Me kujtohet përgjigja e paharrueshme e kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë, Njut Gringriç, kur e pyeten përse republikanët po ndiqnin një rrugë veprimi si ajo që ndoqën kundër presidentit Bill Klinton për çështjen “Levinski”. “Sepse mundemi”, ishte përgjigja. Tingëllonte cinike, si vetë politika e pashpirt e kryqëzimit dhe përjashtimit të kundërshtarit. Por në fund të fundit ishte e sinqertë, për të mos thënë e pranueshme nga një pikpamje. Republikanët kishin shumicën në Kongres. Pra i kishin numrat për t’ju qepur me bukë në trastë Presidentit demokrat. Ka gjithnjë një logjikë të votave në veprimet dhe aktet politike të politikanëve. Vota e qytetarëve e bashkuar me ligjin dhe kushtetutën u mundëson të votuarve të bëjnë këtë apo atë gjë. Kjo është logjika e demokracisë, e sistemit me shumë defekte, por që nuk ka më të mirë se ai, siç thoshte Çërçilli. Delikatesa e politikanëve të shkollës se demokracisë ka qenë gjithnjë gjetja e ekulibrit midis fuqisë që jep vota dhe nevojave të shoqërisë për kohezion, unitet, paqtim, pushtete të pavarura ku qytetarët njohin vetveten pavarësisht nga përkatësitë politike. Ndonjë politikan autoritar i tipit të De Golit, që parapëlqente të qeveriste si monark, e korigjonte këtë prirje të brëndshme me nënshtrimin pa kushte ndaj vullnetit të zgjedhësve, çfarë u pa kur dha dorëheqjen pasi humbi një referendum popullor. Me fjalë të tjera, duke njohur në fuqinë e votës një dhunti të demokrasisë, por njëkohësisht edhe kurthin e shpërdorimit të fuqisë, politikanët modernë ose nuk bëjnë gjithë çfarë kanë në dorë, ose me të rrallë edhe bëjnë, por shkojnë në shtëpi pa u menduar dy herë kur populli nuk i miraton veprimet e tyre.

Logjika e votës së qytetarëve është vepruese dhe përcaktuese edhe në aktet e fundit të Berishës dhe Metës për zgjedhjen e një Presidenti partiak nga kabineti qeveritar, siç është zoti Bujar Nishani. Rrjedhimisht edhe për emërimin e kryetarit të ri të SHISH-it dhe emërtesave të tjera që janë kompetencë e Presidentit ose e shumicës së deputeteve në Kuvend. Berisha dhe Meta zgjodhën një Presedent partiak, sepse i kishin numrat, apo për të përdorur shprehjen e Njut Gringriçi, sepse mundeshin. Ka patur një pritshmëri ekulibri dhe konsesusi për zgjedhjen e Presidentit të Repulikës dhe funksionarëve të tjerë të lartë të pjesës natyrore të shtetit. E gjithë kjo sa për shkak të barazpeshës së votave në zgjedhjet e vitit 2009, parregullsive të evidentuara në ato zgjedhje dhe nevojës për të përshpejtuar në rrugën e anëtarësimit të vendit në BE. Ka patur një pritshmëri hapjeje dhe bashkëndarjeje të pushteteve të pavarura nga ana e Berishës, meqenësë nuk i kishte fituar zgjedhjet, por mbahej në karrigen e kreut të ekzekutivin me patericën e Ilir Metës. Të gjitha këto argumente u shumëzuan me zero sapo këto dy politikanë panë se mund të avanconin me zgjidhje partizane. Duhet te themi se pavarësisht dozës së pahetuar kurrë të manipulimeve nga numërimi i keq dhe shumë i keq i votave në një të tretën e territorit kombëtar në vitin 2009, PD dhe LSI e kanë shumicën aritmerike të deputetëve për të bërë atë që bënë e pritet të bëjnë në vijimësi, tashmë me dorën e Presidentit në dispozicion, në turravrapin e tyre për akaparimin e institucioneve të pjesës natyrore të shtetit. Na vjen keq, disa skandalizohen, por kjo do të ndodhte. Ndryshe pse do të zgjidhnin një president partiak në praninë edhe të shefit të opozitës! Berisha dhe Meta nuk kanë kulturën e ekuidistancës, ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve apo konsensusit. Ata e marrin atë që mund të marrin, sapo u krijohet mundësia. Berisha s’la gjë pa marrë kur ishte President herën e parë. Gjersa i humbi të gjitha me çmimin e rrënimit të shtetit në vitin 1997. Pas këtij viti, përgjatë pesëmbëdhjetë vjetëve, ai nuk ka patur mundësi t’i marrë Presidentin e Republikës dhe institucionet e vartësisë së dyfishtë, siç është kryetari i SHISH-it apo Prokurori i Përgjithshëm. Tani që iu krijua mundësia, falë numrave të Metës, i mori dhe po i merr. Brenda ligjit, brenda kushtetutës, brenda kulturës dhe koncepteve të tij për shtetin dhe demokracinë. Medalja i ka të dyja anët. Ka anën negative që reklamon me forcë opozita dhe një pjesë e opinionit publik, tek shohin mbivendosjen e pushtetit të kryeministrit mbi gjithë pushtetet e tjera. Ka edhe anën formale të përdorimit konform ligjit të fuqisë që jep vota. Në këto kushte, përtej britmave të kota, debati që po zhvillohet vlen të fokusohet sipas meje në tre drejtime.

E para, ka apo nuk ka kosto në raportet tona me SHBA-në kjo që po ndodh në Tiranë. Publiku ka dëgjuar se Departamenti i Shtetit kishte sugjeruar një President konsensual. Publiku është në dijeni gjithashtu të mbrojtjes së pazakontë që i është bërë ish kryetarit të SHISH-it nga amerikanët. Ka apo nuk ka vwrtetësi në këto dy qwndrime? Apo nuk po merret vesh as Amerika, siç shohim të shkruajnë rëndom shumë shqiptarë në portalet e ndryshme të internetit. Dy shuplaka, qoftë edhe tinzare apo si padashje për aleatin strategjik, do të ishin kulmi i mosmirënjohjes. Dhe i karshillëkut. Dhe i rreziqeve që paraqet ftohja eventuale me mikun e madh të ditëve të vështira.

E dyta, është çwshtja e precedentit. Meqenëse ia lejon kushtetuta, Berisha po rikrijon precedentin e emërimit të besnikëve dhe njerëzve të afërt në krye të disa institucioneve që kishin fitur përgjatë dekadës së fundit një ekuidentancë relative nga pushteti ekzekutiv. Ky është një hap prapa për demokracinë shqiptare. Reagimet kundërshtuese dhe denoncuese të PS-së dhe kryetarit të saj Rama lënë të kuptohet se në skenarin e rrotacionit nuk do të ndiqet ky model, por garanci nuk ka. Kam frikë se precendenti që po krijon Berisha do t’u shërbejë si një kartabiankë pasuesëve të tij në qeveri dhe vendi nuk do të dalë edhe për shumë vjet nga lufta për gjithçka ose asgjë e mëtonjëve shqiptarë të pushtetit.

E treta, më kryesorja, debatet e ashpra të këtij muaji nuk mund të anashkalojnë rolin vendimtar të zgjedhësve në këtë histori. Në fund të fundit, sado retorike të tingëllojë dhe sado i vogël të jetë respekti i politikanëve për ta, janë zgjedhësit që vendosin me votën e tyre se kush duhet të zgjedhë Presidentin, kryetarin e SHISH-it, anëtarët e gjykatës së lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, e tjerë. Zgjedhësit duhet ta dinë se duke votuar një shumicë apo një njeri ata u japin fuqi atyre të zgjedhin zyrtarët që duan në krye të institucioneve të tjera. Kështu është kushtetuta jonë tani. Zgjedhësit duhet ta dinë. Ata duhet të pyesin në fushatë dhe të kërkojnë përgjigje publike nga politikanët nëse këta do të zgjedhin President partiak apo të konsultuar me opozitën, nëse do të zgjedhin në krye të institucioneve të tjera individë të pavarur dhe me integritet, apo njerez të stafeve të tyre të ngushta. Mund të gwnjejnë politikanët kur t’u bëhen këto pyetje. Po mirë kështu. Sëpaku neser do të përballen me gënjeshtren e tyre sërish në aulën e gjykimit të publikut. Aulë supreme, prapseprapë.
(gm/Shqiptarja.com)