Një nga rajonet më të pasura dhe më të rëndësishme të Gjermanisë voton këtë të diel, në zgjedhje që po shihen si testi i parë i madh politik për kancelarin Friedrich Merz.

Votuesit në Baden-Württemberg, një land me rreth 11 milionë banorë në jugperëndim të vendit, do të zgjedhin parlamentin rajonal. Rezultati pritet të tregojë sa e fortë është ende mbështetja për partinë konservatore CDU të Merz, një vit pasi ajo fitoi zgjedhjet kombëtare dhe mori drejtimin e qeverisë.

CDU synon të marrë vendin e parë nga të Gjelbrit, të cilët kanë fituar dy zgjedhjet e fundit në këtë rajon dhe e drejtojnë atë prej 15 vitesh.

Sondazhet e fundit tregojnë një garë shumë të ngushtë. CDU dhe të Gjelbrit janë pothuajse të barabartë, me rreth 28% të votave secila. Nëse ky rezultat konfirmohet, beteja për drejtimin e landit mund të vendoset vetëm pas negociatave për koalicion.

Kandidati i CDU-së është Manuel Hagel, 37 vjeç, një politikan relativisht i ri që më parë ka punuar si drejtues i një dege banke. Fushata e tij u përball me polemika për disa komente që kishte bërë vite më parë gjatë një vizite në një shkollë, të cilat u konsideruan seksiste. Hagel më pas kërkoi falje publike për ato deklarata.

Përballë tij është kandidati i të Gjelbërve, Cem Özdemir, një nga figurat më të njohura të politikës gjermane. Ai ka qenë më parë ministër i Bujqësisë në qeverinë e ish-kancelarit Olaf Scholz dhe është një nga politikanët e parë me origjinë turke që hyri në Bundestag.

Nëse fiton, Özdemir do të bëhej kryetari i parë i një landi gjerman me origjinë turke. Ai pritet të pasojë Winfried Kretschmann, liderin e të Gjelbërve që ka drejtuar Baden-Württemberg për 15 vjet dhe që tani po tërhiqet nga politika.

Zgjedhjet po ndiqen me shumë vëmendje edhe për shkak të rritjes së partisë së ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD). Sipas sondazheve, AfD mund të marrë rreth 18% të votave në këtë rajon. Kjo do të ishte rezultati më i mirë i saj ndonjëherë në Baden-Württemberg, edhe pse në nivel kombëtar partia ka rreth 25% mbështetje.

Kancelari Merz ka paralajmëruar se rezultati i kësaj vote do të ndiqet jo vetëm brenda Gjermanisë, por edhe jashtë saj. Në një miting të fundit të fushatës ai tha se shumë njerëz në Europë dhe më gjerë do të pyesin nëse CDU është ende në gjendje të fitojë zgjedhje ndërsa është në pushtet, në një periudhë të vështirë për vendin.

Një rezultat i dobët për CDU-në në Baden-Württemberg do të ishte një sinjal negativ për partinë në një vit me disa zgjedhje rajonale. Pas kësaj vote, më 22 mars do të mbahen zgjedhje edhe në landin Rheinland-Pfalz, ndërsa në shtator priten votime në disa rajone të Gjermanisë lindore, ku AfD parashikohet të dalë shumë e fortë.

Baden-Württemberg ka një rëndësi të madhe ekonomike për Gjermaninë. Rajoni është një nga qendrat kryesore të industrisë së makinave dhe aty ndodhen selitë e disa prej kompanive më të mëdha në botë, si Porsche dhe Mercedes-Benz.

Megjithatë, industria gjermane e makinave po kalon një periudhë të vështirë. Prodhuesit përballen me çmime të larta të energjisë, me tranzicionin drejt makinave elektrike dhe me konkurrencën gjithnjë e më të fortë nga kompanitë kineze.

Për shumë votues, ekonomia është çështja kryesore. Disa biznesmenë kanë kritikuar fushatën duke thënë se partitë nuk po flasin mjaftueshëm për problemet reale të ekonomisë gjermane dhe për varësinë e vendit nga energjia e importuar.

Merz ka thënë se ringritja e ekonomisë është prioriteti i tij. Ai ka kërkuar që Bashkimi Europian të tregojë më shumë fleksibilitet në planin për ndalimin e makinave të reja me motorë me djegie pas vitit 2035. Edhe kandidati i të Gjelbërve, Özdemir, ka thënë se tranzicioni drejt makinave elektrike duhet të bëhet me më shumë fleksibilitet për industrinë.

Rezultati i kësaj vote pritet të japë një sinjal të rëndësishëm për drejtimin e politikës gjermane në muajt dhe vitet e ardhshme, sidomos për forcën e partive tradicionale përballë rritjes së së djathtës ekstreme./TheGuardian