Analisti Ilir Yzeiri, gjatë intervistës për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, foli edhe për zgjedhjet e mbajtura në 5 bashkitë të dielën. Ai tha se zgjedhjet në vend nuk janë më pjesë e demokracisë dhe nuk i shërbejnë ndërrimit të qeverisë.

“Me keqardhje kam konstatuar që zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më pjesë e demokracisë. Nuk shërbejnë më për të ndërruar qeverinë dhe mbajtur në këmbë sistemin e demokracisë. Që në vitin 1994, pasi projekt kushtetuta u hodh për diskutim nuk e fitoi PD. Pas zgjedhjeve të ’96 kur i manipuloi PD, që nga ajo kohë nuk janë parë si mekanizëm i delegimit të pushtetit nga populli drejt qeverisë. Janë parë si mekanizëm për të mbajtur pushtetin ose për t’u fshehur pas pushtetit. Kjo ka ardhur edhe se ne jemi vend i vogël nuk prodhojmë dot ide si vendet e mëdha. Kemi mbetur peng të dy partive, ku partia e punës u reformua dhe solli PS, dhe fryma e mbledhur pas PD, u rrëmbye nga ish komunisti Sali Berisha dhe sot është katandisur në një çetë që nuk ka të bëjë fare me opozitën.”, u shpreh Yzeiri.

Sipas tij, populli opozitar nuk është i përfaqësuar pasi PD është kthyer në një “çetë” që nuk ka të bëjë me opozitën. Kritik u shpreh edhe ndaj partive të reja që sipas tij janë një “frymë” e Sali Berishës. Për Yzeirin PD nuk ekziston më dhe se gjithçka rrotullohet ndaj disa figurave që i shkojnë pas Sali Berishës.

“Populli opozitar, që është i shumtë në numër, është i papërfaqësuar. Partitë e reja dalin si formacionet ilegale, që i nxjerr e njëjta kuzhinë, që është Sali Berisha, por fatkeqësi është që edhe elitat e shquara që kanë vend në jetën publike shqiptare, dhe fshihen pas Berishës. Mbajnë akoma si idhull të së djathtës ish komunistin agresiv Berisha. PD nuk ekziston, është poshtë në bazë, ti e shikon atë që ndodhi në Vlorë, kryetari i Këshillit Bashkiak i PD doli më vete, ka vetëm disa të deleguar nga qendra që shkojnë atje për të organizuar PD dhe që të votojnë për deputetë këta të deleguarit që janë në lista të sigurta e gjithë lufta bëhet për të mbajtur 35 deputetë të punësuar këtu në Tiranë që nuk kanë për qëllim të organizojnë PD dhe të hapen. Që të dalë një figurë e re duhet të ikë Berisha. Jo Basha ishte gati për të fituar, mori 680 mijë vota dhe e humbi për shkak të aleancës së gabuar me LSI në Berat, që humbi 70 mijë vota. Nuk diti të llogarite mirë lojën e koalicioneve. Nëse PD do të vazhdonte me atë frymë, pas asaj u kantandis në 400 mijë. Sot kemi këtë gjendje të popullit opozitar që është i papërfaqësuar.”, shtoi Yzeiri.

Duke komentuar deklaratën e Berishës për të vijuar me protesta, ai tha se është një retorikë e njohur e tij dhe se nuk do të shërbejnë për asnjë punë.

“ Gjë e njohur, thjesht do të ketë trafik. Do ta vuajnë ata që do të shkojnë në punë dhe asgjë. Do të rrinë dy tre muaj, ditën sikur vuajnë për bukë, natën do t’u çojnë militantët për të ngrëne e pirë. Spektaklët banal që e kemi parë në cilin vend të botës kemi pare që opozita të ngujohet. Çfarë ndodh sot? Mblidhet komisioni për reformën territoriale, opozita nuk merr pjesë. Për çfarë të janë dhënë votat? Duhet të shkosh, denoncon dhe të paralajmërosh këtë popull. Nuk ekziston më PD. Është një çetë që ka mbledhur rreth vetes disa milionerë dhe janë mbledhur aty për të ruajtur pozicionet e tyre.”, u shpreh Yzeiri.


Lajmi kryesor:

Berisha u thirr në SPAK për 21 Janarin, Ilir Yzeiri për Report TV: Akuzat janë të qarta, kryeministria fshiu serverat! SPAK s’do e hetojë çështjen siç duhet