Nuk është e qetë gjendja dhe në PD pak ditë përpara përfundimit të afatit kohor për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në lista sipas qarqeve.
Përfshirja e një pjese të zv.ministrave të kabinetit qeveritar por dhe e këshilltarëve të rëndësishëm të kreut të qeverisë, dhe “tradhëtarëve” të PS në listat prioritare të kandidimit për deputet në 12 qarqet e vendit, ka sjellë dhe një zhvendosje nga fundit të deputetëve aktualë, të cilët do të mbeten në këto zgjedhje jashtë garës së kandidimit për një vend në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke shërbyer thjeshtë si plotësues në listën e kandidimit sipas qarqeve pa pasur asnjë mundësi që të arrijnë të kalojnë “vijën” pozitive të marrjes së një mandatit për deputet.
Kështu në qarkun e Tiranës, ku do të kandidojnë zv.ministrat aktualë por dhe këshilltarë të Berishës, me gjithë lëvizjet e disa deputetëve nëpër qarqet e tjera të vendit, pritet që të dalin jashtë liste deputetët aktualë Rajmonda Bulku, Luan Skuqi dhe Vath Tabaku, ndoshta dhe Lajla Pernaska.
Ndërsa në qarkun e Durrësit ku kandidojnë drejtori i kabinetit të Berishës dhe sekretari i përgjithshëm, përkatësisht Bylykbashi dhe Lezhja, pritet të dalin jashtë loje Ylli Lama dhe Osman Metalla.
Ndërsa deputetët e tjerë nga qarqet e ndryshme të vendit, Lefter Maliqi e Mehmet Xheka në Berat, në Elbasan Adriana Gjonaj e Rrahim Çota, në Fier Vasillaq Ngresi, në Korçë Ledina Aliolli, në Kukës Besnik Dushaj, në Lezhë Rrajmond Hoxha e në Shkodër Ndue Paluca.
Pra janë 15-16 deputetë të PD të sigurtë që mund të largohen nga lista prioritare e kandidimit, pa përjashtuar ndonjë emër tjetër që “digjet” një ngjitja e PS apo zbritja e mbështetjes për PD.
BERISHA NË BERAT
Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të qendrës së Komunës Lumas në Berat, shprehu angazhimin se 4 vitet që vijnë se PD angazhohet të bëjë gjithçka për mirëqenien e fermerëve të Lumasit Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.
Ai nuk kurseu kritikat ndaj kreut të opozitës Edi Rama, duke e akuzuar se me bllokimin e statusit i mohoi shqiptarëve mijëra fonde nga BE. “Unë vij këtu për t’ju dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë mbështetja jonë për ju do shumëfishohet edhe nëpërmjet mbështetjes së KE.
Me përpjekjet më të ndershme, më të mëdha, të përbashkëta ia dolëm të meritojmë heqjen e vizave, ju sot lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ia dolëm që në tetor 2012 KE të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votojë 3 ligjet.
Rama ishte ai që mori peng statusin e vendit kandidat për Lumasin, Beratin dhe Shqipërinë. Ai që duke marrë peng statusin e vendit kandidat privoi fermerët shqiptarë nga një shumëfishim i mbështetjes së tyre financiare”, tha dje Berisha.
Sipas tij, Rama privoi vendin nga qindra milionë euro investime në rrugë, ura, kanalizime, ujësjellësa, nga krijimi i qindra mijëra vendeve të punës. “Ai bëri një gabim që do mbetet në histori. 23 qershori po vjen.
Së bashku me ne do votojnë të gjithë qytetarët e Lumasit, Beratit e mbarë Shqipërisë që duan ta shohin vendin kandidat për anëtar në BE”, tha Berisha.
DEPUTETËT E RREZIKUAR
Berat
Lefter Maliqi
Mehmet Xheka
Durrës
Osman Metalla
Ylli Lama
Elbasan
Adriana Gjonaj
Rrahim Çota
Fier
Vasillaq Ngresi
Korçë
Ledina Aliolli
Kukës
Besnik Dushaj
Lezhë
Rrajmond Hoxha
Shkodër
Ndue Paluca
Tiranë
Rajmonda Bulku
Luan Skuqi
Vath Tabaku
Vlorë
Koço Barka
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013
Redkasi Online
(b.mshqiptarja.com)