Për Daut Memishin, kandidatin fitues për kryetar për komunën e Tearcës nga koalicioni VLEN, në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, fitorja në këtë komunë ishte e pritshme.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se qytetarët votuan për ndryshimin në këto zgjedhje.
‘Nga fushata që kemi bërë dhe me konsultimet dhe takimet që ne kemi pasur me banorët e komunës së Tearcës nuk është se nuk ka qenë i pritur kjo fitore. Por kjo tregon se qytetarët kanë pritur që të ndodh ndryshimi në institucionin e komunës. Në fokus ne kemi transparencën që ka munguar në këto vite, po ashtu edhe fusha si kultura, sporti dhe arsimin që në vite janë harruar’, tha ai.
Memishi tha se është shpalosur tashmë edhe platforma për nevojat qytetare, se çfarë do të bëhet në 100 ditëshin e parë.
‘Derën e kanë të hapur ata profesionistë që duan që të na ndihmojnë në komunën e Tearcës. Me komunën është menaxhues edhe këshilli komunal, ku ne jemi fitues me 8 këshilltarë, kurse kundërshtari ka vetëm 6, që do të thotë se shumicën e krijojmë vet edhe në këshillin komunal. Dhe problemet që kanë banorët e kësaj komune do të jenë shumë më të lehta për t’u menaxhuar. Ne kemi shpalosur platformën për nevojat qytetare se çfarë do të bëjmë në 100 ditëshin e parë’, tha ai.
Komente











