Nisën dhe po mbyllën si procesi zgjedhor më pa interes ndonjëherë në Shqipëri, por vendoret e këtij 9 nëntori një rekord e arritën, teksa rezultuan zgjedhjet me pjesëmarrjen më të ulët historike në vend.
Sipas shifrave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më pak se 18.5% e votuesve i janë thirrur apelit për të zgjedhur kryetarët e bashkive më Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, një përqindje shumë e vogël edhe se pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të vitit 2019, kur nuk kishte garë, pasi opozita kishte bojkotuar.
Bashkia e Vlorës, me mbi 177 mijë votuesit në lista, përbënte më shumë se gjysmën e votuesve të të pesta bashkive, por vetëm 12.5% e vlonjatëve u paraqitën para kutive të votimit, duke shënuar një rekord më vetë.
Pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e ulët edhe në Bashkinë e Beratit, e dyta më e madhe nga 5 që zgjedhin kryebashkiakët e rinj. As 20% e beratasve kanë marrë pjesë në votimet e kësaj të diele, edhe këtu më pak se rekordi i vitit 2019, kur morën pjesë 22%.
Në Cërrik pjesëmarrja është 24.8%, ndërsa të vetmet bashki ku pjesëmarrja e ka kaluar 1/3 e votuesve janë Tepelena dhe Mati, respektivisht 34.6% dhe 39.2% e votuesve.
Ironikisht mund të thuhet se këto zgjedhje u “shpëtuan” prej pensionistëve. Në të pesta bashkitë grupmosha që ka pasur përqindjen më të madhe në pjesëmarrje është ajo mbi 65 vjeç, ndërsa mbi 55-vjeçarët përbëjnë më shumë se gjysmën e atyre që kanë votuar këtë 9 nëntor.
Shifër për t’u veçuar sërish në Vlorë, ku mbi 80% e pensionistëve kanë votuar ndërsa mes 18-24 vjeçarëve kanë marrë pjesë më pak se 8% e tyre.
Ndryshe nga ky 18-vjeçar, të rinjtë janë grumpmosha me pjesëmarrjen më të ulët në të pesta bashkitë. Përveç Vlorës edhe në Berat 18-24 vjeçarët janë më indiferentët, ndërsa në Mat, Cërrik dhe Tepelenë përqindja më e vogël regjistrohet nga 25-34 vjeçarët.
Zakonisht në zgjedhje të pjesshme pjesëmarrja është më e ulët, por fushata inekzistente e këtyre votimeve, apatia e partive politike dhe kandidatëve por edhe fakti që opozita zgjodhi të fshihej pas të pavarurve duke mos pasur kandidat të sajit të deklaruar e ka shtuar mosinteresimin.
Për Celibashin vendosja e një dyshemeje pjesëmarrjeje që zgjedhjet të konsiderohen legjitime është çështje e politikës, por për të edhe bojkoti është shprehje vullneti.
“Ka vende që e kanë, ka vende që nuk e kanë. Nëse 12% në Vlorë kanë dashur të merrnin pjesë ky është vullneti i tyre. Kjo nuk i bën zgjedhjet ilegjitime në mënyrë absolute”, tha Celibashi.
Kryebashkiakët e zgjedhur këtë të diel do të kenë një mandat të kufizuar deri në zgjedhjet vendore të pranverës 2027-s.
Procesi i votimit
Procesi i votimit ishte i qetë, me probleme sporadike. Vetëm 19% e qendrave u hapën me pak vonesë, ndërsa në 3 QV pati probleme me mungesën e komisionerëve të PD, por situata u zgjidh. Në të gjitha qendrat u aplikua identifikimi elektronik.
Në Mat, deputetja e PD, Denisa Vata hodhi akuza se po intimidoheshin zgjedhësit, por kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se u bënë të gjitha verifikimet dhe ka rezultuar se nuk ka pasur as pretendime nga partitë për shkelje. Edhe në Cërrik, Policia e Shtetit përgënjeshtroi pretendimet e kandidatit të Shqipëria Bëhet, Eligert Hima se po intimidohen zgjedhësit.
Në këto zgjedhje, PD e Berishës dhe aleatët nuk kanë kandidatë të regjistruar në siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur, të cilët do të jenë përballë 5 socialistëve por edhe disa emrave të tjera.
Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.
Kandidati i pavarur Gjergj Nika, pas mbylljes së procesit të votimit, u shpreh me tone kritike ndaj të dy forcave kryesore politike në Vlorë.
“Sot politika në Vlorë ka rënë, si nga PS ashtu edhe nga PD. Qytetarët kanë bojkotuar PS për keqmenaxhimin e qytetit dhe keqqeverisjen e bashkisë, që në dy vite prodhoi tre kryetarë. Kanë bojkotuar edhe PD për vendimet e gabuara,” tha Nika.
Sipas tij, rezultati i ulët i pjesëmarrjes është tregues i qartë i humbjes së besimit ndaj klasës politike:
“Sot, nëse opozita do të ishte e bashkuar, PS do të ishte thyer. U mbars mali dhe polli një mi – kjo është ajo që prodhuan qytetarët e Vlorës,” u shpreh ai me ironi.
Duke theksuar pjesëmarrjen e ulët, Nika shtoi:
“Nuk qeveriset Vlora me 7% të votave. Këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës, se përqindja nuk do të shkonte më shumë se 15%. Qytetarët sot folën — Vlora sot prodhoi politikë.”
Edhe në bashkinë e Beratit është mbyllur procesi i votimit. Qytetarët zgjodhën mes kandidatit të Partisë Socialiste Ervin Ceca dhe kandidatit të pavarur Pavlo Shkarpa, i cili ka mbështetjen e Partisë Demokratike. Në këtë bashki ishin 116 Qendra Votimi dhe 79.323 qytetarë me të drejtë vote. Të drejtën për të votuar e ushtruan dhe dy kandidatët.
Ceca në një prononcim për media i bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen të këtij procesi. Jam i bindur që do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Besoj që do të jemi në të njëjtat shifra në të njëjtat situatë”, tha Ceca.
Berati shkoi në zgjedhje të pjesshme pasi Ervin Demo u zgjodh deputet, ndërsa për të marrë drejtimin e Bashkisë janë në garë Ervin Ceca (PS) dhe Pavlo Shkarpa (i pavarur, i mbështetur nga PD). Berati është një bashki që tradicionalisht është udhëhequr nga socialistët dhe prej 2019-ës në krye të saj qëndronte Demo.
Edhe në Bashkinë e Vlorës procesi i votimit u mbyll pa probleme. Në nisje të këtij procesi pati problematika të vogla pasi në disa QV komisionerët e PD shkuan me vonesë. 3 kandidatët: Brunilda Mersini (PS), Dionis Sota i pavarur, i mbështetur nga PD, Gjergji Nika i pavarur, pasi hodhën votën e tyre në kutitë e votimit, u bënë thirrje qytetarëve që të votojnë.
“Kam programin më të mirë, dhe jam një djalë që jam lindur e rritur në këtë lagje dhe jam një djalë jo vetëm që e dua me shpirt, por e kam marrë aromën e këtij qyteti qëkur kam lindur. Jam idealist i vërtetë dhe këtë e them me shpirt”, tha Sota.
“Është një ditë e shënuar jo vetëm për mua që kandidatoj si e para grua në siglën e PS, një grua që ndjek ritmin e qytetit që njeh njerëzit e qytetit dhe ka përkushtimin ndaj njerëzve.
Gjergji Nika denoncoi sipas tij patronazhistët që po detyrojnë punonjësit e administratës së Vlorës për të dalë dhe për të votuar.
“Kam informacionet e mija që patronazhistët pas orës 1 ore 2, që po patronazhojnë votën nëpërmjet punësimit, duan që t’i nxjerrin ata të administratës për të votuar me dhunë psikologjike. Unë kam hyrë për të fituar, pavarësisht presioneve politike. Presionet kanë ardhur nga të dyja palët”, tha Gjergji Nika.
Ishin 231 Qendra Votimi dhe 171.895 zgjedhës në qytetin e Vlorës. Vlora është bastion i majtë dhe në këtë bashki opozita nuk numëron asnjë fitore. Vlorë shkoi në zgjedhje pas dorëheqjes së Ermal Dredhës pas kritikave të Ramës.
Mbyllet votimi edhe në bashkinë e Matit. 26700 qytetarë votuan sot për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë. Gara u zhvillua mes 3 kandidatëve, Altin Bojni i Partië Socialiste, Eduart Brahilika kandidat i pavarur, por i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Suzana Pasha, kandidate e pavarur e shkëputur nga strukturat e PS.
Të tre kandidatët pas ushtrimit të së drejtës për të votuar, iu bënë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në proces.
“Sot është një ditë e rëndësishme. Është dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni të gjithë në votime me qetësi dhe me dinjitet”, tha Bojni.
“Mesazhi im është për një ndryshim të mënyrës sesi është qeverisur bashkia e Matit. Dilni nga shtëpia dhe votoni për ndryshimin. Shqipëria po tkurret çdo ditë, po braktiset çdo ditë. Nuk është faji im si kandidat sot për është faji i një keqqeverisje 13 vjeçare. Në këtë garë kam marrë të gjitha masat që qytetarët e Matit të votojnë të lirë. Komisionerë në qendra votimi dhe punonjës të administratës janë gjithmonë problem. Edhe unë kam qenë prezent dhe kam konstatuar. Unë kam indicie dhe tani të shohim”, tha Brahilika.
“U kam kërkuar mbështetjen derë për derë, jam krejt e qetë, vota është e lirë. E shoh që procesi është i qetë, i lirë. Mendoj të jetë dhe i barabartë. U bëftë më e mira, fitoftë më i miri. Unë në këtë fushatë kam qenë pothuajse e vetme. Probleme kam hasur, por lej organet ligjzbatuese të përgjigjen.
Jo nuk ka pasur kërcënime. Zgjidhja ime ka qenë e lirë dhe prandaj jam kandidate e lirë. Unë do të vijoj të jem socialiste se është partia ime e zemrës. Ata menduan që të ishte ajo zgjedhje, unë mendova që duhet të isha unë zgjedhja dhe prandaj kandidova si e lirë” ,tha Pasha.
Edhe në Mat, Agron Malaj u zgjodh deputet, duke i lënë garën për drejtimin e bashkisë 3 kandidatëve: Altin Bojni (PS) Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha E pavarur, e shkëputur nga PS.
Edhe në Bashkinë e Tepelenës, procesi i votimit është mbyllur pa probleme. Vetëm në nisje të procesit, disa qendra votimi u hapën me vonesë për shkak të mungesës së komisionerëve të PD. Dy kandidatët për drejtimin e kësaj bashkie, Gramoz Sako i PS dhe Gabriel Guma, i pavarur që mbështet nga PD, votuan dhe u bënë thirrje qytetarëve që të shprehin vullnetin e tyre.
Një detaj që ra në sy ishte mënyra e votimit të 26-vjeçarit Guma, i cili u pa në qendrën e votimit bashkë me bashkëshorten dhe bebin në krah.
“I bëj thirrje të gjithë tepelenasve që të dalin të votojnë masivisht. Të dalin dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur”, tha Guma.
“U bëj thirrje banorëve të dalin masivisht në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Sako.
Në Tepelenë ishin 21 Qendra Votimi dhe rreth 12 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kjo bashki shkoi në zgjedhje të pjesshme, pasi Tërmet Peçi u zgjodh deputet.
Prej vitit 2011, Tepelena drejtohej nga Tërmet Peçi dhe e vetmja fitore e PD në këtë ka qenë në vitin 2007 me kandidatin Sevo Miçi.
Mbyllet pa problematika procesi i votimit në bashkinë e Cërrikut. Të tre kandidatët, Eligert Hima i Shqipëria Bëhet, Florenc Doka i Partisë Socialiste dhe kandidati i pavarur, Amarildo Hoxha, i cili ka mbështetjen e PD-së, ushtruan të drejtën e tyre për të votuar ndërsa i bënë thirrje të gjithë qytetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Kam një mesazh për banorët e bashkisë Cërrik, të dalin të votojnë sepse vota është i vetmi mjet që mund të bëjmë këtë bashki me punë. I ftoj të votojnë masivisht”, tha Hima.
“I bëj thirrje qytetarëve të Cërrikut të votojnë masivisht, sepse është e drejta e tyre. Kushdo qoftë që të fitojë, uroj t’i shërbejë Cërrikut sepse bashkia nuk është politikë, por shërbim”, tha Amarildo Hoxha.
“I ftoj të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje, ta shfrytëzojnë kohën e mirë për të votuar. Procesi po shkon normal, dhe pastaj të dalin rezultatet dhe t’i rikthehemi normalitetit. Ka një trend në ulje, por shpresojmë që qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje”, tha Doka.
Hima pretendoi se persona të paautorizuar në Cerrik po qëndrojnë jashtë qëndrave të votimit për të intimiduar votuesit.
‘Duhet të largohen të gjithë personat që rrinë përballë qendrave të votimit dhe që nuk kanë asnjë lloj funksioni. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa për të mos intimiduar votuesit, dhe vota duhet të jetë e lirë dhe me dëshirë. Dhe jo me ndërhyrje apo me favore që janë bërë nga drejtorët, nga përgjegjësit apo nga çdo punonjës i administratës. Duam votë të lirë në. Kam bërë një xhiro personalisht sot në qendrat e votimit, dhe në çdo hyrje të qendrave të votimit kam konstatuar se kanë qenë persona që nuk kanë asnjë lloj funksioni, që rrinë dhe intimidojnë votuesit", tha ai.
Por, ku pretendim u përgënjeshtrua nga Policia e Shtetit, e cila thotë se nuk është konstatuar asnjë problematikë.
“Në lidhje me pretendimet e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut. Gjithashtu, nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë”, njoftoi Policia.
Ndërkohë, Shqipëria Bëhet raportoi për votim familjar në qendrën e votimit në Selvias. Kryetari i Komisionit tha për Report TV se gruaja në pamundësi të votuar, ka thirrur bashkëshortin te kutia dhe në atë moment vëzhguesi e ka fotografuar. Rasti u referua në KQZ dhe KZAZ. Por pavarësisht pretendimit të vëzhguesit së Nismës Shqipëria Bëhet, votimi nuk u ndërpre.
Cërriku shkoi në zgjedhje pasi Andis Salla u zgjodh ministër i Bujqësisë. Në këtë bashki ishin 57 qendra votimi ndërsa të drejtën e votës e kishin 38.724 zgjedhës.
Teksa kanë mbetur edhe dy orë nga përfundimi i orarit zyrtarë të procesit të votimit në 5 bashki në vend, në Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik dhe Vlorë, pjesëmarrja deri më tani është e ulët.
Moti me shi dhe temperaturat e ulëta, duket se ka ndikuar në mospjesmarrjen e votuesve në këto zgjedhje.
Tepelena dhe Vlora ku janë duke u mbajtur zgjedhjet janë përfshirë, pasditen e sotme nga rebeshe shiu duke vështirësuar edhe qarkullimin e mjeteve në rrugët e qytetit dhe duke bërë që votuesit të mos dalin për të votuar.
Ndërkohë, drejtuesja politike e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, ka bërë një deklaratë për mediat ku ka folur lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme që po mbahen në 5 bashki.
