Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i ka bërë thirrje kryetarëve të grupeve parlamentare që të ulen në tryezë për të diskutuar për kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri.
Balla i bëri thirrje Enkelejd Alibeajt, Mesila Dodës dhe Fatmir Mediut që të ulen pasi i ndajnë vetëm pak ditë nga afati i fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare. Sipas tij, kushti i vetëm është që të kemi një president të të gjithë shqiptarëve ndaj të gjitha palët dhet të sjellin propozim për ta zgjedhur në bashkëpunim me grupin parlamentar të PS.
"Dje Kuvendi ka shpallur çeljen e procesit te presidentit. Besoj që prej sot në çdo moment jemi të gatshëm te ulemi me përfaqësuesit me drejtuesit e Grupeve Parlamentare te opozitës, thirrja ime për Alibeajn, Dodën dhe zotin Mediu, koha që keni deri më 15 maj ora 16:00 është e shkurtër. Kemi marrë shumë kohë. Sa herë kemi dalë para jush. Gatishmëria jonë ka qenë dhe është bërë publike.
Mirëpres një përgjigje nga ana e tre kryetarëve të grupeve parlamentare me të cilët jemi të gatshëm të negociojmë. Ka pasur propozim që grupet të jenë bashkë. Jemi bashkë të ulemi të diskutojmë për kriteret. Janë të mirëpritur. Na duhet një president i të gjithë shqiptareve, ky është kushti i vetëm. Të gjitha palët kanë të drejtën e propozimit. Në tryeze nuk mund të ulesh nëse nuk të drejtë të propozosh. Ne duam një proces shembullor në 2022 si një standard për të gjitha proceset. Thirrjes time, zonja Doda, Alibeaj dhe Mediu urojmë të kemi një përgjigje pozitive, nëse do vijnë veç e veç, jemi të gatshëm. PS ka vendimmarrjen kryesore. Asnjë grup tjetër nuk mund ta zgjedh veç, vetëm në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të PS", tha Balla.
Më 16 maj, ora 17:00 do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të republikës. Vendimi është marrë nga Konferenca e Kryetarëve në mbledhjen e sotme. Më 15 maj ora 16:00 është afati i fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve ndërsa më datën 16 maj ora 10:00, të mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave. Afatet janë vendosur me votë të Partisë Socialiste, pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim.
Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.