Një listë në zgjedhje? PD nis takimet me aleatët, i pari në radhë Meta! Kreu i PL: Duam logon tonë, por do gjejmë format më efikase

Zgjedhjet e 2025 dhe ethet e kandidatëve për deputetë kanë rikthyer në selinë e PD aleatët. Ilir Meta ishte i pari që zhvilloi një takim konsultativ nëse në zgjedhje duhet të dilet me 1 listë të përbashkët apo 2.

PD e drejtuar nga Sali Berisha nuk ka më nevojën ligjore për Ilir Metën, që në të paktën 2 palë zgjedhje, i dha borxh partinë, pasi me marrjen e vulës, tashmë nuk i duhet logoja e Partisë së Lirisë për t’u regjistruar në zgjedhje.

Por, llogaritë elektorale, për të maksimalizuar votat përballë një PS gjithnjë e më të fuqishme, çuan aleatin e vjetër në selinë e PD me ftesë të Flamur Nokës.

Report Tv ka mësuar se në takim, Meta nuk ka shprehur një preferencë, nëse përballë Ramës duhet të futen me një listë të përbashkët kandidatësh apo të matin muskujt me lista të ndara, duke ia lënë aleatit më të madh në dorë marrjen e vendimit.

Për mediat, Meta nuk fshehu dëshirën për të dalë me logon e tij, por tha se opozita duhet të mendojë formën më efikase.

‘Do të vazhdojmë bashkëpunimin në të gjitha format që gjykohet të jetë efikase. Për ne do të ishte më mirë të dilnim me logon tonë.’- tha Meta.

Në 2021, PD e asokohe LSI u futën në zgjedhje të ndara për shkak se kryetarët Lulzim Basha e Monika Kryemadhi nuk arritën një dakordësi, por shumë-kush i kritikoi se po të ishin futur bashkë, do të kishin marrë më shumë mandate nga sa morën me lista të veçanta, duke rrezikuar edhe mandatin e tretë të Edi Ramës.

Javën e ardhshme do të jetë radha e aleatëve të tjerë, Fatmir Mediut, Dukës e Dules, të cilët Noka do t’i ftojë për të vendosur nëse do të strehohen edhe këtë herë në listat e PD, apo me ndryshimet në Kod, do të përballen të vetëm me socialistët.

Përpjekje për negociata nuk do të ketë me Dashamir Shehin dhe Shpëtim Idrizin e PDIU që distancimin me PD e kanë të dukshëm.

Gjithsesi para se të marrë këtë vendim, Sali Berisha dhe të tijtë do të duhet të llogarisin edhe një tjetër çështje: përmbushjen e premtimit se lista e kandidatëve për deputetë qofshin emrat te lista e mbyllur e kryetarit, apo ajo e hapur, do të dalë përmes primareve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
A i druhet Kryemadhit që mund të kandidojë si e pavarur? Meta: S'i druhem kreut të narko-shtetit, instrumenteve mafiozë të tij

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i pyetur nëse ka frikë nga Monika Kryemadhi, partnerja e tij që ndodhet në proces divorci, e cila po punon të kandidojë si e pavarur në Qarkun e Tiranës,

A i druhet Meta, Kryemadhit se mos i merr elektoratin e PL? 

“Këtë punën e frikës çfarë ishte? nuk komentoj llafe gazetash. lir Meta do të udhëheqë Partinë e Lirisë dhe listën e saj në kryeqytet dhe në Qarkun e Tiranës, sepse është qarku më i madh i vendit tonë dhe nuk i druhet kreut të narko-shtetit dhe instrumenteve mafiozë të tij dhe askujt tjetër, gjithmonë duke respektuar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Qarkut të Tiranës.

Krenar sepse kam bërë shumë vepra të mira për Tiranën. I kam kthyer parkun “Rinia”, ia kam kthyer unë si kryeministër. Bëra mirë që i prisha ato kioskat dhe i ktheva parkun kryeqytetit, sepse po të mos e kisha bërë atë gjë, ky do prishte kioskat dhe do bënte ato kullat 300-katëshe. I kam marrë në mbrojtje zonën historike si kryeministër dhe ky pastaj kur i mori të gjitha pushtetet vetë, e shembi teatrin atje dhe shkatërroi zonën, vetëm për projekte korruptive dhe kam bërë shumë gjëra të thera në Tiranë.

Kam shumë arsye për të përfaqësuar të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm. Rezultati i PL-së do të jetë fantastik në Qarkun e Tiranës, shumë më lartë se rezultati më i mirë që ka pasur ish-LSI në kohën që e drejtoja unë”, u shpreh Meta.

 Meta premtoi se rezultati i Partisë së Lirisë në këto zgjedhje do të jetë shumë më i lartë se rezultati më i mirë që LSI-ja ka pasur ndonjëherë në Tiranë.

M.Q./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Noli: 24/09/2024 21:50

    Misery needs company.

    Përgjigju
  • Nuriancenka: 24/09/2024 19:25

    1 edi rama 2 ,aktori turke me oriqine shqiptare me udheri rxhep taip erdogan 3 sofia kastriota 4 rxhep mejdani 5 ana oxsa 6 shoqata vatra 7 vajza e ramis alis 7 nipi noli 9 elja zaharia 10 partia emigracjon 11 laberia 12 bebe rexha 13 arda dade 14 alfred moisiu 15 lega zogu sterni ismail qemali 16 servet pellumbi 17 kryeziu 18 qyrpeli 19 dukaqine 19 muhamet kapllani 20 sander lleshi 21 ylli bufi 22 mustafa kruja muzakaj 23 mitrovica 24 vrioni 25 bushallinjte 26 enerik mehmeti 27 djai piro dobiba 28vilso ameti 29 nipi princ viti 30 xhon belushi 31 azgan haklaj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit