Zgjedhjet në FSHF, Fino i përgjigjet Dukës: S'jam tërhequr nga CAS-i
Bashkim Fino i përgjigjet Armand Dukës në lidhje me ankimimin e bërë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për çështjen e zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Kandidati në zgjedhjet për president të Federatës shqiptare të Futbollit, Bashkim Fino, nuk është tërhequr nga padia në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, duke përgënjeshtruar fjalët e Armand Dukës, që një ditë më parë për Top Channel deklaronte se ankimimi në CAS ishte pezulluar nga vetë zoti Fino. Në një intervistë për Report Tv, Fino ka deklaruar se nuk është tërhequr dhe do t’i shkojë deri në fund këtij procesi, edhe pse do të zgjasë pak në kohë, pasi CAS ka procedurat e veta.
“Nuk është aspak e vërtetë që jam tërhequr nga CAS-i. Ne kemi bërë një padi për parregullsitë, që tashmë edhe Gjykata e Tiranës nuk e regjistroi vendimarrjen e Asamblesë. Presin të gjitha procedurat që të mbarojë procesi, sepse ne kemi ngritur dy padi, një në KAS-in shqiptar, pavarësisht se FSHF nuk e njeh, dhe një në CAS-in e Lozanës. Natyrisht CAS-i i Lozanës do kohën e vet”.
Bashkim Fino, ish-kandidat për President të FSHF
Bashkim Fino ka komentuar edhe vendimin e gjykatës në lidhje me mosregjistrimin e zgjedhjeve të Federatës shqiptare të Futbollit, duke u shprehur se drejtuesit tashmë janë jo legjitimë. “Vendimi i Gjykatës së Tiranës ka qenë pozitiv, në sensin që vërtetoi të gjitha parregullsitë që ne prej muajsh para zgjedhjeve kemi thënë. Më vjen keq që është një deklarim i tillë, natyrisht që kjo është një gjë që do ta dëshironte zoti Duka si institucion dhe Komiteti Ekzekutiv i tij që tashmë janë të paligjshëm” – shton Fino.
Në pritje të vendimit të CAS, Fino është i bindur që do të ketë zgjedhje të reja. “Duhet të ribëhen zgjedhjet e FSHF-së, duhen bërë nga e para. Ndërkohë, jemi duke pritur qoftë vendimin e KAS-it shqiptar, qoftë edhe atë të CAS-it të Lozanës” – përfundoi Bashkim Fino.
Mos u terhiqni z fino,te shkaterrohet njehere e mire (baranga)e korrupsionit te ZI sportiv Shqiptar.
Përgjigju