Zgjedhjet në PS, jashtë gare
kandidatët që humbën vota

Zgjedhjet në PS, jashtë gare<br />kandidatët që humbën vota
TIRANE- Kryetarët e degëve të Partisë Socialiste në zonat e të cilëve PS ka humbur zgjedhjet më 21 qershor nuk do të mund të rikandidojnë për drejtimin e këtyre strukturave.
 
Në bazë të udhëzimit të dalë nga asambleja e PS-së një ditë parë, kur flitet për kriteret e kandidatëve, thuhet qartë se nuk do të jenë kandidatë për drejtimin e degëve të gjithë ata drejtues dege të cilët kanë humbur zgjedhjet lokale ose që rezultati i zgjedhjeve është më i dobët se sa ai i zgjedhjeve të kaluara paralamentare.
 
Po ashtu udhëzuesi qartëson se, duhen marrë në konsideratë parashikimet e statutit të PS për papajtueshmërinë e dy mandateve dhe konfliktin e interesit si dhe pastërtinë figurës etike dhe ligjore të kandidatit.
 
Ndërkaq kandidati për kryetar dege, në bazë të udhëzuesit, nuk duhet të ketë mandat deputeti apo kryebashkiaku. Gjithashtu udhëzuesi i ri i asamblesë së PS ka të tjera risi e që lidhen me përfshirjen e grave në strukturat drejtuese, ku në pikën 7 të udhëzuesit theksohet se 50 përqind e kandidaturave të jenë SHOQE dhe një e treta të grupmoshës nga 18 deri në 25 vjeç.
 
Brenda datës 15 dhjetor në të 61 bashkitë e vendit, PS duhet të ketë zgjedhur 61 kryetarët e rinj të degëve. Ndërsa kongresi do të sanksionojë dhe ndryshimet përkatëse në statutin e PS.

Kongresi

Partia Socialiste nuk humb kohë për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të saj. Asambleja Kombëtare e mbledhur dje ka vendosur thirrjen e Kongresit në fillim të janarit të vitit 2016. Në këtë Kongres do të votohen ndryshimet në statut si dhe do të zgjidhen anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare.

Është Asambleja e re që do të votojë për ndryshimet e anëtarëve të kryesisë së PS-së. Me vendimin e marrë dje PS do të nisë menjëhershme rifreskimin e strukturave të Partisë Socialiste, nga anëtari i thjeshtë deri te strukturat më të larta drejtuese. Në këtë mënyrë, Asambleja Kombëtare e PS-së ka marrë vendim, me propozim të kreut të asamblesë, Gramoz Ruci, të zhvillojë zgjedhje në parti sipas disa afateve detyruese.

Procesi i parë me të cilin do të nisë ristrukturimi i PS-së, është rifreskimi i anëtarësisë, duke verifikuar anëtarët aktualë, si dhe duke bërë freskime të reja në kuadër të arritjes së objektivit prej 150 mijë anëtarësh. Ky proces për çdo organizatë socialiste duhet të përfundojë brenda 10 shtatorit 2015. Vetë Organizatat Socialiste, që përbëjnë anëtarësinë e partisë për një qendër votimi, do t’i nënshtrohen zgjedhjeve. Brenda datës 10 nëntor 2015, çdo organizatë do të ketë kryetarin dhe sekretarin e saj të zgjedhur nga anëtarësia e saj. Procesi do të vijojë me zgjedhjen e delegatëve të Kongresit, proces ky që kryhet deri në datën 21 nëntor të këtij viti sipas parimit “1 anëtar-1 votë”.

Për strukturat e partisë brenda vendit, norma e përfaqësimit është 1 delegat në 100 anëtarë. Për strukturat e partisë në emigracion norma është 1 anëtar për 200 anëtarë. Numri i delegatëve përcaktohet në bazë të numrit të anëtarësisë së partisë për çdo bashki sipas zgjerimit deri në 10 shtator. Detyra e zgjedhjes së delegatëve, dhe organizimin e mbikëqyrjen e këtij procesi, i takon Komisionit të Zgjedhjeve në Parti. Faza tjetër e zgjedhjeve për strukturat e PS-së, është ajo e zgjedhjes së kryetarëve të PS-së për çdo bashki.

