Vendimi për të qenë i vetmi kandidat në zgjedhjet e 23 majit, po e përball Sali Berishën me demokratë të pakënaqur.

Dibër, ai iu përgjigj këtij anëtari të PD-së, se refuzimi i kandidaturës së Ervin Salianjit lidhet me marrëdhëniet, që Sali Berisha supozon se ish deputeti ka ndërtuar në burg teksa vuante dënimin, me eksponentë të krimit, afër Partisë Socialiste.

“Informacione të verifikuara: ky në burg drekonte me Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin. Ky opozitë, ata byrazerë të qeverisë.Gjatë verës, ky shkonte në Qerret te Ergys Agasi. Shkon në Elbasan. Më vinin mesazhe që Suel Çela u kërkonte të merrnin pjesë në takime me kërcënim. I mora mesazhet, i verifikova dhe i thashë: ‘E ke përjashtuar veten nga PD. Ti nuk mund të përdorësh bandat kundër demokratëve’. Pas 10 ditësh, në drekë me Taulant Ballën. Kur plasi skandali i Belinda Ballukut, ky krijonte lajme për të sfumuar lajmet për Ballukun”, tha Berisha.

Ndërsa kandidaturën e Mereme Selës, mjekes nga Fushë-Kruja që po ashtu PD e skualifikoi, e quajti qesharake.

“Për të kandiduar Meremja që të drejtojë demokratët, duhet të ketë disa prova të tjera, sepse përndryshe gara bëhet qesharake. Një garë e tillë nuk të nderon”, tha Berisha.

Për lidhjen e supozuar me krimin, Ervin Salianji iu përgjigj Berishës duke i kujtuar vendimin e Gjykatës së Londrës për të lënë në fuqi non gratën e tij, për shkak të lidhjeve të verifikuara me eksponentët kriminalë. 

“Sali “kolltuku” i damkosur, jo i akuzuar kot!

Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar. E vërteta e hidhur; Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore, ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë. Kjo është drama reale e Partisë Demokratike: jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara”, shkroi Salianji.

Të premten, PD zyrtarizoi zgjedhje me vetëm një kandidat: Sali Berishën për 23 majin. Të refuzuarit e quajtën shenjë frike për përballje dhe gare reale. Ervin Salianji paralajmëroi se do të njoftojë ndërkombëtarët dhe familjen e PPE-së, ndërsa Mereme Sela paralajmëroi një tjetër betejë në dyert e gjykatave.

Në mungesë të alternativave, edhe demokratët duket se do ta braktisin procesin, teksa një prej të pranishmëve i tha: Unë nuk do të vij të votoj se pse të vij?

Në Dibër, rezerva ndaj Berishës pati edhe për strategjinë e protestave teksa një prej demokratëve i tha “Me drita të ndezura nuk largohet Edi Rama”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
Gafa e Xhelal Mziut nga Dibra: Me platformën e PD, në 2025 do ta kishit pagën 200 euro! Do të na kishte zili edhe BE (VIDEO)

Deputeti demokrat Xhelal Mziu u bëri thirrje sot të gjithë dibranëve t’i bashkohen kauzës së Sali Berishës për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama. Mziu po krenohej me ambiciet e Partisë Demokratike dhe programin e saj për të shpëtuar nga “regjimi” i Ramës dhe renditi pikat që selia blu ofron për një jetë më të mirë....dhe ajo është paga minimale 200 euro. Pra me të rrëzuar Ramën, Partia Demokratike duket se do bëjë menjëherë regres dhe do ta zbresë pagën minimale nga 500 euro në 200 euro. 

Ndërsa fliste në pdium, as vetë Xhella Mziu nuk e kapi gafën që bëri para demokratëve, por tha se me këto standarde do na kishin zili edhe vendet e BE-së.

“Me platformën e PD një vit më parë ishte për të pasur punë për të pasur rrogë 200 euro, për të mbështetur fëmijën e 3-të, etj., apo kredi e mjaft standarde të tjera që do i kishin zili edhe vendet e Bashkimit Evropian”, tha Mziu.

Ora 13:00
‘Drekonte në burg me Pëllumb Gjokën e Oltion Bistrin’, Salianji i përgjigjet Berishës: Lidhjet e tua me krimin i ka vërtetuar edhe gjykata britanike (FOTO)

Ervin Salianji nuk ka pritur gjatë për të reaguar ndaj akuzave që Sali Berisha lëshoi nga Dibra. Menjëherë i është përgjigjur flakë për flakë, duke i treguar se di me hollësi kë ka mbledhur dhe kush nuk i ka shkuar në takimin e Dibrës.

Salianji thotë se në mbledhjen e Sali Berishës ishin thirrur demokratë nga i gjithë Qarku Dibër për të mbushur sallën me kapacitet 200 persona në total.

Ish-deputeti iu përgjigj edhe akuzave të kryedemokratit për lidhje me krimin, duke thënë se vetë Berisha është sanksionuar nga autoritetet britanike për të lidhje të vërtetuara me krimin.

Postimi i Ervin Salianjit

Sali “kolltuku”, alias Sali “brava”, është sot i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan që i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.

Jo nga gjykatat e kapura të regjimit në Shqipëri.

Por nga qeveri të djathta perëndimore dhe nga gjykata britanike.

Ky është fakt. Jo propagandë.

Shfaqja e sotme në Dibër ishte tabloja më e qartë e rënies dhe tregoi pse ky uzurpator nuk bën garë!

Një sallë që nuk mbush dot as dy kate me 200 persona, megjithëse ishte mbledhur i gjithë qarku.

Një lider i braktisur nga demokratët.

Dhe një monolog i mbushur me mashtrime të vjetra.

Kur të lë populli, të mbetet vetëm zëri… dhe ai kthehet në zhurmë!

I njëjti model, i njëjti mentalitet

Lulzim Basha ishte “familjari i dashur” i Saliut:

e promovoi, e përdori dhe e mbrojti.

Sot, edhe pasi u largua Basha, modeli mbeti po ai:

* i njëjti ekip

* të njëjtat vese

* e njëjta mënyrë përzgjedhjeje deputetësh

* e njëjta “opozitë” që ulet në gjunjë për leje, tendera dhe pazare me Ramën

Ka vetëm një ndryshim:

Saliu sot është i refuzuar nga ndërkombëtarët, nga shoqëria dhe gjithnjë e më shumë nga vetë demokratët.

Prandaj nuk bën garë.

Prandaj ka uzurpuar PD-në si frikacak.

Sepse gara e nxjerr zbuluar dhe humb privilegjet dhe paratë per te cilat shet shpirtin!

Sot nis publikimin e fakteve.

Poshtë është një fakt i zi mbi të bardhë:

Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar.

E vërteta e hidhur;

Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore,

ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.

Kjo është drama reale e Partisë Demokratike:

jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara

Koha e alibive ka mbaruar.

Ose PD ndahet nga e shkuara e korruptuar,

ose mbetet peng i saj.