Gratë në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të jenë dukshëm më pak të punësuara se burrat. Ky është alarmi që jep Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) me rastin e 8 Marsit, duke theksuar se pabarazitë gjinore në tregun e punës mbeten të thella në rajon.

Sipas të dhënave të publikuara, vetëm rreth 51% e grave në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të punësuara, ndërsa te burrat kjo shifër arrin në 70%. Hendeku prej gati 20 pikë përqindjeje është pothuajse dy herë më i madh se mesatarja e Bashkimit Evropian.

RCC thekson se, edhe pse ka pasur përparim në vitet e fundit, shumë gra vazhdojnë të përballen me pengesa për të hyrë, për të qëndruar dhe për të avancuar në tregun e punës.

“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor Gjashtë, gratë janë shumë të arsimuara dhe gjithnjë e më ambicioze për të ndërtuar karrierën e tyre. Megjithatë, pengesat strukturore ende i pengojnë shumë prej tyre që ta shndërrojnë këtë potencial në pjesëmarrje të barabartë në tregun e punës”, tha Ratka Babić nga Platforma për Punësim dhe Çështje Sociale e RCC.

“Mbyllja e hendekut gjinor në punësim kërkon jo vetëm korniza të forta ligjore, por edhe masa praktike: nga shërbime të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve dhe personave që kanë nevojë për kujdes, deri te politikat aktive të tregut të punës dhe mundësi më të mëdha për rikualifikim dhe mësim gjatë gjithë jetës. Investimi në pjesëmarrjen ekonomike të grave nuk është vetëm çështje drejtësie, por edhe një shtytës për ekonomi më të forta dhe më rezistente në të gjithë rajonin”, shtoi Babić.

Sipas saj, për të mbyllur këtë hendek nevojiten masa konkrete, nga shërbime më të mira për kujdesin ndaj fëmijëve dhe personave në nevojë, deri te politika aktive të tregut të punës dhe mundësi më të mëdha për rikualifikim profesional.

Situata është edhe më e vështirë për gratë e reja. Në rajon vetëm rreth 18% e tyre janë të punësuara, ndërsa 28% rezultojnë të papuna, pothuajse dy herë më shumë se mesatarja në BE.

Raporti thekson gjithashtu se gratë kanë më shumë gjasa të punojnë në sektorë me paga të ulëta, në punë informale ose me kohë të pjesshme, ndërsa mbeten të nënpërfaqësuara në sektorët teknologjikë dhe në pozita drejtuese.

Pabarazia shfaqet edhe në të ardhurat. Hendeku gjinor në paga në rajon vlerësohet nga 9 deri në 12%, ndërsa sipas një analize të përbashkët të UNDP dhe RCC, pensionet e grave janë rreth 40% më të ulëta se ato të burrave.

Sipas RCC, një nga arsyet kryesore është fakti që gratë mbajnë ende pjesën më të madhe të punëve të papaguara në familje dhe përgjegjësive të kujdesit, ndërsa qasja në shërbime të përballueshme për kujdesin e fëmijëve mbetet e kufizuar.

Megjithatë, raporti vëren se gratë në rajon kanë rezultate më të larta në arsimin e lartë, me rreth 40% që përfundojnë universitetin. Pavarësisht kësaj, pjesëmarrja në programe të mësimit gjatë gjithë jetës mbetet e ulët krahasuar me Bashkimin Evropian.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal thekson se për të ndryshuar këtë realitet nevojiten reforma të vazhdueshme, financim dhe bashkëpunim më i fortë rajonal, në mënyrë që gratë të kenë më shumë mundësi për të marrë pjesë në zhvillimin ekonomik të rajonit.