Është ëndrra e së djathtës franceze, e larguar nga kryeqyteti pas një hegjemonie shumë të gjatë dhe një sërë kryebashkiakësh të njohur si Jacques Chirac. Rimarrja e Parisit duket tani e arritshme, pas një periudhe të gjatë sundimi të së majtës.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve bashkiake, socialisti Emmanuel Grégoire nuk është më favorit i padiskutueshëm në sondazhe, i penalizuar nga përçarjet e forta brenda së majtës. Grégoire mbetet përpara me 45.5%, por diferenca me kandidaten e djathtë, Rachida Dati, është ulur në vetëm një pikë. Dati ka 44.5% dhe ka rikuperuar pothuajse të gjithë diferencën prej 12 pikësh nga raundi i parë.
Dati, ish-ministre e Kulturës, mbështetet nga një bllok i bashkuar i së djathtës dhe qendrës, që përfshin partinë tradicionale të djathtë Republikanët, partitë centriste dhe forcat politike që mbështesin presidentin Emmanuel Macron.
Marrëveshjet për raundin e dytë në Paris
Krahasuar me raundin e parë, Dati ka përfituar nga marrëveshja me kandidatin centrist Pierre-Yves Bournazel dhe nga tërheqja e Sarah Knafo, kandidate e një force të djathtë radikale, e cila u tërhoq për të bashkuar votat në këtë kamp.
Sipas sondazheve, Dati pritet të marrë 86% të votuesve të Knafo dhe 56% të atyre të Bournazel.
Ndërkohë, Grégoire ka vështirësi të tërheqë vota shtesë, sidomos për shkak se Sophia Chikirou, kandidate e së majtës radikale nga lëvizja “Franca e Papërkulur”, ka qëndruar në garë me rreth 10%, duke ndarë votat e majta.
Thirrjet për “votë të dobishme” nga socialistët drejt këtij elektorati deri tani kanë pasur efekt të kufizuar.
Situata në Marsejë
Nëse gara në Paris mbetet e hapur, në Marselje tabloja duket më e qartë në favor të kryebashkiakut aktual progresist Benoît Payan.
Pas tërheqjes së kandidatit të së majtës radikale, Sébastien Delogu, i cili kishte marrë rreth 12% në raundin e parë, Payan përballet në një garë treshe me Franck Allisio, kandidat i partisë së ekstremit të djathtë Rassemblement National, dhe Martine Vassal, përfaqësuese e së djathtës tradicionale.
Tërheqja e Delogu u bë për të shmangur ndarjen e votave të majta dhe për të penguar një fitore të ekstremit të djathtë.
Sfidat e tjera
Në shumë qytete të tjera, e majta paraqitet e bashkuar në raundin e dytë, pavarësisht dallimeve mes socialistëve dhe së majtës radikale.
Në Lion, për shembull, kryebashkiaku ekologjist në detyrë përballet me një kandidat të mbështetur nga e djathta dhe qendra, në një garë që mbetet e hapur.
Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National synon të fitojë terren sidomos në disa zona si Pas-de-Calais dhe në jug të Francës, në qytete si Nîmes, Toulon, Menton dhe Nice.
Macron spektator
Presidenti Emmanuel Macron mbetet në periferi të këtyre zgjedhjeve, pasi partia e tij nuk kontrollon qytete të mëdha dhe nuk ka arritur të krijojë një strukturë të fortë lokale.
Pas dështimit në zgjedhjet bashkiake të vitit 2020, partia e tij ka zgjedhur të mbështetet kryesisht në aleanca me të djathtën dhe qendrën.
Megjithatë, kampi presidencial shpreson për disa rezultate në qytete të veçanta, ndërsa ish-kryeministri Édouard Philippe pritet të konfirmohet në Le Havre, ndërsa është i fokusuar edhe në ambiciet për zgjedhjet presidenciale../Repubblica
Komente








