TIRANË, 18 Dhjetor/ATSH/.- "Korridoret energjitike marrin edhe më shumë vlerë ndërsa Shqipëria bëhet pjesë e tyre", deklaroi sot, ministri i Ekonomisë i Turqisë, Nihat Zeybekci, gjatë një takimi me ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Sipas zyrës së shtypit pranë MEI, ministri Gjiknuri priti sot në një takim delegacionin turk të kryesuar nga ministri i Ekonomisë, Zeybekci.
Ministri Gjiknuri vlerësoi kontributin që ka dhënë biznesi turk në zhvillimin ekonomik të vendit, duke konstatuar se aktualisht ka biznese turke që veprojnë si në fushën e energjitikës ashtu edhe në industrinë minerare.
Z.Gjiknuri vlerësoi se është momenti që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të mund të intensifikohet dhe numri i bizneseve turke që zgjedhin të investojnë në Shqipëri të rritet. Ministri Gjiknuri u shpreh se qeveria shqiptare do të garantojë një mjedis sa më miqësor dhe nxitës për investimet e huaja.
Ministri theksoi se, Shqipëria ka mundësi të përfitojë nga eksperienca turke në çështjen e zbatimit të politikave të partneritetit publik-privat në fushën e energjisë.
Ministri Zeybekci nënvizoi se Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe me rëndësi strategjike për Turqinë. Sipas tij, ekzistojnë hapësira për ta intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve. Zeybekci tha se në të ardhmen do të vijnë edhe më shumë biznese turke që do të zgjedhin të investojnë në Shqipëri. /m.m/