Partia Demokratike nuk është dakord që numërimi dhe votimi elektronik në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm të shtrihet në disa bashki, apo në të gjithë territorin e vendit.

“Asnjë bashki nuk pranohet me numërim elektronik. PD nuk pranon. Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme, është implikuar direkt SHISH, janë krijuar serverë paralelë, s’pranojmë asgjë të manipulueshme në procesin zgjedhor”, tha Berisha.

Qëndrimin e PD e kishte bërë me dije edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi pas një takimi me PS, PD, Partinë Republikane, PBDNJ, FRD, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, Partia Agrare Ambientaliste dhe Partia Lëvizja e Legalitetit.

Me përjashtim të partisë më të madhe opozitare në vend, KQZ tha se të gjitha të tjerat ishin dakord për zgjerimin e votës elektronike.

Gjithashtu, KQZ po vlerëson mendimet e shprehura nga pjesëmarrësit në takim për të vendosur më pas në lidhje me përdorimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet 2027.