PS ka ndryshuar qëndrim krahasuar me para një viti, ka dhënë konsensus për ligjet me 3/5, kuptohet duke i diskutuar e amenduar nen për nen. Strategji e PS, presion ndërkombëtar apo po ndjen "erën" e pushtetit në zgjedhjet e 2013?
Politika, është ajo fushë sociale ku marrëdhëniet dy apo shumë-palëshe, dialogu, urat e komunikimit, marrëveshjet, gjetjet e zgjidhjeve optimale të përbashkëta pse jo edhe nëpërmjet debatit të fortë, krahasimi e përballja e projekteve e vizionit të kahjeve të ndryshme politike, sjellin tek një objektiv i vetëm, që sipas meje është: Rritja e mirëqenies e cilësisë së jetës së çdo qytetari. Por në momentin kur një forcë politike i përdor të gjitha këto forma dhe nga ana tjetër gjen një mur i cili as nuk flet e as nuk reflekton, por është vetëm i shurdhët, opak dhe refraktar, kjo të detyron të sillesh ndryshe. E rëndësishme është të kuptohet se qëndrimi ynë ka qenë pasoja dhe jo shkaku. Ky qëndrim nuk ka pasur aspak të bëjë me pengimin e përmbushjes së detyrave që Shqipërisë i dalin përgjatë procesit të integrimit. Dua të them, që në fillim, se miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar është një pjesë e vogël e detyrimit të paplotësuar të qeverisë shqiptare në këtë proces.
Shqipëria dhe këtë radhë duket ka dështuar për statusin e vendit kandidat, ndërsa qeveria gjendet nën goditjen e ndërkombëtarëve. Sa është pesha e fajit nga opozita për integrimin?
Kryeministri e pozita qeverisëse janë munduar shumë të fajësojnë opozitën për mossuksesin e tyre. Fshehja mbas gishtit i ka bërë ata të pabesueshëm si në sytë e publikut shqiptar ashtu edhe përballë ndërkombëtarëve. Ne i kemi bërë më së miri detyrat tona si opozitë, që gjithsesi nuk kanë qenë vendimtare krahasuar me çfarë ka pasur për detyrë qeveria të bëjë. Por këtu ka një problem. Kjo qeveri nuk ka mundur t'i plotësojë kërkesat e vendosura nga BE pasi është një shtet i kapur, i korruptuar dhe për pasojë i pamundur të çonte në tryezën europiane plotësimin të paktën e 12 pikave. Ndaj ka tentuar në çdo rast të gjejë një "casus belli": Opozitën. Sot nuk ka as naïvë as të paditur. Gjithkush kupton se detyrat kanë qenë të qeverisë dhe nëse do të ndodhte që Shqipëria të mos e përfitonte statusin në fund të këtij viti, kjo s'do të jetë asnjëherë faji i opozitës e aq më pak i shqiptarëve.
PS ka shpalosur programin e saj politik, që po e diskuton në të gjitha tryezat, madje deri në SHBA me NDI. Sa mendoni se do të ndikojë në thithjen e votave?
Mendoj se njëri prej parimeve bazë të demokracisë është qeverisja nëpërmjet qytetarëve, për qytetarët. Ndaj është shumë e rëndësishme që programi politik i PS të mund të shpaloset në çdo tryezë shqiptare, madje edhe më gjerë. Kjo me qëllimin që të gjithë ata që kanë besuar në të shkuarën tek forca jonë politike, të gjithë ata që kanë qenë skeptike si dhe të gjithe ata që janë zhgënjyer nga mënyra se si është qeverisur deri më sot, të kenë mundësinë të njihen nga afër me atë që programi ynë politik përfaqëson. Në këtë mënyrë të gjithë do të kenë mundësinë të kuptojnë se si ky program do të mund të përkthehet në qeverisje më të mirë, më për njerëzit.
Socialistët gjithnjë në këto zgjedhjet e fundit, përtej pretendimit për vjedhjen e votës, kanë qënë partia e parë politike në vend. Por problemi ka çaluar tek aleatët. Do të zgjerohet koalicioni opozitar për të fituar zgjedhjet? Aleatët kanë vënë kushte për sistemin, si do të arrini t'i qetësoni?
