Votuesit në rajonin jugor spanjoll të Andaluzisë po votojnë në zgjedhjet që pritet t’i japin shumicë absolute Partisë Popullore konservatore (PP) dhe t’u shkaktojnë socialistëve të Pedro Sánchez një tjetër humbje të rëndë në një nga bastionet e tyre historike.

Zgjedhjet e së dielës në rajonin më të populluar të Spanjës, votimi i fundit i madh para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, po shihen si një tregues i humorit politik në mbarë vendin dhe mund të tregojnë gjithashtu nëse popullariteti i partisë së ekstremit të djathtë Vox ka nisur të arrijë kulmin.

PP, që drejton ish-bastionin socialist prej shtatë vitesh, po përpiqet ta kthejë këtë votim në një referendum për kryeministrin Pedro Sánchez, administrata, partia dhe rrethi i ngushtë i të cilit po përballen me akuza të shumta për korrupsion. Sipas sondazheve, presidenti aktual rajonal i PP-së, Juan Manuel Moreno Bonilla, është në rrugë për të përsëritur pothuajse rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, kur konservatorët fituan 58 nga 109 vendet në parlamentin rajonal.

Ndërkohë, Partia Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE), që qeverisi Andaluzinë nga viti 1982 deri në 2019, pritet të marrë rezultatin më të keq në histori, duke rënë nga 30 në 28 mandate. Vox, që hyri për herë të parë në politikën kryesore spanjolle në zgjedhjet rajonale të Andaluzisë në vitin 2018, parashikohet të fitojë edhe një ose dy mandate shtesë mbi 14 që mori katër vite më parë.

Moreno shpreson që një tjetër shumicë absolute do ta lejojë të qeverisë pa varësinë nga Vox, parti e cila ka kërkuar ta shtyjë PP-në më djathtas në koalicionet rajonale duke insistuar që spanjollët të kenë përparësi ndaj të huajve për strehim dhe shërbime publike. Presidenti rajonal është shprehur aq i sigurt për shumicën e tij, sa ka quajtur politikën e Vox për “prioritet kombëtar” si “një slogan bosh”.

Si Moreno, ashtu edhe lideri kombëtar i PP-së, Alberto Núñez Feijóo, po përpiqen të përdorin votimin e së dielës për të forcuar partinë në nivel kombëtar, duke përfituar nga skandalet që po godasin qeverinë qendrore. Moreno e ka quajtur rivalen e tij socialiste, ish-zëvendëskryeministren María Jesús Montero, “zonja nga e shkuara”.

Ai ka folur edhe për nevojën për “të varrosur politikën e keqe dhe për të lënë të shkuarën pas për të ndërtuar të ardhmen”. Feijóo ka qenë edhe më i ashpër, duke deklaruar se votuesit andaluzianë duhet të “zgjedhin mes komplotit që udhëhoqi Sánchez dhe mbikëqyri Montero, dhe ekipit fantastik të Moreno-s”.

Ngjarjet e fundit e kanë vënë PSOE-në nën presion edhe më të madh. Montero u kritikua ashpër këtë javë pasi i quajti vdekjet e dy oficerëve të Guardia Civil, që humbën jetën gjatë ndjekjes së trafikantëve të drogës pranë brigjeve të Andaluzisë, një “aksident në vendin e punës”.

Më pas ajo korrigjoi deklaratën duke thënë se ata kishin vdekur “në krye të detyrës”. Edhe Moreno është përballur me kritika. Me 42.2% të votuesve që e konsiderojnë shëndetësinë problemin më të madh të rajonit, mënyra si qeveria e tij menaxhoi një skandal me kontrollet e kancerit është rikthyer në qendër të fushatës.

Në fund të vitit të kaluar, qeveria rajonale pranoi se më shumë se 2300 gra nuk ishin informuar për rezultatet e paqarta të mamografive, çka bëri që të humbeshin kontrolle dhe trajtime të mëtejshme. Zemërimi publik solli protesta që përfunduan me dorëheqjen e ministres rajonale të Shëndetësisë.