Në një prononcim për mediat Kumbaro tha se deri më tani në Tepelenë ka patur pjesëmarrje të kënaqshme dhe më të mirë krahasuar me të njëjtin orar të zgjedhjeve të majit me 3110 votues deri tani.
Ajo theksoi se moti me shi është pengesë për qytetarët, pasi vështirëson lëvizjen e tyre.
"Çdo gjë ka rrjedhur normalisht, nuk kemi pasur probleme. Le të themi se duke pasur parasysh edhe kohën, që për ne shiu është bereqet, por ndoshta e vështirëson pak lëvizjen e njerëzve. Ecuria e pjesëmarrjes ka qenë mjaft e mirë krahasuar me të njëjtin orar në të njëjtën kohë me zgjedhjet e 11 majit 2025 apo zgjedhjet e tjera vendore të 2023.", tha Kumbaro.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore është e ulët. Sipas të dhënave të raportuara nga KQZ, deri në orën 18:00 votuan 18.45% e zgjedhësve ose 50 469 qytetarë. Mati është bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes me 39.36% të zgjedhësve, ndërsa Vlora është bashkia me numrin më të ulët, ku kanë votuar vetëm 12.54% e zgjedhësve.
Mati ndiqet nga Tepelena ku kanë votuar 34.63% e zgjedhësve, ndërsa në Cërrik pjesëmarrja është 25%, në Berat 19.98%.
Nga të dhënat e ndara nga KQZ, pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë marrë pjesë në votim i përkasin grumpmoshës plus 65. Vihet re një interes i ulët i të rinjve për të votuar.

Në 5 bashki të vendit po mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore. Teksa procesi i votimit vijon pa probleme, disa qytetarë shprehen skeptikë për këto zgjedhje.
Madje disa prej tyre thonë për mikrofonin e Report Tv që nuk do të votojnë. Më të zhgënjyerit duken vlonjatët, që kanë edhe pjesëmarrjen më të ulët në votime.
"S’kam votuar, pse do të votoj. Kam 30 vjet që votoj dhe asnjë përfitim nuk kam. Fitimi është që ne të votojmë për pushtetin popullor edhe ai të na shërbejë. Kam punuar 36 vite në kohën e Enverit dhe marr 180 mijë lekë të vjetra pension. A mund të jetoj me kaq që paguaj ujë, drita, ilaçe. Pse duhet t’i kërkoj lekë fëmijëve kur unë kam punuar dhe nuk ushqej dot veten time”, tha i moshuari për Report Tv.
"Jo, nuk kam votuar. Edhe të votoj edhe jo ata i vjedhin votat. Vlora ka shumë probleme. Unë kërkoj që pensionet të ngrihen", tha një e moshuar.
"S’ka interes për votim. Vlorës i duhet një dorë e fortë, këta punojnë për vete. Vlora ka shumë mangësi", u shpreh një qytetar.
"S’kam votuar akoma. Qyteti ka shumë probleme, duke filluar që nga pastrimi", tha një tjetër.
Qytetarët e Beratit problemet që listojnë nisin nga transporti publik dhe papunësia.
“Të punojnë më shumë, sa ka punuar ai i pari. Kërkesat tona janë te pensionistët, te pronat”, tha një qytetar.
“As dua ta di fare, vetëm do të votoj”, u shpreh një tjetër.
"Rrjeti urban (autobusët) duhet të jenë më të shpeshtë, sidomos gjatë pasdites”, tha qytetari.
“Transporti urban është shumë i keq, duhet të presim 1 orë. Shpresoj të bëhet me mira”, tha një qytetare.
Ndërkohë të tjerët thonë se për të rinjtë nuk ka punë, teksa vënë në dukje edhe ankesat veçanërisht nga turistët për pastërtinë.
“Ka nevojë për punë, shumë të rinj janë pa punë”, u shpreh qytetarja.
“Të dy këta kandidatë janë kot fare, nuk lëvizim nga komunizmi ne”, tha një qytetar.
“Jo se po votojmë, dhe do kemi ndonjë ndryshim. Nuk ka ndonjë dritë jeshile, çdo turist që vjen ankohet për pastërtinë”, u shpreh një tjetër.
Edhe banorët e Matit shprehen po ashtu të zhgënyjer dhe të pakënaqur. Madje ata i cilësojnë zgjedhjet 'koti' dhe nuk kanë asnjë shpresë për ndonjë përmirësim.
"S' kam votuar, krejt janë hajdutë, nuk kam asnjë shpresë, ata janë misionar për ta shkatërruar vendin", tha një qytetar.
"Mati ka nevojë për punë", tha një tjetër.
"Janë zgjedhje koti, për çdo vit duke votuar dhe ne duke u shkatërruar. Me 160 mijë lekë në muaj për çfarë të votoj. Nuk pres asnjë gjë, e kam humbur shpresën", u shpreh një pensionist.

Në bashkinë e Tepelenës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të testojë për herë të parë inteligjencën Artificiale. Rezultati, do të transmetohet live në KQZ. Në përfundim, do të ballafaqohen rezultatet me numërimin manual të komisionerëve, përsakohë kemi të bëjmë me testim të këtij procesi. Pra numërimi me inteligjencë artificiale nuk e zëvendëson atë manual.
Me vendim të KQZ, është caktuar për pilotimin e kësaj forme të automatizuar numërimi, KZAZ numër 80 në Bashkinë e Tepelenës. Kamerat me rezolucion të lartë të vendosura mbi tavolinat e numërimit të votave në këtë KZAZ, detektojnë të dhënat nga faqja e parë dhe e pasme e fletës së votimit. Aplikacioni i bën fotografim fletës që shfaqet në ekran, e ruan në server që ka akses vetëm stafi teknik i KQZ, dhe më tej aty verifikohen së pari nëse fleta ka elementët e sigurisë, siç është vula. Aty identifikohet edhe nëse ka shënime të tjera në fletën e votimit, që mund ta bënte atë të pavlefshme.
“Ky proces mundësohet nga dy modele të avancuara dhe të trajnuara të inteligjencës artificiale, të cikat përpunojnë në mënyrë të koordinuar për të garantuar saktësi, integritet dhe efikasitet maksimal gjatë numërimit”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Rezultatet e procesit të numërimit të fletëve të votimit me asistencën e inteligjencës artificiale do të publikohen në kohë reale, pas përfundimit të numërimit të çdo kuti votimi.
Sqarime për këtë proces, dha edhe në një konferencë për mediat, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tepelenës, Gabriel Guma u shoqërua sot nga bashkëshortja e tij për të votuar ndërsa në kahë mbante dhe djalin e vogël.
Teksa po kryente të gjitha procedurat, nga verfikimi i identitetit e deri tek marrja e fletës së votimit, Guma u komplimentua dhe nga një anëtare e komisionit, e cila i tha: Kryetar më të bukur nuk kemi parë ndonjëherë.
Disa përfaqësues politikë, por edhe kandidatë në zgjedhjet e pjesshme vendore, thyhen heshtjen zgjedhore, duke u folur qytetarëve teksa votimi ishte ende i hapur, për programet e tyre, një orientim ky që i ndikon në votë.
Kandidati i pavarur i Beratit, Pavlo Shkarpa, i cili në këto vendore të pjesshme ka mbështetjen e Partisë Demokratike, ka thyer heshtjen zgjedhore duke bërë fushatë.
Pasi ka hedhur votën në kuti, Shkarpa në një prononcim për media, ka folur mbi planet e tij për qytetin, duke u kërkuar qytetarëve votën për veten e tij, duke thënë se ka projektin më të mirë për beratin.
