'Vendoret'/ Rama në Kavajë: O demokratë është mbytur anija, pala tjetër funksionon si bandë grabitqarësh, kush ia jep votën shkon mbrapa

Nga Kavaja, ku edhe ka zhvilluar një takim me banorë të zonës si dhe ka mbjellë pemë, kryesocialisti Edi Rama bashkë me Erion Veliajn ka çelur fushatën elektorale dhe ka sulmuar dyshen Meta-Berisha.

Për kryeministrin kush voton ata të dy kthehet mbrapa, ndërsa theksoi se PD-së nuk ka krijuar asnjë shembull për asnjë bashki apo fshat pasi nuk dinë që të kujdesen. Kryeministri Rama tha se Kavaja është transformuar tërësisht nga kryebashkiaku Redjan Krali, i cili garon në 14 Maj për një mandat të dytë. 

‘Mu kujtua se si ishte hyrja e Kavajës kur morëm detyrën. Dukej realisht në atë kohë si hyrje në një vatër të dëshpërimit, të harresës, rrënimit. ishte e gjithë Kavaja. I kam para syve pamjet e Kavajës dhe e kam parasysh punën, projektet dhe përpjekjet për të nisur ndryshimin e madh. Këtu në Kavajë, ndryshe nga shumicën e bashkive, na ndodh që ky qytet të kthehet në duart e atyre që në 30 vjet që kur ka zgjedhje, s’kanë mundur të krijojnë një shembull të vetëm se dinë të kujdesen për një bashki, apo fshat.

Më kujtohet kur Kavaja u kthye në duar e tyre të vetmet probleme që kishim me Kavajën nuk ishte se si të bënim një kopsht më shumë, apo si të krijojmë diçka të re, por e kishin mendjen te lejet e dhëna në rërë, në kundërshtim me çdo sens të së bukurës. E vetmja gjë që mbaj mend kur e rimorën Kavajën ishte se si ky qytet të vihej në funksion të një grupi që vepronte si një bandë. Dua t’u them atyre që votojnë për ata. Po mirë mo keni një minimum ndjeshmërie në mos për vete, por për fëmijët tuaj. Ata kur e kishin Kavajën, e kanë degjeneruar. Le të më dalë njëri dhe të më tregojë një bashki dhe të thotë; jo e ke gabim. Shihni Shkodrën. Kush e bëri Shkodrën ashtu? Zoti?! Jo! Historia jo. Shkodrën e bëri ashtu, vetëm ata që ecin mbrapsht. Shkoni kthehuni në shtëpi duke ecur mbrapsh!’- tha Rama.

Rama vlerësoi kandidaturën e PS-së Redjan Krali, për të cilin tha se është një djalë punëtor dhe pa llafe.

‘Kur marr ankesa nga njerëzit unë nuk mërzitem me njerëzit por mërzitem me këta! Si t’ja bëjmë ne tani që më të mirë se Redi nuk kemi këtu. Është djalë punëtorë pa llafe shumë dhe pa hajdutëria! Bashkëpunojmë dhe bëjmë projekte të përbashkëta!’- tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama tashmë nuk duhet ndaluar puna që është nisur dhe demokratëve iu drejtua duke u thënë se “është mbytur anija”.

“Si ta ndalojmë tashi? Për çfarë? Për paratë ruse ta ndalojmë? Se janë llafe, janë llafe, por u bënë si shumë llafe, tani po dalin dhe kontot bankare që po vijnë si ato shishet që sjell deti kur mbytet anija. Se anija është mbytur atje. Vetëm këtu në Kavajë dhe në ca vende të tjera nuk e kanë marrë vesh akoma. O është mbytur anija! O demokratë, është mbytur anija! Ça do bëni tashi? Robinson Kruzo këtu i vetëm?”, u shpreh Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
Veliaj në Rrogozhinë: Saliu e katapultoi kandidatin nga Tirana, kurse Edisoni është çuni juaj

 

Në fjalën e mbajtur përpara banorëve, Erion Veliaj tha se ata që deri dje drejtonin lojërat e fatit të Saliut, po katapultohen në Rrogozhinë se non-gratat nuk gjejnë dot kandidatë as në këtë bashki. 

“Ata që deri dje drejtonin lojërat e fatit të Saliut, katapultohen në Rrogozhinë sepse nuk gjejnë dot kandidatë. I thonë qytetarëve të Rrogozhinës “na e jepni bashkinë, - a thua se është vare, qysqi a shkop bejsbolli, - që t’i biem qeverisë”. Ne ju themi se na duhet bashkia që Edisoni të flasë me kryeministrin Rama, t’ia miratojë projektet, të mbarojë ujësjellësi me ujë 24 orë, siç e ka Rrogozhina dhe pjesa më e madhe e rrethit tonë, dhe të kemi rrugë si Vilë Bashtova, të jetë Spilleja gjithashtu pjesë e vazhdimit të Golemit dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Ndaj, për ne është një privilegj që Edi e fillon fushatën nga qarku ynë, nga dy njësitë që ne i kemi të rëndësishme, për të vazhduar projektet që ne i kemi në mes në Kavajë dhe Rrogozhinë”, u shpreh Veliaj. 

Ai tha se kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, është djalë nga Rrogozhina, që është kthyer për t’i shërbyer qytetit të tij. “Në dallim nga të tjerët që e sjellin kandidatin nga Tirana, me gjendje civile në Kavajë, ne e kemi nga Rrogozhina. Edisoni është çun Rrogozhine; si shumë prej nesh që shkuan jashtë dhe e filluan jetën nga zero, por ja ku është sot, është kthyer çuni juaj, djali juaj, ai që ju shërben përditë, i cili ka akoma fuqi që të shërbejë, të mbajë më shumë peshë dhe me ndihmën e Edi Ramës të vazhdojë ta çojë përpara Rrogozhinën,” shtoi Veliaj.

Ora 13:38
Rama në Rrogozhinë sulmon Metën e Berishën: Ata kanë humbur emrin! Njëri ‘non grata’ për SHBA-në, tjetri për demokratët

 

Nga Rrogozhina kryesocialisti Edi Rama, prezantoi kandidatin e selisë rozë për zgjedhjet e 14 Majit, Edison Memolla. Rama u ndal tek opozita dhe ironizoi duke thënë se kanë humbur emrin.

Sipas Ramës, te koalicioni ‘Meta-Berisha’ nuk e dinë kush është i pari dhe fshihen pas njëri tjetrit pasi nuk kanë emër në fletën e votimit. Rama tha se njëri prej tyre “është ‘non grata’ për Amerikën ndërsa tjetri për demokratët”.

'Pashë fletën e votimit nuk kanë as emër. Nuk e dinë kush është i pari. I fshihen njëri-tjetrit. Nuk venë emrin. Se normalisht aty në fletë, “Bashkë Fitojmë” thotë, po me kë? Se aty thuhet PS me Edi Ramën, Partia Agrare me Gon Dukën, Partia X me Shpëtimin, tjetri me Çlirimin, tjetri me Agimin. Këta jo, s’ka. Vulën kanë kohë që e kanë humbur, problemi është që u ka humbur emri, s’kanë emër. Ça të vejnë? Njëri është “non grata” për Amerikën, tjetri është “non grata” për demokratët. Kështu që si i bëhet me këta? Këta unë them e kanë kollaj. Këta mund ta mbajnë atë. Duan ta mbajnë televizorin tu pa gjithë ditën ata, ta mbajnë. S’ka problem. Nuk na shohin dot ne me sy, e kemi kollaj fare, fike televizorin, ndërro stacion, hajd shnet. Por punën, jepja gamorit, jo hienës. Shiheni gjithë këtë këtu. Sepse përtej shakasë që nuk është në fakt edhe shumë shaka, tani të kesh votën, të jesh prind i këtyre kalamajve dhe të shkosh për të votuar edhe të harrosh që po voton për çerdhen e këtyre, nuk po voton ti për hallin e hienave. Po voton për parkun e këtyre, po voton që kur këta të shkojnë në shkollë të mos jetë me gropa, të mos e kenë ngrënë hienat trotuarin. Po voton që rruga të jetë në rregull, po voton që projektet e turizmit të vijojnë. E të shkosh t’ia çosh votën atyre që nuk i do më asnjë me i pa me sy. Po kur thonë futëm Shqipërinë në NATO, e keni dëgjuar këtë? Jo mër vlla në NATO të fut Amerika nuk të fut dot askush tjetër. Tani Amerika që na futi në NATO ata nuk i do. Jo ska gjë thonë, edhe pa Amerikën. Pse mo kemi luajtur mendsh ne? Le të rrimë pa lulishte, pa ndriçim, pa pastrim, pa çerdhe, pa kopshte, pa Amerikën dhe pastaj mbajmë “non gratën” në krye atje që të flasë budallalliqe', tha Rama.

Ora 12:27
Impiant i ri për futbollin, Rama nga Kavaja: Besa me stadium të ri, ata me 'dy gishta' luajnë në Kategori të Tretë


Kryeministri Edi Rama ka çelur fushatën elektorale për Zgjedhjet Vendore të 14 majit në Kavajë. Mes të tjerash, Rama ka theksuar se janë gati për të ndërtuar stadiumin e ri të Besës, nëse kryebashkiak zgjidhet Redjan Krali, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë. Në takim ishte i pranishëm edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, teksa nuk munguan batutat mes tyre. Kujtojmë se stadiumi "Besa" në Kavajë është jashtë funksionit prej vitesh dhe nuk përdoret për asnjë aktivitet.

"Nëse doni ta ktheni Kavajën pas, do shembim edhe stadiumin se ky është i kategorisë "DS 5". Nëse na jepni mundësinë ta ndërtojmë, do e bëjmë sa të na e jepni. Do nisim menjëherë projektin. Stadiumin e Kavajës mund ta bëjmë', tha fillimisht Edi Rama.

Më pas kryeministri bëri batuta edhe me presidentin e "Klubit të Futbollit Besa", Nexhat Bizhdili.

"Ngaqë ke mbetur 'me dy gishta' keni ngelur në Kategori të Tretë, s’keni turp. Stadiumet në Durrës dhe Korçë do bëhen në bashkëpunim me biznesin. Nëse ju bëheni një grup këtu të jepni kontribut dhe të shfrytëzoni mjediset aty, dyqane, restorante, fitnes, na e lehtëson punën të marrim dhe ne pjesë. Qeveria futet në një pjesë, Federata në një pjesë, ju në një pjesë, pra biznesi, dhe bashkia do të na japë një dorë meqë ka fondet më të mëdha këtu. Thuaji atyre 'me dy gishta' që nëse ja japin votën atyre që duan ta çojnë Shqipërinë si Kavaja në Kategori të Tretë, s’ka stadium", tha Edi Rama.  

Ora 11:54
VIDEO/Rama dhe Veliaj mbjellin pemë me demokratët që refuzuan Berishën në Kavajë

 

Kryeministri Edi Rama dhe drejtuesin politik i qarkut Tiranë, Erion Veliaj ishin sot në Kavajë, në vijim të fushatës zgjedhore për 14 Majin.

Ata u ndalën edhe nga një grup demokratësh, të cilët mbollën pemë për qytetin, por zbuluan se në këto zgjedhje kanë vendosur ta refuzojnë dyshen Berisha-Meta dhe do të mbështesin kandidatin e PS në Kavajë.

Njëri prej tyre deklaroi se ka qenë edhe Kryetar grupseksioni i PD, ndërsa bashkë me miqtë e tij ka qenë anëtar i PD-së prej 25 vitesh. 

Ora 11:53
Rama nga Kavaja ironizon opozitën: S’merren drutë me qen kur ka alamet gomerësh si ne

 

Kryeministri Edi Rama i cili ishte mëngjesin e kësaj të shtune në Kavajë për hapjen e fushatës zgjedhore, nuk i kurseu batutat duke u shpjeguar qytetarëve se pse sipas atij duhet të votojnë kandidatin e Partisë Socialiste.

Rama bëri një krahasim se të zgjidhje opozitën për të zgjidhur problemet e Kavajës ishte si të merrje ngarkesën e druve me qen.

“Të shkosh të ngarkosh dru, të kesh alamet gomerësh si puna jonë e të marrësh qen të ngarkojnë dru, nuk bën vaki. Qeni nuk ngarkon dot dru. Se në vend të ngarkosh dru ha edhe ndonjë kafshim pastaj. Kjo është historia e thjeshtë, kush i ngarkon drutë dhe kush i çon në vend. Për këtë është vota. për këtë i thonë popullit sovran, se sovrani, mbreti merr shërbëtor në punë”,-tha kryeministri Rama.

Ora 11:45
Veliaj nga Kavaja: Medalja jonë e punës, bashkëpunimi me qeverinë

 

Në fjalën e tij drejtuar banorëve të Kavajës, Veliaj tha se Partia Socialiste ka vendosur qytetarët të parët dhe këtë e ka provuar edhe në kohë të vështira kur u përball me fatkeqësi si tërmeti dhe pandemia, duke i kthyer në më shumë mundësi për të investuar dhe transformuar qytetet. 

“Mbaj mend fushatën e 2019, kur shumë njerëz thoshin: ‘kjo është garë e lehtë, nuk ka kundërshtarë, do shkojë gjithçka fjollë’. Qartazi historia na punoi një rreng dhe nuk ishte e lehtë. Askush nuk e kishte menduar se do kishte një tërmet dhe një pandemi, por qartazi Edi Rama na provoi se nuk ka rëndësi si rrëzohemi dhe kush na rrëzon, sepse rëndësi ka si ngrihemi, si punojmë dhe nëse dalim më të fortë, më të bashkuar. Kavaja, Tirana, Shqipëria ka përdorur atë fatkeqësi për ta kthyer në një mundësi, atëherë kjo është medalja jonë e punës, e dashurisë dhe e bashkëpunimit me secilin”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se falë bashkëpunimit në Kavajë sot u rindërtuan 400 apartamente për familjet që humbën shtëpitë në tërmetin e 2019-ës. 

“Ka shumë njerëz që thonë na jepni bashkinë që ta përdorim si instrument për të goditur qeverinë. Kurse ne themi, në Kavajë ia kemi parë hajrin bashkëpunimit me Edi Ramën dhe me qeverinë; sot kemi një ujësjellës në Kavajë; sot kemi një pedonale në Golem; sot kemi 14 shkolla të reja, të cilat nuk do të ishin bërë kurrë vetëm me buxhetin e bashkisë; sot kemi mbi 400 apartamente, që falë ndihmës së Edi Ramës dhe qeverisë arritëm të strehonim të gjithë ata që humbën shtëpitë prej tërmetit. Nëse disa duan të mbjellin sherr dhe helm, ne duam të mbjellim pemë dhe gjelbërim. Ndaj, motra dhe vëllezër, ta vazhdojmë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që kemi nisur me Edi Ramën, i cili e di ekzaktësisht ku janë hallet e një qyteti, ku janë hallet e një komuniteti. Ndaj, mezi pres që nga Kavaja të fillojmë një sprint për të gjitha njësitë e Tiranës dhe të dalim faqebardhë, t’i shpjegojmë secilit që vetëm duke ecur përpara mund ta bëjmë Kavajën zonjë, Tiranën zonjë dhe Shqipëria ta mbajë kokën lart për të gjithë ato punë që kemi bërë bashkë prej dashurisë, ku kemi mbjellë shpresë, bashkëpunim e ku kemi mbjellë gjelbërim” tha Veliaj.

M.Q./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 16/04/2023 02:33

    Xhupi i Rames nga ngjyra dhe forma tamam si sedilje makine! Perpara se te ndertosh stadiumin,pse nuk rihap fabriken e letres qe ka pasur Kavaja,sidomos tani qe doni te hiqni dhe qeset plastike,mund te ndihmonte dhe ne punesimin e vendasve?

    Përgjigju
  • kavajsi: 16/04/2023 00:12

    SHIHENI SE SA MIJERA QYTETAR KAVAJAS KANE DALE PER TE PRITUR RAMEN DHE KRYETARIN QE E FALIMENTOI QYTETIN.

    Përgjigju
  • edi: 16/04/2023 00:05

    Po mire more Rama por ke kaq vjet qe e drejton bashkine e Kavajes qe nga RRoshi e deri tek ky boshi,çfar ke bere per Kavajen,po stadiumin perse nuk e bere,kush te pengoi ? Ti vetem nje pune bere ne Kavaje,prishe dy gishtat,per kete ke "merita".

    Përgjigju
  • David: 15/04/2023 13:55

    Si duket shprehja qe sa me shume rritet "nxe" nuk vlen me trashgimtarin komunisto-enverist Rama. Degradimi moral dhe etik tashme trumpetohet si vlere neper tellallet e tij shterpe.

    Përgjigju
  • Bledi: 15/04/2023 13:05

    Z. Kryeminister keni shume te drejte, por harroni qe keni vendosur nje tufe injorantesh te babzitur qe kerkojne 30% qe drejtojne Bashkine Kavaje. Merru biografine dhe shikoji sa jane te arsimuar, kulturuar apo puntore. Bregdin e shkaterruat me ndertime nuk late nje pishe ne kembe,nje dallendyshe.vetem per leke e %. E per çfare te vish ne Golem, per te degjuar tallava nga mengjesi ne darke? Asnje aktivitet nuk ka. Edhe pse ju kemi votuar, me kete kandidat nuk ju votojme, sepse ju nuk respektoni me shtresen e mesme dhe intelektualet.

    Përgjigju
  • Joni: 15/04/2023 12:46

    opozita vetem e shkaterroi kete popull kur ishte ne pushtet

    Përgjigju
  • Bjordi: 15/04/2023 12:37

    Vetem budallenjte mund te votojne grabitqaret

    Përgjigju
  • titi: 15/04/2023 12:34

    mire ja ka then me saliun mbrapa do kthehesh

    Përgjigju
  • ilir: 15/04/2023 12:29

    Demokratet kane pjerdh me kohe dhe kane deshtuar nga dita ne dite.

    Përgjigju
  • Kavaja: 15/04/2023 12:27

    Nuk drejtohet qyteti Kavajes nga nje tuf injorantesh ne Bashkine e Kavajes o Kryeminister!!! Ca kane bere ata ne Kavaje? A ua di CV atyte qe mendon se do dejtojne? Me vjen per te vjelle nga njerzit qe ke zgjedhjr per Kavajen

    Përgjigju
  • redi: 15/04/2023 12:25

    Ju uroj fitore

    Përgjigju
  • Mondi: 15/04/2023 12:13

    Berisha dhe Meta kane kryer pune me kohe

    Përgjigju
  • Eni: 15/04/2023 11:38

    E dime qe zgjedhja e duhur per 14 maj eshte partia socialiste

    Përgjigju
  • Nori: 15/04/2023 11:37

    Ne jemi vetem per te ecur perpara

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën