Zgjedhjet, Blofi PD, 200 'socialistët'
e Dibrës janë votues në Tiranë 

Zgjedhjet, Blofi PD, 200 'socialistët'<br />e Dibrës janë votues në Tiranë 
Fushata për Bashkinë e Dibrës ka marrë dje një tjetër rrjedhë. Partia Demokratike ka deklaruar se rreth 200 socialistë kanë vendosur të largohen nga Partia Socialiste dhe t’i bashkohen partisë më të madhe në opozitë.

Sipas PD, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu morën pjesë në një aktivitet të organizuar nga socialistët dibranë, të cilët u bashkuan me PD.

Duke shprehur zhgënjimin e madh për partinë e tyre, braktisjen dhe mashtrimin, ata kanë grisur në mënyrë simbolike teserat e PS. Ata thanë se Edi Rama i ka harruar socialistët, ata enden rrugëve të papune, pa bukë ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish”, pretendon PD.

Sherefedin Shehu
Personazhet e reklamuara dje nga PD si socialistë, të cilët demonstruan gjoja grisjen e teserave të PS, nuk rezultojnë të kenë qenë asnjëri anëtar e rrjedhimisht as nuk kanë patur një teserë partie. Tahir Mziu është kushëri i kryebashkiakut të famshëm demokrat Xhelal Mziu i cili është përfshirë ethshëm në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Shtatorit në Bashkinë Dibër. Ai nuk rezulton as të jetë votues në Dibër pasi është votues në qendrën e votimit nr. 2027 në Tiranë që përkon me njësinë bashkiake nr. 11, Laprakë. Bashkim Murati rezulton të mos ketë lidhje gjithashtu me Partinë Socialiste pasi nuk është anëtar. Ndërkaq, nga verifikimet rezulton se Bashkim Murati është votues në qendrën nr. 1928/1 në Tiranë që përkon me njësinë bashkiake Nr. 8. Rrjedhimisht as nuk ka lidhje me votimet për zgjedhjet në Bashkinë Dibër. Më shumë se kaq, ai rezulton të ketë qenë për disa vite rresht doganier në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Personazhi i tretë i përdorur nga Partia Demokratike në aktivitetin e sotëm është Ramazan Kaziu. Gjithashtu as ky nuk rezulton të jetë anëtar i Partisë Socialiste dhe as votues në Bashkinë Dibër.

Reagon shtabi i kandidatit të PS
Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” Muharem Rama përgënjeshtroi lajmin e bërë publik nga Partia Demokratike, për gjoja largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste. Në një deklaratë për mediat, shtabi i kandidatit të majtë e cilëson si të shëmtuar shfaqjen e PD me njerëz të importuar jashtë Dibrës me qëllim për të manipuluar qytetarët. "Shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” z. Muharem Rama përgënjeshtron lajmin e bërë publik nga Partia Demokratike për gjoja largimin e 200 anëtarëve nga strukturat e Partisë Socialiste. Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike dhe e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 Shtatorit. Përdorimi i manovrave të tilla nga Partia Demokratike veçse fyejnë popullin dibran dhe nuk mund të kenë asnjë efekt elektoral. Përkundrazi, edhe fushata elektorale e ka provuar se kandidatura e doktor Muharem Ramës arrin të sigurojë mbështetje nga e majta dhe e djathta. Fakt që do të provohet nga vota e kësaj fundjave. Qytetarët e Dibrës e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre për të votuar masivisht në 11 Shtator për kandidaturën e doktor Muharem Ramës”, thuhet në deklaratën e shtabit të kandidatit të PS.
 
Muharem Rama
“Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike dhe e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 Shtatorit”.
 
Sherefedin Shehu
“Për mua ishte një surprizë që të ndodhesha këtu përpara këtyre përfaqësuesve, këtyre njerëzve që në radhë të parë kanë Dibrën, por natyrisht që kjo përbën një moment të rëndësishëm për këtë fushatë që kemi nisur”.
 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Nadal mundet në finale e Swedish Open

Nadal mundet në finale e Swedish Open