Zgjedhjet, Namik Dokle: PS fiton
dhe pa LSI, e treguam më 2011

Zgjedhjet, Namik Dokle: PS fiton<br />dhe pa LSI, e treguam më 2011
TIRANE - Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh anëtar i kryesisë së PS, Namik Dokle në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" rrëfen strategjinë e PS për fitoren e zgjedhjeve e largimin e Berishës.

Reforma parlamentare ka ngecur, ndërsa kryeministri Berisha i mëshon idesë se duhen votuar tre ligje. Qëndrimi juaj?

Absolutisht Berisha vazhdon të jetë bllokues, tipar politik i tij gjatë gjithë viteve të pluralizmit, si në rastin e 2 ligjeve që kanë të bëjnë me Gjykatën Lartë dhe nënpunësin civil, ashtu dhe me reformën. Madje tipari i tij bllokues, i zhveshur lakuriq, duket më qartë te reforma parlamentare. Berisha e pengon reformën parlamentare vetëm për një fjalë. Sepse ne, krejt ndryshe nga sa ka propaganduar Berisha për shumë e shumë muaj, nuk kemi kërkuar asnjëherë kufizimin e fjalës së kryeministrit në Parlament. Ne kemi kërkuar trajtimin e barabartë të pozitës dhe opozitës në të drejtën e fjalës në Kuvend. Kemi thënë se e drejta e kryeministrit për të folur në Kuvend është e pakufizuar, por pas kryeministrit ka të drejtë të marrë fjalën dhe kreu i opozitës në një kohë të kufizuar në 10 minuta, për ligjet e zakonshme dhe 20 minuta për ligjet që votohen me 3/5 apo për diskutimet që kanë të bëjnë me mocionet e besimit dhe mosbesimit, e këtu me radhë. Kjo është e vërteta reale.

Po pse Berisha akuzon opozitën...?

Berisha duke qenë se u zu ngushtë për shkak se nuk i ecën gjithë mashtrimet që ka bërë në konferencat e shtypit, në mbledhjet e grupit të tij parlamentar, ne seancat parlamentare apo mbledhjet e qeverisë, është kapur pas një fjale. Ai thotë që i jepet e drejta kryetarit të opozitës vetëm pas fjalimit kryesor të kryeministrit. Kush e përcakton se cili është fjalimi kryesor i kryeministrit, ka ndonjë kriter në të cilën përcaktohet se cili është fjalimi kryesor i tij. Absolutisht Berisha synon që përsëri këtë të drejtë, opozita të mos e ketë të sanksionuar qartësisht në rregulloren e Kuvendit, por të jetë në të drejtën e vullnetit dhe të dëshirës së tij. Pra kur ai do, të japë fjalën dhe kur nuk do, të mos e japë atë. Kjo është absurde. Aq më tepër është absurde dhe për faktin që grupi i punës, i cili u mor me reformën parlamentare ka punuar dhe me pëvojën e parlamenteve të tjera. Madje është shkuar për një vizitë punë në Parlamentin anglez dhe ku është angazhuar nga parlamenti anglez, ambasada angleze dhe nga një fondacion për demokracinë një ekspert një ekspertë njohës i mirë i këtyre problematikave. Ai ka shkruar shprehimisht që, "më duket e çuditshme ideja se si i jepet kryeministrit e drejta e pakufizuar për të marrë fjalën. Megjithatë thotë, përderisa kjo është kushtetuese dhe nuk mund të sfidohet, absolutisht duhet saknsionuar e drejta e përfaqësuesit të opozitës parlamentare të marrë fjalën pas kryeministrit". Sali Berisha vazhdon ta pengojë. Ashtu siç vazhdon të pengojë dhe çështjen e Fierit me shpikje nga më të ndryshmet, gjë që tregon se Berisha nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE.

Pse nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE...?

Nuk e do se e di sepse duke marrë statusin Shqipëria, qeverisja e tij do të jetë akoma më shumë e kontrolluar nga organizmat e BE. Pra Berisha nuk e do këtë kontroll, nuk e do këtë vëzhgim, nuk e do këtë prozhektor mbi veprimtarinë e tij keqqeverisëse. Prandaj gjen mënyra nga më të ndryshmet për ta shtyrë, për ta penguar dhe njëkohësisht në propagandë për t'ia lënë përgjegjësinë opozitës. Por gjithçka është e qartë për të gjithë e unë jam në një mendje me shumë analistë të cilët këto ditë kanë shkruar për këtë çështje dhe që thonë se Sali Berisha ëndërron për një status që ta fitojë kundër dikujt e jo për një status që ta fitojë me dikë. Dhe kjo "kundër dikujt" në këtë rast është kundër opozitës dhe kundër organizmave evropianë dhe përfaqësuesve të tyre.

