Zgjedhjet në PD, Shehaj: Basha s’duhet të rikandidonte! Kritikon përzgjedhjen e kandidatëve për deputet: Vuri në lista emra që anëtarësia nuk i donte
Për Agron Shehajn, Lulzim Basha jo vetëm që duhet të kishte dhënë dorëheqjen, por as nuk duhet të kishte kandiduar për kryetar të PD. Gjatë një takimi me strukturat, Shehaj tha se nuk mund të vijohet duke akuzuar kundërshatët për vjedhje votash, por duhen ndrequr gabimet e brendshme
Redaksia 30 Maj 2021, 11:55 | Përditesimi: 30 Maj 2021, 21:44
Lulzim Basha jo vetëm që duhet të kishte dhënë dorëheqjen, por as nuk duhet të kishte rikandiduar për kreun e PD. Ky është qëndrimi i Agron Shehajt, kandidatit për të marrë drejtimin e selisë blu, i cili gjatë takimit me strukturat, tha vetëm ndryshimi i lidershipit, do të ndryshojë të djathtën shqiptare.
“Kryetari i Partisë duhet të lidhë fatin me fitoren, nëse nuk fiton duhet të japë dorëheqjen dhe të tërhiqet, të tërhiqet dhe të mos kandidojë më. Nëse fiton, qëndron, nëse nuk fiton, ikën! Ka ardhur dita të ndryshojmë lidershipin e PD, që nesër të rrëzojmë Ramën.”- tha Shehaj.
Për Shehajn nuk mjaftojnë vetëm akuzat ndaj kryeministrit Rama se vodhi zgjedhjet, por sytë duhet të kthehen drejt problemeve të brendshme.
“Po kërkohet të thuhet që nuk humbëm, duke thënë që arsyeja pse humbëm është masakra zgjedhore, është koha të themi të vërtetën në sy, rezultati i zgjedhjeve është ky, nuk mund të ndryshojë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është që në zgjedhjet e reja të jemi më të fortë, nuk mund të futemi në parlament nëse do të themi që u vodhën votat, nuk duhet të ishin bërë shumë prej gabimeve, ose rregullojmë problemet, ose nuk duhet të futemi në parlament, ose njërën ose tjetrën. Unë mendoj që PD ka nevojë për një reformim të thellë”- tha Shehaj.
Kryetarin në detyrë Lulzim Bashën e kritikon edhe për mënyrën sesi u përzgjodhën kandidatët, duke i rikujtuar faktin që futi në lista, njerëz të votuar kundra nga anëtarësia.
“Nëse kërkojmë lista të hapura për zgjedhjet të përgjithshme, duhet të bëjmë këtë gjë edhe për listat e kandidatëve që zgjedh partia. Pse duhet ti themi anëtarësisë votoni ata që nuk doni, dhe pastaj ti fusim në lista, sepse kandiduam deputetë që morën 400-500 vota kundër.”- tha më tej Shehaj.