Unë mendoj se problemi nuk kanë qenë asnjëherë aleatët, por thjesht dhe vetëm vjedhja dhe abuzimi me votën. Në tryezën e bisedimeve mbi reformen zgjedhore ne çojmë edhe zërin e aleatëve tanë. Ju si media jeni deshmitarë të disa tavolinave që ne kemi zhvilluar me ta dhe të përballjes së opinioneve lidhur me këtë temë. E rëndësishme për ne, si forca më e madhe politike në vend, është që përmirësimi zgjedhor të çojë në një përfaqësim me të plotë e gjithëpërfshirës të çdo votë të hedhur në kuti, për të gjitha forcat politike.
Në skenën politike po dalin dy parti të reja, ajo e Topit dhe e Aleancës Kuq e Zi. Mendoni se do kenë ndikim në politikën shqiptare?
Për fat të mirë politika jonë ka filluar të zgjohet e të jetë në lëvizje. Ajo ka gjetur forma dhe menyra të reja komunikimi për të shkuar te qytetarët e elektorati i saj në disa raste i pa përfaqësuar apo shpesh herë i zhgënjyer. Në momentin që politika kthehet në një pellg me ujë të ndenjur, ajo duhet të rifreskohet, duhet të gjenerojë ujë të pastër, kjo gjithmonë në funksion të njerëzve që përfaqeson. Fakti që përfaqësuesit e lartë të partisë-pushtet janë hedhur në një sulm të paprecedent, pa kursyer as shefin e shtetit shqiptar, do të thotë se vërtet politika duhet të ndryshojë.
Nëse s'plotësohen kërkesat e PS për reformën zgjedhore, është e sigurtë të hyjë në zgjedhje, pasi i kërcënohet rezultati? Do ishte më mirë një qeveri teknike që të çonte vendin në zgjedhje?
Në tryezën e reformës zgjedhore ne kemi përcaktuar ato pika të cilat mendojmë se janë konstatuar si probleme nga misioni i OSBE/ODIHR-it dhe janë rekomanduar prej tyre që të përmirësohen. Situatat e papëlqyeshme dhe historiku i zgjedhjeve në Shqipëri ka cenuar rëndë si rrugën europiane të saj ashtu dhe një prej të drejtave bazë e legjitime të qytetarëve, atë të votës së lirë. Që të mund të plotësohen kërkesat tona themelore duhet që me palën tjetër të bihet dakort e në qoftëse palës tjetër i mungon ky vullnet, kjo do të thotë se asaj, ashtu si dhe më parë, i mungon vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme. Qeveria teknike mund të ishte një zgjidhje, por unë shpresoj akoma në vullnetin e mirë të politikës shqiptare, pavarësisht shembujve të paprecedentë negativë që ka dhënë forca politike që qeveris vendin sot.
Përpara është sfida presidenciale, kemi Fatos Nanon kandidat të vetëshpallur e njëherësh deklaratat e Berishës se do zgjidhet me 71 vota sipas Kushtetutës. Do ta mbështesë PS Nanon President?
E kam thënë edhe më parë se vendit i duhet një president i votuar dhe i pranuar nga të gjitha palët. I duhet një president që të përfaqësojë çdo njerin prej nesh, pavarësisht statusit shoqëror, kahjes politike, moshës, profesionit, gjinisë, prejardhjes apo besimit. Në momentin që e mbërrijmë këtë nëpërmjet, shpresoj, një procesi transparent dhe të ndershëm, do t'i kemi bërë një shërbim shumë të madh Shqipërisë dhe vetes tonë. Uroj që edhe pala tjetër ta mendojë në të njejtën mënyrë. Fshehja pas procedurave është një frikë për humbje pushteti dhe nuk ndihmon askënd.
Ndërkombëtarët kanë kritikuar drejtësisë shqiptare për fenomenin e pandëshkueshmërisë, referuar 21 janarit dhe gjyqit të Metës. Si e vlerësoni këmbënguljen e qeverisë për të bërë presion...?
Nuk e di se kur do jetë ajo ditë kur aulat e gjyqeve tona ta meritojnë plotësisht atë çka shkruhet nbi kryet e trupave gjykues: "Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit". Shqipëria me shtetin e saj ligjor është akoma shumë larg kësaj të drejte universale. Për aq kohë sa kjo e drejtë nuk do zbatohet, për aq kohë sa do të ketë gjyqtarë që s'do mund të ngrenë kokën nga turpi kur lexojnë vendimet që vetë kanë marrë, për aq kohë sa do të ekzistojë kultura e pandëshkushmërisë dhe e korrupsionit, Shqipëria bashkë me shtetin e saj ligjor do të jetë gjithmonë e më larg Europës dhe demokracive perëndimore.
(jm/im/shqiptarja.com)