Moreno këmbënguli këtë javë se askush nuk kishte vdekur si pasojë e dështimit administrativ, pretendim që është kundërshtuar nga aktivistët. Ángela Claverol, presidente e shoqatës Amama Sevilla për mbështetjen e grave me kancer gjiri, deklaroi se të paktën gjashtë gra kishin vdekur për shkak të moskomunikimit të rezultateve të kontrolleve. Ajo tha se skandali ishte tregues i një krize më të gjerë në sistemin shëndetësor të Andaluzisë, për të cilën fajësoi privatizimin e shërbimeve publike nga qeveria e Moreno-s.

“Është e tmerrshme; ka vonesa deri në tre muaj për operacionet e kancerit. Ka vonesa për skanerë, rezonanca magnetike, takime me onkologë, radioterapi e të tjera. Vonesat janë të tmerrshme për onkologjinë, por edhe në nivel normal, nëse kërkoj një takim me mjekun e familjes në qendrën time shëndetësore, nuk ma japin para 21 ditësh.”

Sipas saj, sistemi publik shëndetësor është shembur për shkak të përdorimit në rritje të sektorit privat nga qeveria rajonale.

“Në vend që këto para të riinvestoheshin në sektorin publik, për punësimin e mjekëve, specialistëve dhe stafit administrativ, ato janë devijuar drejt sektorit privat”, tha Claverol.

Moreno, nga ana tjetër, deklaron se qeveria e tij ka modernizuar spitalet dhe pajisjet dhe ka rritur kapacitetet “që më shumë pacientë të trajtohen dhe kohët e pritjes të reduktohen”. Edhe strehimi është kthyer në një shqetësim madhor në Andaluzi, ashtu si në pjesën tjetër të Spanjës. Qytete si Sevilla, Málaga dhe Córdoba po përballen me efektet e mbingarkesës turistike, përfshirë rritjen e qirave dhe mungesën e banesave.

Juan Carlos Benítez, pjesë e shoqatës së banorëve “Albayzín Habitable” në Granada, tha se qeveria e Moreno-s duket se ka zgjedhur “një strategji turizmi sasior në vend të turizmit cilësor”. Sipas tij, Granada po shndërrohet në “një qendër tip Disneyland ku nuk jetojnë më njerëz të vërtetë dhe që gjeneron para vetëm për restorantet dhe dyqanet, pa përfituar realisht shoqëria”.

Politologu Pablo Simón nga Universiteti Carlos III i Madridit tha se rezultati i zgjedhjeve do të ndihet përtej Andaluzisë, ndërsa Spanja përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Sondazhet sugjerojnë se PP mund të dalë sërish forcë e parë, por do të ketë nevojë për mbështetjen e Vox për të qeverisur.

“Nëse Moreno Bonilla ruan shumicën absolute dhe Vox nuk arrin të fitojë ndikim në formimin e qeverisë, kjo do të konfirmojë idenë se Vox po ngec dhe PP po fiton më shumë terren”, tha Simón.

Ai shtoi se, edhe pse Vox ka pasur rezultate relativisht të mira në disa zgjedhje rajonale të fundit, ka një perceptim se partia po ngec për shkak të konflikteve të brendshme dhe se objektivi për të arritur 20% të votave mund të jetë duke u zbehur.

“Është një parti që është e konsoliduar rreth 13-14%. Kjo do të thotë rreth 17% në nivel kombëtar. Është rezultat shumë i mirë. Por fakti që ata kishin krijuar idenë se mund të arrinin 20%, u është kthyer kundër”, tha ai.

Simón paralajmëroi gjithashtu se socialistët po përgatiten për një rezultat “të tmerrshëm”.

“Sondazhi i fundit që kam parë u jep 27 mandate, pra tre më pak. Po flasim për një diferencë mbi 20 pikë mes partisë së parë dhe të dytë, është thjesht e tmerrshme”, deklaroi ai.