Zgjedhjet '13, Wollfarth: Fushatë
konkurruese, KQZ mos politizohet

Zgjedhjet '13, Wollfarth: Fushatë <br />konkurruese, KQZ mos politizohet
TIRANE - Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit e quajti fushtën zgjedhore konkurruese. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Wollfarth vuri theksin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të politizohet dhe shprehu sërish shqetësimin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve me standarde të larta europiane dhe demokratike.

Z. Ambasador, cili është vlerësimi juaj për ecurinë e deritanishme të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit?
Unë e shoh si një proces përgatitjesh që filloi mirë për zgjedhjet e vitit 2013, bazuar në Kodin e ri Zgjedhor. Megjithatë, ky proces ka nevojë të vazhdueshme për vullnet të mirë politik. Zhvillim pozitiv ishte përfundimi i reformës zgjedhore nga Kuvendi i Shqipërisë në korrik 2012, njëmbëdhjetë muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013. Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve e mori detyrën në mes të muajit tetor dhe, që atëherë, ka qenë i ngarkuar me miratimin e akteve në kuadrin e përgatitjeve të zgjedhjeve, si për shembull, specifikimi i materialeve zgjedhore ose strategjia e trajnimit për komisionet zgjedhore. Një punë shumë e rëndësishme mbetet për t’u bërë më tej, por unë besoj se KQZ-ja e ka potencialin e plotë profesional për t’i përgatitur zgjedhjet në mënyrën dhe në kohën e duhur e t’i zhvillojë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, kemi parë edhe disa dallgë lidhur me çështjet teknike, me sa duket të futura nga jashtë KQZ-së, duke mos lejuar një lundrim më të qetë drejt një vendimmarrjeje në kohën e duhur. Do të doja të ritheksoja thirrjen time drejtuar të gjitha palëve për të dëshmuar vullnetin e nevojshëm politik të mirë për këto zgjedhje.

Cili është dhe do të jetë angazhimi konkret i Prezencës së OSBE-së për këto zgjedhje?

Prezenca e OSBE-së ofroi këshillim dhe ndihmoi në dhënien e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it për Kuvendin, gjatë procesit të reformës zgjedhore. Ndërkohë që ndjekim nga afër zhvillimet e lidhura me zgjedhjet, ne i kemi ofruar dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë asistencë KQZ-së, për të forcuar kapacitetet e saj profesionale dhe teknike për një performancë më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është pjesë e mandatit tonë. Gjithashtu, në javët që vijnë, Prezenca do të ndihmojë OSBE/ODIHR-in në përgatitjen e një Misioni të suksesshëm dhe efiçent të OSBE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Qeveria shqiptare ka dërguar një ftesë për këtë në vitin 2012. Nga ana e OSBE-së, përveç ODIHR-it presim edhe përfaqësues në nivel deputetësh aktivë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Ka një perceptim në media dhe në një pjesë të opinionit se situata politike paraelektorale është e tejet e tensionuar. A ndani dhe ju këtë ndjesi, apo e shikoni gjithçka brenda frymës së konkurrencës partiake?

Kjo nuk është diçka e re në Shqipëri. Një gjë e tillë ka qenë e dukshme gjatë gjithë muajve të fundit. Unë do të thosha se po shohim krijimin e një fushate zgjedhore konkurruese. Këtu nuk ka asgjë të pazakontë apo të papritur – unë e përmenda këtë që në raportin tim të fundit vjetor që mbajta para shteteve Pjesëmarrëse të OSBE-së në shtator 2012. Jo kujtdo i erdhi mirë ta dëgjonte, por nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për të vërtetuar se e kisha gabim. Ju lutem, kuptomëni drejt: është normale dhe e nevojshme të ketë konkurrencë politike. Megjithatë, secila palë duhet ta shpenzojë pjesën më të madhe të energjive për të prezantuar idetë e saj, për të tërhequr zgjedhësit duke u bazuar në përmbajtjen dhe programin e saj për legjislaturën e ardhshme. E prapëseprapë, ne jemi dëshmitarë të faktit se fokusi vihet mbi detaje teknike dhe se vëmendja e publikut shmanget nga nevojat e vendit. Këto nevoja unë i përshkruaj si ecje përpara në axhendën kombëtare të reformave, ecje përpara drejt integrimit evropian. Politizimi i punës së administratës zgjedhore nuk ndihmon aspak për arritjen e këtyre qëllimeve. Administrata zgjedhore, duke filluar nga KQZ-ja, është ngritur për të zbatuar legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të garantuar që zgjedhësit të kenë mundësi që të shprehin në mënyrë të lirë dhe të ndershme vullnetin e tyre në Ditën e Zgjedhjeve. Ajo nuk është ngritur si një platformë spektakli politik për të zhvendosur vëmendjen.

Nga tribunat politike ka, së fundmi, edhe shumë retorikë për të ngritur dhe trajtuar me mbështetësit në terren çështje të natyrës nacionaliste që arrin deri te rishikimi i marrëdhënieve me fqinjët. Si i komentoni ju, z. Ambasador, këto zhvillime?
Shqipëria, gjatë pjesës më të madhe të dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ka luajtur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Retorika e kohëve të fundit e disa udhëheqësve politikë nuk është në përputhje me këtë traditë. Kjo shkon në dëm të një imazhi të përmirësuar të Shqipërisë, i cili nevojitet aq shumë për zhvillimin ekonomik e social dhe integrimin. Unë do t’i nxisja udhëheqësit politikë që të përqendrohen në axhendën e reformave. Së fundmi, ka pasur arritje të rëndësishme. Ka pasur hapa të përbashkët. Është ecur përpara. Kjo është konstruktive. Duhet të ketë më shumë sjellje të tillë konstruktive.

Për dy-vjetorin e 21 janarit 2011, ju, në emër të Prezencës së OSBE-së, mbajtët një qëndrim publik me nota kritike për moszbardhjen ende të kësaj ngjarjeje tragjike, ku humbën jetën 4 vetë dhe shumë të tjerë mbetën të lënduar. Sipas pikëpamjes tuaj, pse ka këtë performancë nga drejtësia për dosjen e 21 Janarit?
Zbardhja e plotë e ngjarjeve të 21 Janarit 2011 meriton përpjekjet më të mëdhaja. Një drejtësi e mirë dhe funksionale duhet të marrë parasysh edhe afatet kohore. Dhënia e një gjykimi bindës dhe në kohën e duhur, si rrjedhojë e një procedure në përputhje të plotë me ligjin, është synimi që duhet arritur. Është e rëndësishme të shohësh që procedurat gjyqësore kanë kaluar, së fundmi, në një fazë më dinamike. Unë e mirëpres këtë.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje

VIDEO/ Napoli rikthehet në krye të Serie A, Lukaku mposht 1-0 Romën! Ranieri rikthim me humbje