I pranishëm në Kukës, kandidati për kreun e PD mbështeti propozimi e ish-presidentit Bujar Nishani, i cili kërkoi veting për politikanët. Kadilli u shpreh se mirëpret çdo propozim që synon të pastrojë figurën e çdo politikani.
"Çdo propozimin që synon të pastrojë figurën e çdo politikani është i mirëpritur nga ana ime, si për vetingun e pasurive ashtu edhe për origjinën politike nga vijnë, a kane implikime me regjimin e shkuar komunist dhe me ngjarje të padëshirueshme sepse kur dalin të kërkojnë mbështetje, ashtu siç kam dalë unë, ka te drejtën të thotë kush je ti zoti Kadilli? Unë do t'i them jam një njeri i persekutuar nga regjimi që kam ndërtuar të gjithë karrierën time me duart dhe fuqinë time dhe të familjes time. E gjithë pasuria ime është e ndërtuar nga unë dhe familja ime pa asnjë teprim nga dikush tjetër", tha ai.
Kadilli i bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me të për një projekt të ri politik që, sipas tij, do të sjellë ringritjen e kësaj partie. Ai ftoi demokratët që të ndahen nga e kaluara dhe nga rruga e vjetër politike dhe të marrin përgjegjësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
"Demokratë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, kohët e vështira sjellin edhe mundësi të mëdha. Le t’i kapërcejmë tronditjen dhe hutimin. Të punojmë bashkë për tu ringritur. Me një projekt të ri, me një manifest politik të ri. Ringritja kalon nëpër rrugën e vështirë të një projekti të ri. Le të ndahemi nga rruga e vjetër. Ti demokrat, bëje partinë tënde, merr përgjegjësi, bëje vet karrierën tënde, zgjidhi vet përfaqësuesit e tu. Për veten tënde për të ardhmen tënde. Në një PD që fton, në një PD që bashkon, Unë ju ftoj të punojmë bashkë për një parti të ndryshimit, një PD të së ardhmes, një Shqipëri të mijëvjeçarit!Demokrat - Behu Zot i Fatit Tënd!", shtoi Kadilli.