Pas dështimit të Kuvendit në mesnatë për zgjedhjen e presidentit të ri, parlamenti është shpërndarë dhe Kosova tashmë do të mbajë të tjera zgjedhje parlamentare brenda 45 ditëve.

Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) Kreshnik Radoniqi, pas një takimi me Albulena Haxhiun, e cila ushtron detyrën e presidentes pas dorëzimit të mandatit nga Vjosa Osmani, ka propozuar si datë për zhvillimin e zgjedhjeve, 7 qershorin.

Është Haxhiu ajo që i mbetet për të dekretuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.

Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë. Seancat kanë dështuar njëra pas tjetrës për mungesë kuorumi ndërsa kandidaturat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë numrin e duhur të votave.

Si propozim nga Lidhja Demokrative e Kosovës, u hodh emri i ish-presidentes Vjosa Osmani, por që nuk u zyrtarizua si kandidaturë pasi nuk mori 30 vota nga parlamentarët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:26
Konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve në Kosovë, Haxhiu dërgon ftesa te partitë politike

1777472849_tfiooo.jpg

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka nisur konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Haxhiu ka nisur me dërgimin e ftesave te partitë politike të Kosovës. Mediat vendase raportojnë se ditën e sotme Haxhiu ka dërguar një ftesë në Partinë Demokratike të Kosovës dhe fton përfaqësuesit e këtij subjekti politik për takim në orën 15:00.

Nuk dihet nëse Haxhiu do t’i takojë veç e veç përfaqësuesit e partive politike apo bashkë. Në bazë të praktikave të kaluara, partitë kanë realizuar takime të ndara gjatë konsultimeve me Kreun e Shtetit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë si rezultat i mos zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Këto zgjedhje do të jenë të tretat në pak më shumë se një vit, pas atyre të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit të 2025.