Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut shënuan një fitore bindëse të partisë në pushtet VMRO DPMNE, dhe goditjen e dytë radhazi, pas zgjedhjeve parlamentare, për LSDM-në në opozitë. Ngjashëm rezultati dhe në krahun e partive shqiptare. Koalicioni AKI, I udhëhequr nga BDI, e Ali Ahmetit, kishte deklaruar se zgjedhjet do të ishin një referendum kundër shumicës qeverisëse, e në veçanti ndaj VLEN, aleatit shqiptar të VMRO DPMNE-së. Por rezultatet dëshmuan të kundërtën, me një rënie të ndjeshme të AKI-së.

Partia në pushtet VMRO DPMNE, fitoi 34 komuna.  Më pas vjen koalicioni shqiptar VLEN, i cili kryesoi në 9 komuna, 8 LSDM, aleanca AKI e udhëhequr nga BDI e Ali Ahmetit ka 5, ndërsa PD e turqve 1.

VMRO-DPMNE e Hristijan Mickoskit kryeson në balotazh në 19 komuna të tjera, përfshirë edhe Shkupin, ku kandidati i saj Orce Gjorgjievski është në epërsi të madhe. Mickoski tha se forca e tij politike arriti një fitore siç kishte premtuar, duke shprehur kënaqësinë për rritjen e votave të marra krahasuar me zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.

VLEN fitoi 5 komuna, por në 4 të tjerat shkon në balotazh duke kryesuar me vota. Kandidati i saj Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.

Koalicionit tjetër shqiptar AKI, I udhëhequr nga arriti të fitojë  në Vrapçishte, Gostivar, Lipkovë, Pllasnicë, Çashkë, ku për herë të parë do të ketë një kryetar komune shqiptar, Suat Shaqiri.

VLEN foli për një kthesë historike për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. “Shqiptarët folën qartë dhe fuqishëm, referendumi i BDI-së nuk kaloi. Ky ishte verdikti i popullit ndaj një politike që për vite me radhë ka abuzuar me besimin qytetar dhe ka ndërtuar pushtet mbi frikën e përçarjen. Tani është momenti që liderët e AKI-së të marrin përgjegjësi dhe të japin dorëheqje, sepse qytetarët ua kanë thënë fjalën përfundimtare”, thuhet në një deklaratë të VLEN.

Raundi i dytë do të mbahet në 2 nëntor. Procesi zgjedhor u zhvillua në 3,474 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa në listën e votuesve u regjistruan 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote. Në zgjedhje morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, duke përfshirë gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për anëtarë këshillash.

Partia                                           Komuna
VMRO – DPMNE                             53
VLEN                                                  9
LSDM                                                 8
AKI                                                     5
PD E TURQVE                                 1

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:43
Për herë të parë, një shqiptar zgjidhet kryetar në komunën e Çashkës në Maqedoninë e Veriut

1760946308_SuatShaqiri.jpg

Për herë të parë, komuna e Çashkës në Maqedoninë e Veriut është fituar nga një shqiptar.

Suat Shaqiri nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka fituar garën për kryetar të Komunës së Çashkës në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Shaqiri ka siguruar 50.71% të votave, duke shmangur nevojën për raund të dytë. Në një konferencë për media, zëdhënësi i AKI, Arbër Ademi, tha: “Pra, Suat Shaqiri është kryetar, në Çashkë shkruhet historia për herë të parë me kryetar shqiptar”.