Pakënaqësia me koston e lartë të jetesës, gjendjen e ekonomisë dhe administratën e Donald Trump po shoqëron zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Dy sondazhe të realizuara nga Associated Press dhe CNN tregojnë se një pjesë e madhe e amerikanëve janë të pakënaqur me drejtimin që ka marrë vendi.

Sipas sondazhit të Associated Press, rritja e çmimeve dhe korrupsioni në qeveri janë ndër shqetësimet kryesore të votuesve. Gjashtë në dhjetë amerikanë të anketuar mendojnë se kostoja e lartë e jetesës lidhet më shumë me politikat e presidentit Trump sesa me faktorë jashtë kontrollit të tij. Po kaq shprehen kundër mënyrës se si ai po drejton presidencën.

Pakënaqësia konfirmohet edhe nga sondazhi kombëtar i CNN, i zhvilluar me rastin e zgjedhjeve. Rreth tre në katër votues deklarojnë se janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në Shtetet e Bashkuara, ndërsa pothuajse katër në dhjetë e përshkruajnë veten si të zemëruar.

Sipas CNN, rreth 60% e votuesve nuk e miratojnë punën e presidentit Trump. Mes tyre është edhe afërsisht një në pesë votues që e kishin mbështetur atë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Vlerësimet negative për presidentin dhe pakënaqësia me kushtet ekonomike dalin kështu si dy nga shqetësimet kryesore të amerikanëve në një moment kur vota e tyre do të përcaktojë se cila parti do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Zgjedhjet në SHBA, Mbyllen qendrat e para të votimit! Trump : Votimi më i rëndësishëm në histori! Ndjek rezultatet në Shtëpinë e Bardhë e shpall 'Javën e Anti-Komunizmit'