Një proces të turpshëm i quan ish-deputeti Ervin Salianji zgjedhjet pa garë në PD, që rikonfirmuan Sali Berishën sërish në krye të partisë. Salianji e quan procesin farsë dhe thotë se Berisha shkeli standardet më bazike të partisë.
Sipas tij janë manipuluar shifrat e pjesëmarrjes dhe në proces kanë marrë pjesë vetëm 5 mijë anëtarë, jo 39 441 sa ka pretenduar PD.
“Problemi në këtë rast nuk është vetëm një individ, jemi 36 vite pas rënies së diktaturës. Ka një brez tjetër, mendësi tjetër dhe përpjekja ime ka qenë që të shembim një model politik që është instaluar dhe po vazhdon të qëndrojë me forcë, ku nuk ka qarkullim elitash. Kemi nevojë për një PD ku zbatohen rregullat, ku gara është reale dhe ku askush nuk është mbi statutin. Çdo forcë politike që refuzon rinovimin, përfundon duke humbur mbështetjen qytetare. Kjo nuk është betejë për karrige personale, por për standarde dhe rikthimin e besimit tek demokratët dhe shqiptarët. Pjesa tjetër ishte që pjesëmarrja ishte minimale. Sipas monitorimit që kemi bërë në çdo degë nga demokratët që duan ndryshim, nuk kanë marrë pjesë më shumë se sa 5 mijë anëtarë”, tha Salianji.
I skualifikuar nga gara, Salianji tha se Berisha është i braktisur dhe se mbi 80% e demokratëve janë të pakënaqur me gjendjen që ndodhet PD.
“Berisha është i braktisur dhe nuk pranon garë. Është hera e parë në 36 vite, edhe pse kemi propozuar ta ndryshojmë nenin e statutit dhe të hynim në garë me kushte të barabarta. Mbi 80% e demokratëve janë të pakënaqur me gjendjen që ndodhet PD. Jemi të zhytur në dëshpërim për shkak të pengmarrës që i ka bërë Berisha partisë për interesat personale. Do jetë përgjegjës cilido prej kolegëve që sot hesht. PD do jetë në fushatë për zgjedhjet elektorale, nuk e di si do dalin para demokratëve dhe si do ta bëjnë që të jetë fituese përballë Ramës.
PD ka nevojë për hapje ndaj të rinjve, intelektualë dhe kontributorëve që duan të japin energji të re. Gara duhet të ishte oksigjen për PD. Pa garë nuk ka meritokraci, nuk ka përgjegjësi. Fraksionet në pd nuk duhet të ishin problem, por zgjidhje”, vijoi Salianji.
Lajmi në përditësim...

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji tha se nuk ka marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Partitë Popullore Evropiane, të cilave u është drejtuar me një letër të hapur duke ngritur si shqetësim privatizimin e PD nga Sali Berisha.
Salianji tha se ndërkombëtarët janë shumë të shqetësuar për standardet e ulëta të demokracisë në Shqipëri, sidomos kur kjo prek dhe partinë opozitare më të madhe në vend.
“Kam komunikuar me faktorët ndërkombëtare. Shqetësimi që ka çdo partner i Shqipërisë, është që ka ranë standardet demokratike. Kur opozita prodhon këtë farsë për të mbijetuar politikisht një njeri që ka pasur kontribute t veta për Shqipërisë, e bën për interes personal, por njeriu vendos në një moment për të pasur një tjetër raport me historinë e vet politike. Mënyra të tërthorta të reagimit janë këto. Mirë do ishte ta prisnim shpëtimin nga ndërkombëtar, por duhet të jemi me sytë nga perëndimit, por ndryshimi vjen duke u bashkuar këtu me njëri-tjetrin”, tha Salianji.
Komente










