TIRANË- Pasi u kthye nga Brazili, ku u ankua se Evropa nuk e dëgjon kur flet për narko-shtet  në Shqipëri, Sali Berisha i vijoi nga selia blu sulmet ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Deklaratën e Marta Kos, të bërë në mes të Tiranës në kohën kur ai ishte në Brazil, se zgjedhjet e 11 majit ishin të lira, e që u pasua me një seri sulmesh nga përfaqësuesit e PD, Berisha e quajti të frymëzuar nga propaganda e paguar e Edi Ramës.

PD pas deklaratës së Kos bëri një deklaratë në të cilën e dënoi publikisht deklaratën e frymëzuar të Kos nga propaganda e paguar e Ramës, ekstremizmi politik i majtë apo dezinformomi, si një deklaratë që shkelje rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve. PD mbetet e përkushtuar totalisht për procesin e integrimit në BE si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve”, tha Berisha.

Sulmet nuk i ndali vetëm me Kos, por shigjetoi edhe ambasadorin e delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato, duke treguar se përplasja e vërtetë nuk lidhet vetëm me ligjin për barazinë gjinore. Berisha tha se edhe Gonzato frymëzohet nga propaganda e Ramës dhe pretendoi se ndikon tek deputetët e Parlamentit Europian, duke u thënë se Berisha nuk është properëndimor.

“Për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi axhenda e tij është MAGA dhe jo integrimi. Ky është një trillim, një mashtrim, e kam dënuar njëherë dhe e dënoj prapë. PD ka qenë dhe mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit”, tha Berisha.

Aludon se ka shpifur edhe për konsulentin e tij amerikan, Chris LaCivita, të cilit e pagoi 1.4 mln euro për fushatën e zgjedhjeve të 11 majit. Berisha pretendoi se Gonzato qëndron edhe pas një tjetër mashtrimi, se LaCivita do të sjellë çekun 9 mld euro që Shqipëria të shkëputet nga BE.

“Apo pas mashtrimit tjetër se Chris LaCivita ka sjellë këtu çekun 9 miliardë euro në rast se fiton Shqipëria për t’u shkëputur nga BE. Shqiptarët duhet ta dinë se kjo është propagandë e Edi Ramës dhe është përcjellë në të gjitha nivelet në kancelaritë në Bruksel. Këto janë shpifje të turpshme”, tha Berisha.

Berisha ngriti edhe njëherë si triumf, rezolutën e miratuar në San Paolo me propozim të PD nga Unioni i partive të qendrës së djathtë, ku ngrihet shqetësimi mbi lidhjet e politikës me krimin e organizuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:56
Përplasjet për zgjedhjet e 11 majit, PD i paraqet notë-verbale delegacionit të BE për Marta Kos

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në emër të opozitës, i ka paraqitur sot një Notë-Verbale Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke vënë në dijeni edhe Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian, lidhur me deklaratat e Komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit.

Bardhi thekson se po përcjell qëndrimin e opozitës në lidhje me deklaratën e bërë nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë konferencës për shtyp të datës 21 nëntor 2025 në Tiranë, e mbajtur bashkë me Kryeministrin Edi Rama. E pyetur nga media, Komisionerja deklaroi: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian.”.

“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian.”- shkruan Bardhi.

Në letër Gazment Bardhi përvec citimeve të Raportit Final të OSBE-ODIHR, i kujton Delegacionit të Bashkimit Europian edhe mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian më 4 qershor 2025, ku eurodeputeti Michael Gahler, Kryetar i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjevenë Shqipëri, prezantoi raportin e misionit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke evidentuarnjë alarm serioz lidhur me “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që kanë interes të mbajnë pushtetin politik të pandryshuar për të vazhduar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”. Ndër të tjera europarlamentari Gahlertheksoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve jo vetëm që deformon procesin zgjedhor, por përbën edhe një pengesë themelore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj një infiltrimi kaq sistematik kriminal dhe ndikimit të tij shkatërrues mbi demokracinë.

Sipas notës-verbale të opozitës vërejtjet e paraqitura nga OSBE-ODIHR nuk e mbështesin përfundimin se “zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”.

“Ndershmëria kërkon kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit. Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël.” – shkruan Bardhi.

Nota-Verbale e grupit parlamentar të PD, mbyllet duke theksuar se: “Opozita në Shqipëri dëshiron të shprehë rezervat e saj lidhur me komentet e Komisioneres dhe kërkon me respekt që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me vlerësimet e institucioneve kompetente përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve. Përndryshe, interpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike të këtyre institucioneve mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane që institucionet e Bashkimit Evropian synojnë të mbrojnë.”.

Ora 13:22
Berisha sulmon ambasadorin Gonzato: Përçon propagandën e Ramës! Mashtruan se LaCivita do sjellë çekun 9 miliardë euro që Shqipëria të shkëputet nga BE

 

Kreu i PD, Sali Berisha sulmoi në konferencë edhe ambasadorin e delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato. Berisha tha se qëndrime të ngjashme me Kos, e cila tha se zgjedhjet e 11 majit ishin të lira, mban edhe ambasadori Gonzato. Për të shkoi edhe më tej duke thënë se përçon propagandën e Edi Ramës tek deputetët e Parlamentit Europian, duke u thënë sipas tij, se Berisha nuk është properëndimor. Berisha pretendoi se Gonzato qëndron edhe pas një tjetër mashtrimi, se LaCivita do të sjellë çekun 9 mld euro që Shqipëria të shkëputet nga BE.

“Opozita ndodhet para disa sulmeve të targetuara të individëve të caktuar që janë në Komisionin Europian ose që përfaqësojnë në Shqipëri, Bashkimin Europian. Të ngjashme, por jo identike me qëndrimet e zonjës Kos janë qëndrimet e ambasadorit Gonzato, i cili është një përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur.

Lidhur me këtë të fundit, unë u kam informuar ju se ky zotëri, për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi axhenda e tij është MAGA dhe jo integrimi. Ky është një trillim, një mashtrim, e kam dënuar njëherë dhe e dënoj prapë. PD ka qenë dhe mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit. Janë të gjitha integrimet e mëdha të Shqipërisë vepër e kësaj partie.

Kurse sa i përket mashtrimit se ai ka axhendë MAGA-n, MAGA si program i një partie konservatore, ka shtylla e shkëlqyera të mbrojtjes të vlerave që partitë konservatore ndajnë, dhe unë i rikujtoj atij zotërie, se nuk e di ku ka qenë ai 32 vjet më parë kur Sali Berisha ka vendosur në Shqipëri taksën e dytë më të ulët në botë, TVSH-në më të ulët në botë pas një vendi tjetër dhe sistemin fiskal më konservator, më të ulët.

Ka bërë gjithçka për konsolidimin e familjes, ka mbrojtur interesin kombëtar. Pra, në qoftë se ka një konkordancë, ne jemi krenarë për vlerat që mbrojmë dhe nuk mundet kurrë asnjë njeri nga pozitat e ekstremizmit të majtë të bëjë gjah shtrigash kundër programit tonë. Në rast se presidenti Donald Trump këto vlera po i mbron dhe po i konsolidon në SHBA, ky është interesi i mbarë njerëzimit.

Apo pas mashtrimit tjetër se Chris LaCivita ka sjellë këtu çekun 9 miliardë euro në rast se fiton Shqipëria për t’u shkëputur nga BE. Shqiptarët duhet ta dinë se kjo është propagandë e Edi Ramës dhe është përcjellë në të gjitha nivelet në kancelaritë në Bruksel. Këto janë shpifje të turpshme. Do blika mosanëtarësimin, përkundrazi, politika e SHBA ka qenë dhe është që Shqipëria të anëtarësohet në BE. Por i theksova këto sepse janë fakte reale, janë të pamohueshme, Dhe natyrisht në këtë mjedis, zonja Kos mund të bëjë çdo deklaratë, por nuk është e vetme zonja Kos. Jo”, tha Berisha.