Asambleja ka vendosur që ky proces të organizohet deri në 15 dhjetor 2015. Paralelisht me zgjedhjen e kreut të partisë për çdo bashki, do të zgjidhjet Asambleja Socialiste e Bashkisë. I gjithë ky proces zgjedhor do të përfundojë në janar të vitit tjetër, kur do të mblidhet Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste. Në të njëjtat afate dhe sipas këtyre fazave do të kryhet dhe zgjedhja e strukturave të reja të degëve të Partisë Socialiste në emigracion.

Relacioni, Struktura vendore me 4 organe drejtuese
Sipas relacionit të paraqitur nga Gramoz Ruçi, sekretar i përgjithshëm i PS, së niveli lokal i strukturave të partisë do të ketë 4 organe. Njësia bazë është anëtari i partisë, i cili më pas anëtartësohet në njësinë e dytë më të madhe në rend rritës, Organizata Socialiste. Kjo organizatë përbëhet nga anëtarësia e saj dhe është e mbështetur nga anëtarët e FRESSH dhe FGS. Njësia e tretë është Këshilli Socialist i Njësisë Administrative. Në këtë rast është vendosur të shkrihen degët e komunave, të cilat me hartën e re nuk ekzistojnë më. Organi i katërt dhe më i larti i partisë socialiste në nivel vendor do të jetë Asambleja e Bashkisë.
 
Tiranë, Nuk shkrihet krerët e njësive dhe komunave
Për shkak të numrit të madh të popullsisë, degët e Partisë Socialiste për Tiranën nuk do të shkrihen. Ruçi ka udhëzuar që krerët e njësive bashkiake dhe të komunave që janë shkrirë brenda Bashkisë Tiranë, do të ruhen. Ato do të kenë drejtuesit e tyre si dhe asambletë përkatëse. Kjo nuk do të thotë se këto struktura nuk do të rizgjidhen, por nuk do të shkrihen sikundërse ndodh me gjithë komunat e vendit. Zgjedhja e kryetarëve dhe e forumeve drejtuese të degëve të partisë për Tiranën do të përcaktohet me vendime të veçanta të Asamblesë së Partisë Socialiste. Në nivel qarku do të funksionojë Këshilli Koordinues i Partisë në Qark.
 

Rama: Riorganizim për të përballuar zgjedhjet e ardhshme
“Të arrijmë anëtarësi reale prej 150 mijë vetash”

Për kreun e PS dhe njëherësh Kryeministrin e vendit, Edi Rama, dy do të jenë objektivat kryesorë në të cilët do të fokusohet puna e partisë socialiste në vijim: E para, hapja e re përmes një fushate të re anëtarësimesh për përmbushjen e një objektivi në arritjen e 150 mijë anëtarë dhe së dyti, riorganizimi i plotë i PS-së për të qenë gati në zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye ai tha se do të ketë regjistrim dixhital të gjithë anëtarëve të PS-së, të rinjve dhe atyre ekzistues.

“Këtij qëllimi do ti shërbejë stina e re në PS, që i hap rrugën kjo asamble. Dy drejtimet kryesore: Hapja e re e PS, përmes një fushatë anëtarësimesh, për përmbushjen e një objektivi që PS në 25­vjetorin e saj të jetë forca e 150 mijë anëtarëve dhe së dyti hapja e një procesi zgjedhor në të gjitha nivelet e PS për ripërtëritjen e forcave.

Po ecim me sukses në këto dy drejtime duke hedhur themelet e fitores së ardhshme. PS duhet të angazhojë të gjitha forcat, që çdo shqiptar të mos e gjejë të mbyllur rrugën. Kjo do të fillojë me regjistrimin dixhital të anëtarëve të PS­-së, të vjetër dhe të rinjve me anë të një censusi. Të gjitha anëtarët edhe ata që janë duhet të anëtarësohen nga e para dhe do të pajisen me kartën e re të anëtarësisë”,-tha Rama. Ai shtoi se ky regjistër instrument i gjallë i aktiviteteve të partisë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS