Kryetarja dhe zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin ftuar për të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet dhe për të ofruar një pasqyrë të veprimtarive më të fundit të organit të administrimit të zgjedhjeve. Pjesëmarrësit i shprehën KQZ-së mbështetje të vijueshme për zbatimin e paanshëm të kornizës zgjedhore.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Eugen Wollfarth, tha: “Është tejet e rëndësishme që të ketë një atmosferë bashkëpunuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë anëtarëve”.
“Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë”, u shpreh më tej ambasadori Wollfarth.
Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet. Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.
Takimi i sotëm i OSBE vjen një ditë pas vizitës së djeshmë në Tiranë të Komisionerit për Zgjerimin e Bashkimit Europian, i cili mbërriti për të diskutuar çfarë duhet bërë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që ato të mos kontestohen.
Ndryshe nga çfarë ishte diskutuar në opinionin publik dhe në media se eruokomisioneri kishte ardhur në Shqipëri për 3 ligjet që kërkojnë 3/5 në Kuvend, dhe ndryshe nga deklaratat që vetë Fyle kishte bërë publike më herët po për rëndësinë e votimit të 3 ligjeve, tashmë me një tjetër fokus, apeli i erupokomisionerit ndaj politikanëve shqiptarë mban vetëm një linjë: Zgjedhjet.
Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike në vend. Kështu mësohet të jetë shprehur dje Fyle gjatë bisedimeve të tij me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha e kreun e PS-së, Rama.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)