“Dua ta projektoj te ardhmen e këtij qyteti. Unë luftën e kam me shtetin, ne jetojmë ne diktature, edhe pse thuhet qe jetojmë ne demokraci.
Berati është i yni, ne kemi nevoje për këtë qytet, Berati s’ka nevoje për ne. Berati sot duhet te zgjedhe njeriun me te mire.
Unë kam projekte te mëdha për këtë qytet se kam dëshirë ta ndryshoj. Këta janë bere te pasur me taksat e qytetareve. Po e mora unë bashkinë bashkia do jete e popullit te thjeshte”, tha Shkarpa.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe Dionis Sota, kandidati i pavarur në Vlorë. Sota për mediat tha se ka programin më të mirë për Vlorës dhe se e meriton fitoren për t’i rikthyer dinjitetin qytetit.
“Kam programin më të mirë, dhe jam një djalë që jam lindur e rritur në këtë lagje dhe jam një djalë jo vetëm që e dua me shpirt, por e kam marrë aromën e këtij qyteti qëkur kam lindur. Jam idealist i vërtetë dhe këtë e them me shpirt”, tha Sota.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, tërhoqi vëmendjen ndaj tyre duke i cituar Kodin Zgjedhor, se e vetmja thirrje që lejohet, është ajo për të ftuar qytetarët më votime.
Procesi i votimit për vendoret e pjesshme të 9 nëntorit ka filluar që në orën 7 në 473 qendrat e votimit, sipas orarit zyrtar, ndërsa votimi pritet të mbyllet në orën 18:00.
Në shumë prej qendrave të votimit ka pasur gabim në printimin e materialeve ku afishohet orari i votimit, ku është shkruar se procesi përfundon në orën 19:00, ndërkohë që me ligj kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetor deri më 15 nëntor, qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 18:00.
Prej ditës së djeshme në qendrat e votimit është shpërndarë materiali nga KQZ ku KZAZ janë njoftuar për orarin zyrtar.

Në Vlorë, gara është mes Bruna Mersinit të PS, Dionis Sotës që mbështetet nga PD dhe Gjergj Nikës, rebelit të pavarur që doli po nga radhët e demokratëve por nuk mbështet prej tyre. Në këtë bashki janë thirrur për të votuar 171 895 qytetarë.
3 kandidatë edhe në Cërrik e Mat. Florenc Doka i PS, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut garon përballë dy emrave nga opozita. Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet. 38 724 është numri i qytetarëve me të drejtë vote.
Në Mat demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur. Numri i votuesve shkon në 29 092 qytetarë.
Në Berat, gara është mes Ervin Ceca dhe Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar. Kjo bashki, numëron 82 161 zgjedhës.
Përballë ish kreut të Gardës Gramoz Sakos, në Tepelenë kandidon i mbështeturi nga Partia Demokratike Gabriel Guma. Aty, kanë të drejtë vote 12 667 votues.
Të pesta bashkitë që i drejtohen zgjedhjeve të 9 nëntorit janë fituar nga socialistët në zgjedhjet e kaluara lokale.
Komente













Shqiperia zgjedhje te pjeseshme,Kosova zgjedhje balotazhi,le te themi se ngjajne me tonat.E rrumbullakosur pjesemarrja ne Kosove, me gjithe problemet qe kane,me gjithe problemet per konstituimin e Kuvendit,qeverise,me gjithe sherret pozite,opozite eshte te 32 %,ne Shqiperi,me te gjitha problemet,skandalet,sherret partiake,pjesemarrja 18 %!! Teper e trishte!
PërgjigjuPolitika ne Shqiperi ka prekur fundin.
PërgjigjuPra nëse dikush merr 60% e ka votuar 10% e qytetit, tmerr.
PërgjigjuZgjedhje europiane pra si do hyjm ne be ja me keto lloj zgjedhje do prishim e ca lokale e ndertime qe i lejuam vet edhe direkt antare te bashkimit evropian