KOSOVË - Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë sot, më 30 prill, një takim konsultativ me partitë politike për datën e zgjedhjeve të reja.
Takimi do të mbahet në orën 15:00 dhe janë ftuar të gjitha partitë politike.
Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, konfirmoi për Radio Evropa e Lirë se kreu i partisë, Bedri Hamza, do të marrë pjesë në këtë takim.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë Jehona Lushaku-Sadriu, tha për REL-in zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Ndërkaq, Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Ardian Gjini do të marrë pjesë në takim.
Qëndrimet e përfaqësuesve politikë të komuniteteve joshumicë
Përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu dhe njëkohësisht kanë treguar preferencat e tyre për datën e zgjedhjeve.
Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike i tha REL-it se do të jetë e pranishme në takim.
“Për datën, sipas ligjit 31 maj ose 7 qershor. Njësoj është për ne”, tha ajo.
Edhe kreu i Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, konfirmoi për REL-in se do të marrë pjesë në takim.
“Po, do të marr pjesë sot në takimin te zonja Haxhiu. Për ne, data e zgjedhjeve më e përshtatshme do të ishte diku në shkurt të vitit 2030, por megjithatë e kuptoj se data e vetme e mundshme është 7 qershori”, tha ai.
Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës konfirmoi po ashtu pjesëmarrjen në takim, teksa për datën tha se partia e tij nuk ka preferencë, por “kurdo që është e përshtatshme për organizim”.
Kreu i Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi, tha se data më e përshtatshme “jo vetëm për mua, por edhe për deputetë të tjerë, do të jetë data e fundit e mundshme sipas afateve kushtetuese, që supozohet të jetë 7 qershori”.
Rasim Demiri nga koalicioni Vakat do të jetë i pranishëm në takimin me partitë e tjera politike, tha Bahrim Shabani nga ky koalicion.
“Sa i përket datës së zgjedhjeve, për ne nuk paraqet problem; sa më shpejt që të jetë e mundur, aq më mirë. Konsiderojmë se është humbur kohë e çmuar dhe është në interes të qytetarëve dhe të shtetit që institucionet të formohen sa më parë”, tha Shabani.
Preferencë për datë nuk ka as Artan Asllani nga Partia Socialdemokrate e Ashaklinjve, i cili tha se cilado datë që të vendoset, janë të gatshëm për të garuar në zgjedhje, teksa konfirmoi se ai do të jetë i pranishëm në takimin e sotëm.
Për Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, data më e preferuar është 7 qershori, teksa ai po ashtu konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e 30 prillit.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe te përfaqësuesit politikë të partive të tjera nga komunitetet joshumicë dhe është në pritje të përgjigjeve.
Ky takim zhvillohet pasi më 28 prill, Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e ri të vendit brenda afatit kushtetues të përcaktuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, mbrëmjen e 27 prillit, tërhoqi dy kandidaturat paraprake për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe propozoi dy aktiviste për të drejtat e njeriut, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, për postin e presidentes.
Por, në seancën që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe vazhdoi deri në mesnatën e 28 prillit, partitë opozitare nuk morën pjesë, duke pamundësuar kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi u shpërnda dhe tani Kosova duhet të mbajë zgjedhje brenda 45 ditësh.
Haxhiu ka afat që brenda dhjetë ditësh të caktojë datën e zgjedhjeve. Dy datat për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maji dhe 7 qershori.
Ndërkaq, pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha të mërkurën se ky institucion preferon 7 qershorin si datë të zgjedhjeve, pasi KQZ-së i duhet sa më shumë kohë për të organizuar votimet.
Komente









