Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish këtë të premte, pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) braktisi sallën kur deputetët e Vetëvendosjes nuk votuan kandidaten e saj për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku.
Më herët gjatë seancës, deputetët miratuan me 71 vota që pesë nënkryetarët të votoheshin veç e veç dhe jo në pako, siç ishte vepruar në të kaluarën. Vendimi erdhi pas konsultimeve mes kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe shefave të grupeve parlamentare.
"Nuk ka dakordim për votim në pako, ndaj forma e vetme është votimi individual", deklaroi Haxhiu para nisjes së procesit.
I pari që kaloi në votim ishte kandidati i Vetëvendosjes, Ardian Gola, i cili u zgjodh nënkryetar me 100 vota. PDK-ja dhe LDK-ja e mbështetën kandidaturën e tij.
Situata ndryshoi te votimi për kandidaten e PDK-së, Vlora Çitaku. Deputetët e Vetëvendosjes abstenuan, duke mos i siguruar votat e nevojshme, edhe pse më herët PDK-ja kishte votuar kandidatin e LVV-së. Pas këtij zhvillimi, deputetët e PDK-së u larguan nga salla, ndërsa kryetarja Haxhiu ndërpreu seancën dhe njoftoi se deputetët do të informohen më vonë për vazhdimin.
Përplasja mes palëve ishte paralajmëruar që para nisjes së seancës. Vetëvendosje kishte bërë të ditur se nuk mbështeste kandidaturat e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës, duke kërkuar që PDK-ja dhe LDK-ja të propozonin emra të tjerë. Të dyja partitë e refuzuan këtë kërkesë.
Gjatë diskutimeve pati edhe debat për mënyrën e votimit. PDK-ja argumentoi se ndryshimi i praktikës nga votimi në pako te ai individual kërkonte konsensus, ndërsa LDK-ja u shpreh në favor të votimit veç e veç. Lista Serbe deklaroi se nuk kishte kundërshtim për asnjërën formë, për sa kohë procesi përfundonte.
Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Ngërçi për zgjedhjen e nënkryetarëve vjen vetëm dy ditë pasi Albulena Haxhiu u rizgjodh kryetare e Kuvendit. Megjithatë, Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët.
Përfundimi i këtij procesi është hapi i domosdoshëm për nisjen e procedurave për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe më pas për zgjedhjen e presidentit. Për këtë të fundit nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në Kuvend, ndërsa aktualisht raportet mes partive tregojnë se një shumicë e tillë mbetet ende e pasigurt.
Lajmi në përditësim…








Komente
Komento