Mendoni se dhe refuzimi i Berishës ndaj Ramës për një tryezë të partive parlamentare, këtë bazë ka...?

Me siguri. Ftesa e zotit Rama është një ftesë që hap portën e marrëveshjes, hap portën e bashkëpunimit, hap portat e negociimit politik të disa problemeve që kanë mbetur në mes të rrugës. Por Berisha e refuzon përsëri. Është pikërisht kjo psikozë e Berishës ku ai e ëndërron fitimin e këtij statusi, në raport kundërshtimi me dikë, në raport kundërshtimi me vetë BE, që kërkon zbatimin e 12 prioriteteve. Berisha gjen formulime demagogjike, që synojnë t'ia lënë përgjegjësinë opozitës. Por në këtë rast vlen fjala e kryetarit të grupit parlamentar të PS që i tha Berishës: Ti je kokrra e mashtruesit. Dhe këtë shqiptarë e kanë kuptuar jo sot, por me kohë.

Kemi hyrë në vitin elektoral. Cila është stratgegjia elektorale e PS dhe hapat që ajo do të ndërmarrë për zgjedhjet e vitit 2013?

PS po bën përgatitje serioze për zgjedhjet e ardhshme dhe për t'i fituar ato. Ato kanë filluar që në kongresin e nëntorit të vitit të kaluar kur ne miratuam programin politik, i cili ishte një bazament për të nisur punën përgatitore për krijuar një program të plotë për "Rilindjen Shqiptare". Çka do të thotë rilindje të ekonomisë shqiptare, të shoqërisë shqiptare, të demokracisë shqiptare dhe integrimi i Shqipërisë së rilindur në Evropën demokratike. Të gjithë këto elementë të programit politik të kongresit të PS u zbërthyen me një punë shumë të thelluar dhe serioze me hartimin e programit konkret elektoral dhe qeverisës, për të realizuar pikërisht këtë rilindje të Shqipërisë. Sepse me një ekonomi që është në krizë, me një shoqëri që është në krizë, me një demokraci që vuan presionin e politikës dhe s'krijon asnjë hapësirë të jetës demokratike, në mënyrë të veçantë për institucionet e pavarura dhe median e lirë, kuptohet që është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor. Një ndryshim të cilin me të drejtë PS e ka quajtur "Rilindje të Shqipërisë".

Këtë program po e afishoni tashmë...?

Lidhur me këtë program ne kemi bërë një maratonë takimesh, ekspertizash, tavolina të ekspertëve në shkallë lokale dhe kombëtare e vazhdojmë ti bëjmë këto. Siç kemi bërë një konferencë për ekonominë, së shpejti do të bëjmë një konferencë për arsimin e konferenca për problematika të tjera në mënyrë që fillimi i fushatës të na gjejë plotësisht të gatshëm, me program të gatshëm, me ekip të formuar, me strategji të qartë dhe me taktika efikase për të fituar dhe më pas për të realizuar programin e "Rilindjes Shqiptare".

Kjo strategji përfshin dhe afrimin e të gjithë socialistëve, përfshirë dhe ata që kanë qënë të pakënqur, mënjanuar apo larguar në PS dhe shuarjen e debateve jo fort të frytshme brenda PS...?

Absolutisht jo vetëm njëherë drejtuesit e PS e kanë shprehur qartë që, Partia Socialiste është një parti e hapur për çdo kontribut, brenda e jashtë saj. Dhe kur flas për socialistë, të rinj, të vjetër, gra, intelektualë, fermerë, njerëz të administratës etj etj., kanë vetëm një kriter: Ata të cilët mendojnë që është e domosdoshme një "Rilindje Shqiptare", i kanë dyert e hapura të bashkohen me PS.
Më konkretisht deri ku shkon kjo ofertë...?

