TIRANË- Sokol Binaj është gjyqtari i caktuar si relator për shqyrtimin e rekursit të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji në Gjykatën e Lartë. Salianji kërkon pafajësinë në Gjykatën e Lartë pasi u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babale, por demokratët janë mobilizuar në sulme ndaj relatorit Sokol Binaj.
I pari ishte vetë Salianji, i cili në një postim në Facebook aludoi se shorti në gjykatën më të lartë në vend është manipuluar, duke ndryshuar relatorin sipas tij nga Albana Boksi në Sokol Binaj.
Duke akuzuar për pengmarrje, Salianji thotë se arsyeja e manipulimit është vonesa për ta mbajtur larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik.
‘Tani, vazhdojnë me shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë por në Gjykatën e Lartë! Është e qartë. Ky nuk është proces, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore! Qëllimi nuk fshihet më.
Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj! Ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa. Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë! Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen’, shkruan ai.
Sulmet nuk i kurseu as kryetari i PD, Sali Berisha i cili në konferencën për mediat e quajti Sokol Binajn si ‘famoz’ dhe “militant i verbër i Partisë Socialiste”.
“Akt i shëmtuar dhe kriminal i mbajtjes së njeriut të pafajshëm pas hekurave. Trupa gjykuese nuk gjente dot asnjë lloj motivi për të pranuar këtë vendim politik të shkallëve të tjera, dhe që nuk do bënin sipas dëshirës së Ramës. Ajo u ndërrua dhe u shtua famozi Sokol Binaj, një militant i verbër i Partisë Socialiste. I jap mbështetjen më të plotë Salianjit dhe solidarizimit dhe PD do bëjë gjithçka që klani mafioz Rama-Xhafaj të marrë dënimin e merituar. Nuk ka ndodhur kurrë që të ndryshohen gjykatësit në prag të procesit gjyqësor vetëm për t’i shërbyer Edi Ramës dhe pse e kërkon ai. Rama ka frikë nga krimet që ka kryer”, tha Berisha ndër të tjera.
Në një reagim tjetër, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi tha se ky është një akt i paprecedentë dhe se sipas tij gjyqtarët po përdoren politikisht.
Por të gjitha këto akuza dhe aludime të demokratëve u sqaruan në një deklaratë për mediat nga vetë Gjykata e Lartë, e cila thekson se çështja i kalon automatikisht Sokol Binajt, pasi është gjyqtari që ka shqyrtuar kërkesën e parë për pezullim të ekzekutimit të vendimit.
Ish-deputeti i PD Ervin Salianji arrestua më 27 shtator 2024, pasi Gjykata e Apelit e shpalli fajtor për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale. Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Pas akuzave politike mbi relatorin Sokol Binaj, që është caktuar për të shqyrtuar rekursin e Ervin Salianjit, Gjykata e Lartë ka dalë me një shpjegim për mediat. Gjykata e Lartë sqaron se çështja i kalon automatikisht Sokol Binaj, pasi është gjyqtari që ka shqyrtuar kërkesën e parë për pezullim të ekzekutimit të vendimit, po për këtë çështje.
Fillimisht Gjykata sqaron se gjyqtari relator zgjidhet automatikisht përmes sistemit ICMIS dhe për çështjen e Salianjit sistemi ka përzgjedhur gjyqtaren relatore Albana Boksi.
Por, më pas çështja i ka kaluar relatorit Sokol Binaj, pasi sipas një urdhri të Kancelarit të Gjykatës së Lartë, pasi ai ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të lidhur.
“SQARIM PUBLIK
Në datën 08.01.2025, në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me numrin 51180-00012-00-2025, e cila ka si palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh..
Përmes regjistrimit elektronik në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS), që nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, shorti cakton automatikisht një gjyqtar relator për çdo çështje të regjistruar. Për këtë çështje është caktuar nëpërmjet shortit elektronik si gjyqtar relator, anëtarja e Kolegjit Penal, Albana Boksi.
Bazuar në Urdhrin nr. 106, datë 15.05.2023 të Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, është e detyrueshme që “kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal”.
Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024.
Mospërmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj.
Ky veprim që kryet automatikisht nga sistemi elektronik, i cili garanton njëkohësisht edhe për integritetin e tij, ka për qëllim të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe më të shpejtë të çështjeve gjyqësore, si dhe transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me ndryshimin e trupës gjykuese të zgjedhur me short në çështjen në Gjykatën e Lartë për ish-deputetin e PD Ervin Salianji, për të cilën është zgjedhur gjyqtari Sokol Binaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar këtë si një akt të paparecedentë, ndërsa tha se ndaj ish-deputetit vijon padrejtësia.
Ai i bëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që të mos pranojnë të përdoren politikisht.
‘Akti i paprecedent i ndryshimit të trupës gjykuese të zgjedhur me short në çështjen në Gjykatën e Lartë të kolegut Ervin Salianji, është shembulli më i shëmtuar sesi nuk mund të jetë kurrë drejtësia. Pas një vendimi politik të Gjykatës së Apelit që burgosi Ervin Salianjin vetëm se është kundërshtar i regjimit të Edi Ramës, kushdo priste dhe pret drejtësi nga Gjykata e Lartë. Por deformimi i rezultateve të shortit përzgjedhës dhe ndryshimi i trupës brenda 24 orëve, pa dhënë asnjë shpjegim, është sinjal që paralajmëron vazhdimin e padrejtësisë. Duke dënuar me forcë manipulimin në rastin konkret, apeloj që gjyqtarët e ndershëm në Gjykatën e Lartë të mos pranojnë të përdoren politikisht për të mbajtur gjallë një padrejtësi dhe për t’u keqpërdorur për hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës’, shkruan ai.
Po pse e përdorin shortin, kur vendos Kryetari?
PërgjigjuO Salinjan çuni i Shegēs i ngjirizur nē haurin e lopēs me trktoristin socjalis babai jot kur jotēm ishte e martuar me 2 fmi. Pra ti je kopil e ty stē besohet as njē fjal. Prandaj vazhdo kap sapunin e fli rehat se sapuni ta lēron sumēn o salinjan hajvan.
Përgjigju