Analisti Ilir Yzeiri komentoi thirrjen e Sali Berishës në SPAK për krimin e 21 Janarit, ku u vranë katër protestues. Në një intervistë për “Live në Shqipëri”, Yzeiri shprehu zhgënjimin për SPAK, teksa tha se po bën një show të shëmtuar, pasi provat janë të qarta dhe nuk duhet ta zvarrisë këtë çështje. Sipas analistit, SPAK u “detyrua” të hapë hetimet për këtë dosje pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
Analisti thotë se SPAK nuk do ta zbardhë këtë çështje. Ai thekson se provat janë të qarta, që kryeministria ka fshirë serverat ndaj nuk ka arsye që hetimet të zvarriten më shumë.
“Në vend që të ishte një ngjarje që do të tërhiqte vëmendje, por mendoj se është një gjë e turpshme sepse kësaj Prokurorie, që merr edhe arreston me letra anonime Veliajn njëriun më të votuar në Shqipëri, ka 14 vjet dhe tani doli frika për ta thirrur Sali Berishën. Sot e bën për shkak se Strasburgu e detyroi SPAK që të hapte hetimet. Nuk kam asnjë shpresë që kjo ngjarje do të zbardhet nga kjo trupë e SPAK. Deri tani shikojeni gjyqin për Gërdecin, spektakël i neveritshëm. Çfarë bëhet me gjyqin e Gërdecit? Çfarë provash, pse media nuk ushqehet nga SPAK me provat që ka në dorë me Gërdecin siç bën fjala vjen me legjendat urbane të zonjës Balluku psh apo Veliajn që iu bëhet gjyqi popullor. Pse SPAK nguron të tregojë a ka prova të reja dhe t’ua japë në mënyrë ilegale siç ka bërë me të tjerët. Ke parë të qarkullojë në media. Sa ka që ka ndodhur Gërdeci?
A i ka marrë parasysh provat e reja? Ia dhanë se s’donte ta merrte, e detyroi Gjykata e Lartë. Nuk kam fare pritshmëri që SPAK mund ta zbardhë 21 janarin. Akuzat janë të qarta, kryeministria ka fshirë serverat, në çfarë vendi të botës ndodh që të qëllohet nga kryeministria drejt protestueve. Përpjekje e turpshme e SPAK për të na bindur ne që filloi të merret me çështjen më të rëndë që ka tranzicioni shqiptar. Pas skemave piramidale, Gërdeci dhe 21 Janari janë ngjarjet më tragjike. Unë dua të di këtë gjë se pse u vranë 4 protestues, kush dha urdhër. Spektakël banal që bën SPAK, ajo ngjarje nuk do të hetohet siç duhet por e vërteta nuk ka për të dalë kurrë. Drejtësi për fat të keq në këtë vend, siç vinte re raporti i BE për SPAK, që thoshte deri tani nuk kemi parë çështje të përfunduara.”, tha Yzeiri.
Berisha do të duhet që të paraqitet në SPAK të premten në orën 10:00 para prokurorit të çështjes, Alfred Shehu. Ish-kryeministri pritet të merret në pyetje si person që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard me plumbat që dolën nga kryeministria.
Fletëthirrja i është dërguar në tre adresa, në banesën në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo është thirrja e dytë që Prokuroria e Posaçme firmos në drejtim të ish Kryeministrit pasi e para, e firmosur më datë 3 nëntor, ishte kthyer mbrapa pa u hapur.
Analisti Ilir Yzeiri, gjatë intervistës për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, foli edhe për zgjedhjet e mbajtura në 5 bashkitë të dielën. Ai tha se zgjedhjet në vend nuk janë më pjesë e demokracisë dhe nuk i shërbejnë ndërrimit të qeverisë.
“Me keqardhje kam konstatuar që zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më pjesë e demokracisë. Nuk shërbejnë më për të ndërruar qeverinë dhe mbajtur në këmbë sistemin e demokracisë. Që në vitin 1994, pasi projekt kushtetuta u hodh për diskutim nuk e fitoi PD. Pas zgjedhjeve të ’96 kur i manipuloi PD, që nga ajo kohë nuk janë parë si mekanizëm i delegimit të pushtetit nga populli drejt qeverisë. Janë parë si mekanizëm për të mbajtur pushtetin ose për t’u fshehur pas pushtetit. Kjo ka ardhur edhe se ne jemi vend i vogël nuk prodhojmë dot ide si vendet e mëdha. Kemi mbetur peng të dy partive, ku partia e punës u reformua dhe solli PS, dhe fryma e mbledhur pas PD, u rrëmbye nga ish komunisti Sali Berisha dhe sot është katandisur në një çetë që nuk ka të bëjë fare me opozitën.”, u shpreh Yzeiri.
Sipas tij, populli opozitar nuk është i përfaqësuar pasi PD është kthyer në një “çetë” që nuk ka të bëjë me opozitën. Kritik u shpreh edhe ndaj partive të reja që sipas tij janë një “frymë” e Sali Berishës. Për Yzeirin PD nuk ekziston më dhe se gjithçka rrotullohet ndaj disa figurave që i shkojnë pas Sali Berishës.
“Populli opozitar, që është i shumtë në numër, është i papërfaqësuar. Partitë e reja dalin si formacionet ilegale, që i nxjerr e njëjta kuzhinë, që është Sali Berisha, por fatkeqësi është që edhe elitat e shquara që kanë vend në jetën publike shqiptare, dhe fshihen pas Berishës. Mbajnë akoma si idhull të së djathtës ish komunistin agresiv Berisha. PD nuk ekziston, është poshtë në bazë, ti e shikon atë që ndodhi në Vlorë, kryetari i Këshillit Bashkiak i PD doli më vete, ka vetëm disa të deleguar nga qendra që shkojnë atje për të organizuar PD dhe që të votojnë për deputetë këta të deleguarit që janë në lista të sigurta e gjithë lufta bëhet për të mbajtur 35 deputetë të punësuar këtu në Tiranë që nuk kanë për qëllim të organizojnë PD dhe të hapen. Që të dalë një figurë e re duhet të ikë Berisha. Jo Basha ishte gati për të fituar, mori 680 mijë vota dhe e humbi për shkak të aleancës së gabuar me LSI në Berat, që humbi 70 mijë vota. Nuk diti të llogarite mirë lojën e koalicioneve. Nëse PD do të vazhdonte me atë frymë, pas asaj u kantandis në 400 mijë. Sot kemi këtë gjendje të popullit opozitar që është i papërfaqësuar.”, shtoi Yzeiri.
Duke komentuar deklaratën e Berishës për të vijuar me protesta, ai tha se është një retorikë e njohur e tij dhe se nuk do të shërbejnë për asnjë punë.
“ Gjë e njohur, thjesht do të ketë trafik. Do ta vuajnë ata që do të shkojnë në punë dhe asgjë. Do të rrinë dy tre muaj, ditën sikur vuajnë për bukë, natën do t’u çojnë militantët për të ngrëne e pirë. Spektaklët banal që e kemi parë në cilin vend të botës kemi pare që opozita të ngujohet. Çfarë ndodh sot? Mblidhet komisioni për reformën territoriale, opozita nuk merr pjesë. Për çfarë të janë dhënë votat? Duhet të shkosh, denoncon dhe të paralajmërosh këtë popull. Nuk ekziston më PD. Është një çetë që ka mbledhur rreth vetes disa milionerë dhe janë mbledhur aty për të ruajtur pozicionet e tyre.”, u shpreh Yzeiri.
Komente













Nji popull ma injorant se Shqipetaret nuk e gjen ne kontinentin e Evropes,si mundesh te mbeshtesish diken qe e shkateroj ate qe ndertoj brezi para neve dhe kjo ndodh ne Shqiperi dhe kjo e ka emrin PD e Shqiperise.
PërgjigjuFix, asnje shprese!
Përgjigju