E them në një kuptim më të gjerë. Sot aktualisht ka shumë parti të cilat do garojnë në zgjedhjet e 2013, parti parlamentare dhe jo parlamentare, parti të vjetra e parti të reja. Ndaj gjithkujt ne s'kërkojmë që ata të jenë në një mendje me programin e PS, sepse çdo parti ka programin e vet. Por ama ndaj gjithkujt ne shtrojmë alternativën: Jeni me këtë qeverisje apo kundër saj. Kushdo që mendon se kjo qeverisje është fatkeqësia e Shqipërisë dhe që duhet rilindur Shqipëria, atëherë për secilën prej këtyre forcave politike egziston mundësia e bashkëpunimit. Me një pjesë të madhe duke krijuar koalicionin për "Rilindjen Shqiptare" por dhe një pjesë jashtë këtij koalicioni, por që duan rotacionin politik, duan ndryshimin në Shqipëri. Ka shumë parti të tilla, të cilat pa qenë në një mendje me programin e PS, janë në një mendje me PS që Shqipëria nuk duhet të qeveriset më nga Sali Berisha dhe grupi i tij mafioz. Sepse nga kjo keqeverisje Shqipërisë i kanë ardhur të gjitha këto të këqia, që tashmë shqiptarët i vuajnë deri në kockë. Kushdo që është për këtë ndryshim, është i mirëpritur në veprimin politik për të rrëzuar qeverinë e Sali Berishës e për të ardhur një qeverisje e re që do ta rilindë Shqipërinë.

Jeni të bindur në fitoren e PS...?

Ne jemi të bindur që PS do të fitojë zgjedhjet, sepse ka programin, ka ekipin, ka liderin, ka strategjinë dhe taktikat elektorale të përpunuara tashmë. Kushdo që do të bashkohet me frymën e ndryshimit të madh që duhet të ndodhë në Shqipëri, me frymën e rilindjes së Shqipërisë, qoftë në ekonomi, qoftë në shoqëri, qoftë në demokraci, qoftë në integrimin evropian, nuk janë kundërshtarët tanë.

Kjo është një thirrje për një front opozitar. Përfshin dhe një koalicion parazgjedhor me dy partitë e reja, FRD dhe AK...?

Natyrisht që ne nuk kërkojmë që partitë të vijnë me zor në koalicionin e PS. Koalicionet kanë dhe kriterin programor dhe ndryshimet apo përputhjet programore, qasjet e përafërta programore, me siguri që do të krijojnë dhe grupet e koalicioneve të forcave të ndryshme politike shqiptare. Por ama edhe duke mos qenë në koalicion me njëra tjetrën këto parti, por që synojnë ndryshimin e situatës në Shqipëri, indirekt janë pjesë e të njejtave shina.

Shpeshherë në ambiente mediatike dhe politike thuhet se një koalicion mes PS dhe LSI do e bënte më të sigurtë fitoren në zgjedhjet e vitit 2013. Ka ndonjë përpjekje...?

Fitorja është e sigurtë në zgjedhjet e vitit 2013. Por që në një koalicion të mundshëm apo bashkëpunim të mundshëm jashtë koalicionit me LSI, natyrisht që fitoja do të ishte më e thellë. Por ama ne kemi faktet që tregojnë që në shumë nga bashkitë e Shqipërisë në vitin 2011 kemi fituar më shumë vota pa LSI se sa me LSI më 2007. Marrim rastin e Durrësit, ku me LSI ne e fituam me 300 vota plus, kurse pa LSI më 2011 e fituam me 3 mijë vota plus. Po kështu në Elbasan, po kështu në Laç, që nuk e kemi fituar asnjëherë dhe pse kemi qënë me LSI, ndërsa pa të më 2011 e fituam, po kështu në Kavajë, në Tepelenë e kështu me radhë. Por kjo nuk do të thotë që qenia e LSI në koalicion me PS ul votat e PS apo ul votat e koalicionit. Kjo do thotë që PS ka një rezervë të jashtëzakonshme elektorale, që po të angazhohet jep rezultate shumë të qarta, shumë të fuqishme si në rastet e Durrësit, të Elbasanit, Laçit, të Kavajës etj. Realisht ne e kemi llogaritur që me një angazhim më serioz të elektoratit të majtë, gjë që ka rezerva për ta bërë këtë gjë, ne mund të fitojmë vota shumë më tepër se sa çdo parti që mund të futej në koalicion me ne. Kjo nuk do të thotë që meqënëse kemi këtë rezervë të madhe elektorale të përjashtojmë bashkëpunimin me partitë e tjera. E ritheksoj, kushdo që kërkon të ndryshojë këtë qeverisje është i mirëpritur nga PS, në koalicion me të apo e jashtë koalicionit. Llogaritë tona elektorale, strategjitë e taktikat tona elektorale na bëjnë të qartë një llogari, atë që ndodhi në Durrës dhe në disa bashki të tjera: Angazhimi i elektoratit të majtë në mënyrë shkencore, shumë të organizuar jep rezultate spektakolare për PS si më 2011 në Durrës dhe bashki të tjera të fituara nga socialistët.

Intervista u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura