Zgjedhjet, Paloka prezanton në Dibër
kandidatin e PD-së Sherefedin Shehu

Zgjedhjet, Paloka prezanton në Dibër<br />kandidatin e PD-së Sherefedin Shehu
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka prezantuar sot në Bashkinë e Dibrës, kandidatin e Aleancës për Punë dhe Dinjitet (APPD) Sherefedin Shehu.
 
Numri dy i PD është shprehur se Shehu do të jetë kryetari i ri i Bashkisë pas 11 shtatorit.
 
"Dibra është Dibra e njerëzve të mençur, intelektualë, njerëzve që në radhë të parë kanë moralin dhe mençurinë për të ecur në rrugën e vërtetë të duhur dhe jo në rrugën e “duhur” ku donte të na çonte Rama,  sepse e pamë të gjithë se si dolëm. Sepse këdo që të kandidojnë ata tani, çfarëdo që duan të ndryshojnë, çdo kandidat që do të ketë rilindja këtu, do të jetë vetëm Shukriu numër 2.
 
Jam i bindur se me Sherefedinin ne do kthejmë kohët më të mira të PD-së, kohë kur jo vetëm Dibra por gjithë Shqipëria qeverisej për qytetarët e saj dhe jo për 5 kokrra siç ndodh sot me regjimin e Edi Ramës që e kanë mendjen vetëm si ta zhvasin këtë vend, të fitojnë për vete dhe asnjë ditë të mos mendojnë se çfarë do hanë nesër qytetarët e këtij vendi
”tha Paloka.
 
Kandidati për kryetar bashkie, Sherefedin Shehu e konsideroi vlerësim besimin që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i dha për të kandiduar për bashkinë e Dibrës, dhe nga ana tjetër detyrim ndaj qytetarëve dibranë për të kontribuar për zhvillimin e zonës dhe punësimin e banorëve të saj.
 
"Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua sepse së pari Dibra është në ditë të keqe. Është në ditë të keqe prej qeverisë, është në ditë të keqe për ato që ndodhën këtu në Dibër. Sepse ndihen keq edhe ata që e votuan Shukriun por është edhe në ditë të keqe sepse Dibra është vendi më i pasur me burime natyrore por më i varfri ekonomikisht.
 
Pra kjo është një arsye tjetër që unë e ndjeja përgjegjësinë që të vija e të kërkoja këtë mandat dhe tashmë jo tu përfaqësoj ju nga karrigia e Parlamentit por me projekte konkrete për ta zhvilluar Dibrën sepse dibranët janë njerëzit më punëtorë.
 
Kemi Rrugën e Arbrit e cila është shpëtimi i Shqipërisë. Natyrisht që nuk e bën kryetari i Bashkisë  Rrugën e Arbrit, por ne duke fituar bashkinë kemi hapur rrugën që vitin e ardhshëm Basha ta kemi kryeministër. Ata do të përdorin të gjitha forcat e mjetet që të rimarin Dibrën por ne do tu tregojmë që Dibrën e kanë humbur Shqipërinë. E kanë e humbur sepse ata nuk kanë punuar asnjë ditë për këtë vend por vetëm për t’u pasuruar për veten e tyre. Kjo është një arsye tjetër që unë pranova që të vij këtu dhe bashkë me ju të rimarrim Dibrën
", tha Shehu.
 
Partia Socialiste pritet që të zyratizojë kandidatin në fillim të javës.
 
Zgjedhjet në bashkinë e Dibrës zhvillohen për shkak të shkarkimit të Shukri Xhelili pas skandalit seksual pak muaj më parë, ku ish-kryebashkiaku i kërkonte favore seksuale një vajze 21-vjeçe për ta punësuar.
 
Shukri Xhelili e ankimoi vendimin e qeverisë për shkarkimin, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, ndërsa aktualisht ish-kryebashkiaku ndodhet në burg.
 
Presidenti Nishani dekretoi datën 11 shtator për zhvillimin e zgjedhjeve në bashkinë e Dibrës.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com  

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksident në  aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur

Aksident në aksin rrugor Lushnje-Berat! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, 5 të plagosur