Zgjedhjet në Kosovë/ Albin Kurti letër Mustafës: Ta vendosim ndryshe fatin e kryeministrit! Nuk tërhiqet kreu i LDK-së

Zgjedhjet në Kosovë/ Albin Kurti letër Mustafës: Ta vendosim ndryshe fatin e kryeministrit! Nuk tërhiqet kreu i LDK-së

Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

KOSOVË- Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosja kanë shprehur publikisht synimin për të bërë koalicion së bashku për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, por nuk kanë arritur një dakordësi për postin e kryeministrit.  LDK dhe Vetëvendosja nuk pranojnë të tërhiqen nga marrja e këtij posti në rast se fitojnë zgjedhjet. Albin Kurti i ka propozuar së fundmi një marrëveshje Isa Mustafës për të zgjidhur këtë çështje.

Ai propozon që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor.

Ky propozim është refuzuar nga Isa Mustafa shprehet se LDK është e hapur në koalicion por me kushtin që të vijojë të qëndrojë kandidatura e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës.

Letra e plotë e Albin Kurtit

Letra për koalicionin tonë që ia dërgova z.Isa Mustafa

I nderuari Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa,

E di që ne pajtohemi se Kosova është shtet i dobët sepse është shtet i kapur.

Sot, çkapja e shtetit nga mujsharët shpërdorues, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, është nevojë jetike dhe urgjente për Kosovën si dhe pritja themelore e qytetarëve të Republikës. Po ashtu, sjellja e investimeve në ekonomi, zhvillimi që rrit punësimin, nuk janë të mundura pa çlirimin e prokurorisë dhe gjyqësorit nga Klani Pronto.

Sot, koalicioni parazgjedhor i dy subjekteve tona është ajo që dëshirojnë dhe shpresojnë qytetarët tanë. Në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, LAA fitoi 29 deputetë kurse LVV 32 deputetë. Ne atëherë i kishim së bashku 61 deputetë. Dalja e AKR-së nga LAA atëbotë e formoi qeverinë e PAN-it. Po u bëmë ne bashkë, efekti i sinergjisë është i garantuar dhe do të mund t’i arrinim 70 deputetë nga zgjedhjet e reja dhe qeverisje stabile.

Në ofertën time të tetorit 2018, nuk jeni përgjigjur, mirëpo, ndërkohë kemi pasur takime e komunikime të rregullta e konstruktive. Bashkëpunimi opozitar LVV-LDK ka qenë faktor i rëndësishëm, mbase vendimtar, i shpëtimit të Kosovës nga pazaret territoriale me Serbinë. Hapat e bashkërenduar opozitar duhet t’i avansojmë në projekt të përbashkët për qeverisje të mirë.

I ngelur pa përgjigje për ofertën time të kahmotshme për bashkëqeverisje me LDK-në, vendimin e kryesisë së LDK-së për kandidatin e partisë suaj për kryeministër e mësova nga mediet. Takimet tona kanë qenë partneritet vleror. Kjo u ndryshua me fakte të njëanshme partiake që neve na u hodhën fytyrës.

Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm.

Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.

Duke shpresuar në përgjigjen tuaj pozitive, pranoni përshëndetjet tona.

Me nderime,

Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Përgjigja e Isa Mustafës

Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti

I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.
LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.
LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.
LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.
Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.
LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.

Me respekt, Isa Mustafa

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 01/09/2019 11:50

    Interesi I kualicionit LDK-LVV ishte dhe mbetit leverdia personale-grupore politike per rrembim te qeverise dhe shtetit,asnjehre,kurre dhe ne asnje menyre, qellim dhe interes I vendit dhe popullit dhe asnje synim per vlere dhe qellim kombetar.Keto qe flasin e shkruajne, jane vetem bruqkulla banale politike per mashtrim.Sovrani-Populli mesuesi yne I madh,mund te nashtrohet perkoheshishte,por jo kurre per gjithmone.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI