, përnjëherë, tërë shtrati merr të përpjetën, përkatësisht të tatëpjetën e rrjedhës së parë. Sapo fillojmë të bindemi në vizionin, në filozofinë apo në mistikën e zërit të tij, si përcaktim definitiv, përballemi me vërshime dilemash, hamendësish, dyshime dhe pyetje të panumërta në këtë frymë:

“A vendose në shpirtin e njeriut ti vetëm farërat e mira, të cilat ai i prishi nga veset, apo dora e Krijuesit vendosi në çerdhen e tij vetë e shpendit hyjnor, dhe bashkë me to edhe vetë e gjarprit, dhe tash çelin në trurin e tij të dyja bashkë? A nuk i përdorim të gjitha në jetë, duke synuar të jemi të lumtur?

Krijojmë familje, miqtë i përdorim, armiqtë po ashtu, pasurinë e përdorim, varfërinë e përdorim për të qenë të lumtur, luftën e përdorim, paqen po ashtu, engjëjt i përdorim, për të qenë të lumtur, qoftëlargun e përdorim. Dhe Ty të përdorim, që të jemi të lumtur”, dhe pason lutje-klithja, thirrja e pashpresë: “O i Dashuri im, mësomë si ta ndaj tokën me vëllezërit e mi, si ta ndaj zemrën me miqtë dhe armiqtë!”...

Ka çaste kur narrator-autori e zë të kotë, të pakuptimtë ngulmimin e vet për ta zbuluar, për ta gjetur, për ta kuptuar të vërtetën: “... Tash që po i bie rrugës në fund, veten e kthej në fillim dhe pyes: çka më duhet e vërteta!?”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian