TIRANË- Më 25 mars, ditë kur edhe do të mbahet mbledhja tjetër e kryesisë, Partia Socialiste do të zyrtarizojë kandidatët për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj. Kështu bëjnë me dije burime për Report Tv nga mbledhja e kryesisë që u mbajt mëngjesin e sotëm në selinë rozë, e cila zgjati për rreth 1 orë dhe kishte në fokus të diskutimit kandidatët dhe procesin e ardhshëm zgjedhor. 

Duke i konsideruar kundërshtarët si të padenjë, kryesocialisti Edi Rama në fjalën e tij pas përfundimit të mbledhjes, u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet vendore, ndërsa theksoi se politika e ‘gërr-gërrit' është një politikë që duhet t’ja lëmë të shkuarës. Për kryeministrin Edi Rama, prioritet janë qytetarët dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi me to.

‘Mendoj që do fitojmë shumë bindshëm, por për hir të së vërtetës dua të jem i drejtpërdrejtë me ju, fitorja kur ke përballë kundërshtarë të tillë në aspektin aritmetike është minimumi. Duhet të shkojmë përtej fitores aritmetike, të hysh në fushë me kundërshtarë që nuk janë në lartësinë e duhur dhe janë edhe të padenjë për të qenë në fushë, nuk është e vështirë. Çështja është të shkosh përtej, shifrave. Nuk ka fitore që fitohet lehtë, por gjërat nuk janë aq të vështira, por kur duhet të merresh me paga, me investime me ecurinë e shumë gjerave të tjera. Kjo është sfida me të cilat duhet të përqendrohemi. Politikën e ‘Gërr- Gërrit’ duhet tja lëmë të shkuarës.'- tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se shumica e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit janë përzgjedhur.

‘Pak a shumë po. Aty ku faktikisht ka pasur dakordësi dhe ka pasur sinkronizim rreth kandidatëve të caktuar që janë aktualisht kryetarë bashkie, ka vazhduar natyrshëm procesi.’- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se në fokus të qeverisë mbetet rritja e pagave. Sa i takon vendimit të apelit për PD-në, dhe akuzat që u pasuan nga Berisha për të, kreu i qeverisë e cilësoi si politikë ‘gërr-gërresh’ dhe se është e udhës të merren me tema që kanë rëndësi. Më 15 mars është afati i fundit në KQZ për regjistrimin e aleancave dhe 27 mars kandidatëve për këshilla dhe kryetarë bashkish.

Në kuadër të zgjedhjeve vendore, një ditë më parë ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi takime me drejtuesit e partive politike kryesore në vend, PS-së, PD-së dhe PL-së, për figurën e kandidatëve që do të garojnë për kryetar bashkie. Sipas diplomates amerikane, ato e garantuan se kandidatët do të përmbushin kërkesat e ligjit për figura me integritet të pastër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:10
Deklarata e Arben Ahmetajt, Rama: Nëse unë do bëja gjykatësin gjërat do ishin shumë më keq

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka folur për komentin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj që i kërkonte të bënte kryeministrin dhe jo gjykatësin.

“Nëse do kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”, tha Rama.

Në intervistën për mediat që dha më 23 shkurt Ahmetaj duke komentuar deklaratën e Ramës për të, se nëse “akuzat janë të vërteta më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot”, Ahmetaj tha se kryeministri bëri rolin e gjykatësit. Ai u shpreh se “nuk ka nevojë për ndihmë”, teksa Ramës i sugjeroi të bëjë detyrën e Kryeministrit.

Ora 10:02
Apeli lë ‘vulën’ Alibeajt,  Rama reagon për akuzat e Berishës: S’merrem me polemika të politikës së ‘gërr-gërrit’ unë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot i pyetur nga gazetarët lidhur me vendimin e Apelit për PD dhe akuzat që u pasuan nga Berisha për të. Kreu i qeverisë e cilësoi si politikë ‘gërr-gërresh’ dhe se është e udhës të merren me tema që kanë rëndësi.

“Shiko unë e kam thënë dhe e përsëris, nuk kam disponim të merrem me polemika të politikës të gërr gërrit të përditshëm. Nëse kemi kohë dhe energji, le t’i vëmë në shërbim të temave që kanë rëndësi.”- tha Rama

Ora 09:59
Rama: Do bëjmë ligj të ri për profesionet e veçanta, duhen paga të larta konkurruese në treg! Do kemi edhe debat publik me sipërmarrjen private

 

Kryeministri Edi Rama ka folur në përfundim të mbledhjes me kryesinë e PS duke thënë se në fokus të qeverisë mbetet rritja e pagave.

“Kemi diskutuar për listat për këshilltarët dhe nga ana tjetër përtej këtij aspekti është programatik i fushatës, specifikat e zonave të ndryshme si edhe përmbajtja thelbësore në rrafshn kombëtar në një mment kur përtej të gjitha vështirësive që kemi hasur dhe kontekstit aspak të zakonshëm të ekonomisë si rezultat i luftës, shtrëngimreve në mbarë Europën jemi duke ecur mirë, kemi bërë një hap të rëndësishëm me rritjen e pagës për mjekët specialistë që më në fund duke nisur nga muaji prill do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit. Jemi faktikisht barazuar me Serbinë në pagë, jemi mbi Kosovën dhe me një mesatare të lartë. Të gjitha vendet janë pak a shumë rreth të njëjtës pagë.

Po bëjmë ligj të ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta duke nisur nga ato digjitale, në kushtet kur duhet t’i japim shtysë revolucionit digjital, duhet të ofrojmë paga konkurruese në treg ashtu sikundër për të tjera profesione. Procesi i integrimit kërkon rreth 4000 akte nënligjore për BE, edhe për këtë duhet të rrisim pagat deri tek agronomë e të tjerë profesione që do të bëjnë të ketë më shumë interes për profesionistët.

Me ligjin për tatimin mbi të ardhurat personale heqim plotësisht taksën mbi pagën deri në 50 mijë lekë të reja. Me rritjen e pagës minimale do kemi rritje të pagave brenda piramidës, kemi taksën për prodhuesit e energjisë që do ia dedikojmë pensionistëve dhe të gjitha këto së bashku na bëjnë të shohim me optimizëm të nesërmen dhe janë të rëndësishme në këtë moment që të ndahen me njerëzit.

Do të angazhohemi në një debat publik për punonjësit e sipërmarrjes private sepse është themelore për burimet njerëzore e për të pasur njerëzit e duhur. Përndyrhse të gjithë do vuajnë shtrëngimet, nga lodrat dhe truket”, tha Rama.