Zgjedhjet lokale/ 9 afatet për kandidatët, komisionerët dhe financimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kujtuar dje partive politike detyrimin e tyre për zbatimin e ligjit zgjedhor, në kuadër të përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Subjektet politike duhet të zbatojnë afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor për regjistrimin në zgjedhje, për paraqitjen e komisionerëve në të gjitha nivelet, shpalljen e kandidatëve etj. Teksa tashmë na ndajnë më pak se sa 6 muaj nga data zgjedhjeve lokale, KQZ, përmes një deklarate, u kujton partive politike se deri më datën 18 mars duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve). “Zgjedhjet janë proces politik i shqiptarëve, bëhen për ta, nuk bëhen për KQZ-në dhe as për partitë politike.

Ndaj kanë rëndësi përgjegjshmëria publike e aktorëve politikë dhe institucionalë, transparenca e administrimit të procesit dhe llogaridhënia përpara elektoratit. Në emër të kësaj transparence, llogaridhënie dhe përgjegjëshmërie publike, KQZ-ja tërheq sot vëmendjen e partive politike të interesuara për zgjedhjet për sa vijon: Kodi Zgjedhor ngarkon partitë me detyrën e administrimit të procesit dhe administrimi i procesit zgjedhor fillon me ngritjen e KZAZ-ve. Deri më datë 18 mars, këto parti duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve)”, thuhet në deklaratë.

Komisionerët e tjerë
KQZ njofton gjithashtu se 30 maji është afati i fundit për të propozuar anëtarët e qendrave të votimit, ndërsa data 18 qershor për propozimin e numëruesve. “Pas tyre ngrihen komisionet e qendrave të votimit (KQV-të), afati për të cilat partive u skadon më datë 30 maj, si dhe grupet e numërimit të votave (GNV-të), detyrim që partitë duhet ta plotësojnë përpara datës 18 qershor. Në rast se partitë nuk e respektojnë këtë afat, kjo e drejtë zbret tek partitë e tjera parlamentare të të njëjtit grupim dhe, në instancë të fundit, tek KQZ-ja, e cila do të emërojë kryesisht komisionerët deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Regjistrimi i partive në zgjedhjeve
KQZ sqaron se afati ligjor për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje mbaron më datë 21 prill, kurse për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ mbaron më datë 1 maj. Regjistrimi bëhet si gjithmonë pranë KQZ-së. Nëse partitë politike nuk respektojnë afatin e parë, ato nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Nëse nuk respektojnë afatin e dytë, ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore”, vijon KQZ.

Afati për kandidatët
Partitë politike duhet të depozitojnë në KQZ kandidatët për kryetar bashkie dhe këshillat jo më vonë se data 13 maj. “Sipas Kodit, depozitimi i listave shumemërore të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe kandidatëve për kryetar bashkie duhet të bëhet jo më vonë se data 13 maj. Nëse partitë politike nuk e respektojnë këtë afat, ato do çregjistrohen dhe nuk do figurojnë në fletën e votimit. Sot ato janë në kohë për të organizuar punën, sipas procedurave të brendshme statutore, për të përzgjedhur kandidatët dhe për të plotësuar dokumentacionin e kandidimit. Sipas nenit 77 të Kodit Zgjedhor periudha e fushatës zgjedhore fillon në datën 31 maj. Në të shkuarën, vëzhguesit e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë kanë kritikuar praktikën e disa partive politike që kanë zhvilluar veprimtari fushate përpara fillimit të periudhës së fushatës”, sqaron KQZ.

Transparenca financiare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kujton partive politike edhe dy afate të tjera që kanë të bëjnë me kryerjen e dy veprimeve në kuadër të transparencës financiare gjatë fushatës zgjedhore dhe vitit 2017. “Partitë politike kanë detyrimin të depozitojnë në KQZ para datës 3 qershor të numrit të llogarisë bankare për pranimin e dhurimeve të fondeve jo publike, sikurse kanë detyrimin që të depozitojnë në KQZ para datës 31 mars raportet financiare për vitin kalendarik 2018. Mosrespektimi i detyrimeve lidhur me transparencën financiare është i lidhur me aplikimin e sanksioneve të rrepta administrative. Partitë politike duhet të marrin seriozisht e të respektojnë pikë për pikë detyrimet ligjore për financimin e fushatës dhe llogaridhënien, pasi me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës fillon puna për vënien në lëvizje të mekanizmave të brendshëm të mbajtjes së llogarive të fushatës dhe me plotësimin e dokumentacionit ligjor të donacioneve dhe të shpenzimeve. Transparenca e plotë e financave është shndërruar në gur prove për politikën, prandaj KQZ-ja tërheq sot vëmendjen për çështjet e financimit të partive politike”, thotë KQZ.

Paralajmërimi i KQZ për afatet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron partitë politike se nuk do të lejojë shkeljen e këtyre afateve dhe se do të marrë masa siç parashikohet në ligjin zgjedhor. “KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, prandaj u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për përzgjedhjen e kandidaturave për komisionerët zgjedhorë. Në të shkuarën KQZ -ja është kritikuar nga misionet vëzhguese ndërkombëtare për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përtej afateve ligjore, ndaj është veçanërisht e vendosur këtë herë që të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në aplikimin për regjistrim. KQZ-ja u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për plotësimin dhe depozitimin e dokumentacionit të regjistrimit”, thekson KQZ.

Paralajmërimi i KQZ për fushatën zgjedhore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën apel mediave dhe përfaqësuesve të partive politike që të bëjnë kujdes me fillimin e fushatës elektorale, duke respektuar gjithnjë parashikimet në ligjin zgjedhor. “KQZ-ja u bën thirrje publike partive politike dhe emisarëve publikë të tyre që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe vetëkufizim në këtë pragzgjedhje. Kryerja e veprimtarive të fushatës përpara fillimit zyrtar të saj prish barazinë e garës në zgjedhje, e bën procesin të disbalancuar dhe të pandershëm, e bën atë që të nisë keq. KQZ-ja i bën thirrje medias të tregohet e vëmendshme ndaj kësaj forme të cenimit të barazisë së garës, të distancohet dhe ta denoncojë publikisht atë, në emër të mbrojtjes së lirive themelore të ndjekësve të tyre”, thekon KQZ në njoftimin e për mediat.

Afatet për partitë politike
18 mars, afati i fundit për propozimin e anëtarëve të KZAZ

30 maji, afati i fundit për propozimin e anëtarëve të qendrave të votimit

18 qershori, afati i fundit për propozimin e numëruesve të votave

21 prilli, afati i fundit për regjistrimin e partive politike në zgjedhje

1 Maji, afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje

13 maji, afati i fundit për regjistrimin e kandidatë për kryetar bashkia dhe këshillat bashkiakë

31 Maji, afati i fillimit të fushatë zgjedhore

3 qershori, afati i fundit për partitë për depozitimin e numrit të llogarisë bankare për dhurimin e fondeve

31 Mars, afati i fundit për të paraqitur raportet financiare vjetore

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Pyetja e Adit

Edison Ypi: Pyetja e Adit