. Kreu i PD mësohet të ketë thënë “që të ecet më shpejt me updatimin e databasit, pasi s’mund të vazhdohet me këtë gjendje. Pavarësisht se jemi në pushtet, duhet të evidentohen të gjithë votuesit sipas zonave, e përmes këtij database të mbështetet fushata elektorale. Nuk duhet të lihet gjithçka në dorë të faktit se jemi në pushtet, pasi kundërshtari ynë politik po punon fort në këtë drejtim e ka afër një vit që është duke verifikuar listat që i ka përfunduar”. Këto kërkesa Berisha i ka bërë në mbledhjen me dyer të mbyllura me krerët e degëve të PD të rretheve, pa pjesmarrjen e deputetëve sipas zonave, duke kërkuar përfundimin e këtij “censusi” sa më shpejt. Një kopjim mot a mot i tërë lëvizjes së kreut të PS Rama për censusin brenda PS, pavarësisht se e kishte akuzuar javë më parë se po tenton krijimin e listave paralele të zgjedhësve. Njëherësh Berisha ka kërkuar dhe shtimin e anëtarësisë me të rinj, por dhe krijimin e shtabeve elektorale në qarqe, rrethe dhe qendra votimi. Para mediave në këtë takim por dhe në tërë takimet e ditës së djeshme, kreu i mazhorancës është shfaqur me një kollare të njejtë me atë të Edi Ramës me ngjyrën e Rilindjes të përdorur në Konferencën dyditore të PS.
Në këtë mënyrë Berisha, përpos programit, me sa duket po i merr Ramës dhe mënyrën e veshjes të sjellurit dhe gjithçka deri në zgjedhje, duke na u prezantuar si një “klon” me moshë të thyer i liderit të PS. Kryeministri teksa ka evidentuar se kanë mbetur dhe 118 nga dita e zgjedhjeve, tha se zgjedhjet janë tek porta dhe kjo kërkon mobilizimin total të të gjitha potencialeve të PD. “PD ka qenë, është e do mbetet lokomotiva e proceseve integruese të vendit. Së bashku të bëjmë gjithçka për të tërhequr mendimin e çdo zgjedhësi shqiptar”, tha Berisha. Ai sulmoi kreun e opozitës Rama se e kanë kapur ethet e zgjedhjeve ndaj për këtë arsye ka filluar të besojë gënjeshtrat e tij.
"Në What’s-up tim, një qytetar më shkruante: “Kot e ke, këto zgjedhje do t’i fitojë Edi Rama. Boll më se e shkatërrove këtë vend”. Atëherë unë i them: S’është faji im në rast se Edi Rama di vetëm të humbasë, sepse unë s’mund të mësoj dot kundërshtarin të fitojë”, tha Berisha. Ai këmbëngul sërish se referendumi për miratimin e 3 ligjeve do mbahet në vjeshtë, duke shtuar se falë tij shqiptarët do lëshojnë mesazhin se vokacioni i Shqiëprisë për integrim në familjen Evropiane është shumë i madh. Sipas Berishës, për bllokimin e integrimit të vendit në zgjedhjet e qershorit Rama do të marrë përgjigje nga shqiptarët, të cilët do vendosin për disfatën e radhës të kreut të opozitës.
(sg/shqiptarja.com)