Lumir Abdixhiku
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nuk po përpiqet seriozisht për gjetjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
"Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore", thuhet në deklaratën e LDK-së.
Sipas LDK-së, konsensusi nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata.
"Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar. Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional", thuhet në komunikatën e LDK-së.
Sipas LDK-së mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit
"Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë",thuhet në deklaratën e LDK-së.
Lajmi kryesor:
Presidenti i ri i Kosovës, LVV propozon Konjufcën! Haxhiu: Nuk mund të thërras seancë parlamentare, duhen 2 kandidatë








