Ndërsa në Shtetet e Bashkuara kanë nisur zgjedhjet e mesmandatit, vëmendja është përqendruar te gara mes demokratëve dhe republikanëve për kontrollin e Kongresit.
Në një analizë për CNN, gazetari Aaron Blake rendit pesë faktorë që mund t'i ndihmojnë demokratët të arrijnë një rezultat të mirë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Megjithatë, ai thekson se, pavarësisht pritshmërive të larta për demokratët, është e pamundur të dihet me siguri se si do të përfundojë gara.
Pakënaqësia ndaj Trump
Sipas analizës së CNN, Donald Trump është, sipas shumë treguesve, presidenti më jopopullor në historinë moderne amerikane në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Aaron Blake vëren se republikanët mund ta kenë të vështirë të fitojnë zgjedhjet kur numri i amerikanëve që kanë mendim negativ për presidentin është pothuajse dyfishi i atyre që kanë mendim pozitiv për të.
Kjo mund të ndikojë në rezultat, pavarësisht se harta e garave për Senatin është më e favorshme për republikanët.
Dobësimi i mbështetjes elektorale për Trump
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump arriti të fitonte mbështetje më të madhe mes të rinjve, veçanërisht burrave, votuesve latinoamerikanë dhe atyre që nuk marrin pjesë rregullisht në zgjedhje.
Por sipas sondazheve të cituara nga CNN, të tria këto grupe kanë ndryshuar ndjeshëm qëndrim ndaj tij.
Analiza thekson gjithashtu se tarifat tregtare dhe lufta me Iranin duket se kanë dëmtuar mbështetjen për Trump edhe mes votuesve të bardhë pa diplomë universitare, një prej grupeve që tradicionalisht e kanë mbështetur më fort.
Pakënaqësia për koston e jetesës
Ekonomia dhe çmimet janë një tjetër faktor që mund të ndikojë në votën e amerikanëve.
Sipas CNN, Trump u zgjodh president në një masë të madhe për shkak të inflacionit të lartë gjatë administratës së Joe Biden dhe premtimeve të tij për ta zgjidhur shpejt këtë problem.
Megjithatë, analiza argumenton se disa prej politikave të Trump i kanë përkeqësuar problemet ekonomike. CNN kujton gjithashtu se presidenti e ka quajtur shqetësimin për përballueshmërinë e jetesës një “mashtrim” dhe ka pretenduar, sipas medias në mënyrë të pavërtetë, se e kishte zgjidhur problemin.
Premtimet e pambajtura
Një tjetër çështje që CNN e konsideron të rëndësishme është mospërputhja mes premtimeve elektorale të Trump dhe veprimeve të tij gjatë mandatit të dytë.
Sipas analizës, Trump kishte premtuar se nuk do të niste luftëra të reja, por më pas e bëri këtë. Ai kishte premtuar gjithashtu se do të zgjidhte problemin e inflacionit, ndërsa sipas CNN situata është përkeqësuar.
Kjo çështje është ngritur edhe nga podkasteri Joe Rogan, i cili e mbështeti Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Shqetësimet për korrupsionin
Faktori i pestë lidhet me shqetësimet e votuesve për korrupsionin.
Sipas CNN, po shtohen treguesit se kjo çështje mund të jetë një problem më i madh për republikanët sesa për demokratët.
Analiza e lidh këtë me raportimet e fundit për përfitimet personale financiare të Trump dhe dyshimet se disa anëtarë të administratës së tij kanë shfrytëzuar pozicionet zyrtare për përfitime ekonomike.









Komente
Komento