Mbyllet pa problematika procesi i votimit në bashkinë e Cërrikut. Të tre kandidatët, Eligert Hima i Shqipëria Bëhet, Florenc Doka i Partisë Socialiste dhe kandidati i pavarur, Amarildo Hoxha, i cili ka mbështetjen e PD-së, ushtruan të drejtën e tyre për të votuar ndërsa i bënë thirrje të gjithë qytetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

“Kam një mesazh për banorët e bashkisë Cërrik, të dalin të votojnë sepse vota është i vetmi mjet që mund të bëjmë këtë bashki me punë. I ftoj të votojnë masivisht”, tha Hima.

“I bëj thirrje qytetarëve të Cërrikut të votojnë masivisht, sepse është e drejta e tyre. Kushdo qoftë që të fitojë, uroj t’i shërbejë Cërrikut sepse bashkia nuk është politikë, por shërbim”, tha Amarildo Hoxha.

“I ftoj të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje, ta shfrytëzojnë kohën e mirë për të votuar. Procesi po shkon normal, dhe pastaj të dalin rezultatet dhe t’i rikthehemi normalitetit. Ka një trend në ulje, por shpresojmë që qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje”, tha Doka.

Hima pretendoi se persona të paautorizuar në Cerrik po qëndrojnë jashtë qëndrave të votimit për të intimiduar votuesit.

‘Duhet të largohen të gjithë personat që rrinë përballë qendrave të votimit dhe që nuk kanë asnjë lloj funksioni. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa për të mos intimiduar votuesit, dhe vota duhet të jetë e lirë dhe me dëshirë. Dhe jo me ndërhyrje apo me favore që janë bërë nga drejtorët, nga përgjegjësit apo nga çdo punonjës i administratës. Duam votë të lirë në. Kam bërë një xhiro personalisht sot në qendrat e votimit, dhe në çdo hyrje të qendrave të votimit kam konstatuar se kanë qenë persona që nuk kanë asnjë lloj funksioni, që rrinë dhe intimidojnë votuesit", tha ai. 

Por, ku pretendim u përgënjeshtrua nga Policia e Shtetit, e cila thotë se nuk është konstatuar asnjë problematikë.

“Në lidhje me pretendimet e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.

Nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut. Gjithashtu, nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë”, njoftoi Policia.

Ndërkohë, Shqipëria Bëhet raportoi për votim familjar në qendrën e votimit në Selvias. Kryetari i Komisionit tha për Report TV se gruaja në pamundësi të votuar, ka thirrur bashkëshortin te kutia dhe në atë moment vëzhguesi e ka fotografuar. Rasti u referua në KQZ dhe KZAZ. Por pavarësisht pretendimit të vëzhguesit së Nismës Shqipëria Bëhet, votimi nuk u ndërpre.

Cërriku shkoi në zgjedhje pasi Andis Salla u zgjodh ministër i Bujqësisë. Në këtë bashki ishin 57 qendra votimi ndërsa të drejtën e votës e kishin 38.724 zgjedhës.

Historiku i zgjedhjeve në Cërrik:
2015-2019        Altin Toska (LSI) nga ASHE në Koalicion me PS, zgjedhjet e para me ndarjen e re administrative.
2019-2023        Andis Salla (PS), në zgjedhjet pa opozitën
14 Maj 2023     Andis Salla (PS) (Sot ministër i kabinetit Rama 4)


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet në 5 bashki, shqiptarët braktisin procesin! Pjesëmarrja në minimumin historik, votuan 18.45% e zgjedhësve