Demokratët e Fierit i janë drejtuar këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike. Në garë për drejtimin e degës janë zyrtarizuar emrat e pesë kandidatëve: Ardian Ferro, Enkelejda Veliu, Fatjon Semanjaku, Gentian Koçi dhe Festim Meta.

Drejt kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të degës do të drejtohen 3 800 anëtarë, ndërkohë që, pas rishikimit të listave, numri i anëtarëve demokratë është reduktuar ndjeshëm, pasi më parë numëroheshin rreth 8 000.

Ndërkohë, zgjedhjet në PD-në e Fierit nuk u zhvilluan në kohën e parashikuar nga statuti, ndryshe nga degët e tjera të vendit. Gjatë kësaj kohe u krijua një grup pune i përbërë nga 43 anëtarë, me qëllim riorganizimin e degës pas disfatës së thellë të 11 majit, e cila solli një sërë dorëheqjesh në degën e Fierit. Në këtë periudhë, kryetar i komanduar u vendos Ardian Ferro.

Zgjedhjet e 7 nëntorit kanë sjellë përplasje mes demokratëve në Fier. Vetëm pak ditë më parë, ish-kreu i degës, Rrapi Gjika, reagoi publikisht në rrjetet sociale, ku theksoi se, për shkak të mullizimit dhe gazifikimit të partisë, zgjedhjet u shtynë për të vendosur kryetarin që duan Noka dhe Bardhi, në një proces ku, sipas tij, listat janë manipuluar dhe fituesi është paracaktuar.

Pavarësisht kontestimeve, demokratët e Fierit do të përcaktojnë me votën e tyre drejtuesin e ri të degës. Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe do të përfundojë në orën 18:00.

Ndërsa në Korçë numërimi ka përfunduar dhe fitues ka dalë Harito Zoto.

lajm në perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:39
Harito Zoto fiton zgjedhjet për kryetar të PD-së në Korçë, merr 398 vota! Mesazh demokratëve: Ristrukturim të degës (VIDEO)

 

Ka përfunduar procesi i votimit dhe numërimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë. Sipas rezultatit të bërë të ditur, Harito Zoto ka fituar me 398 vota, ndërsa kandidati tjetër, Mikel Dishnica, ka marrë 109 vota.

"Një mesazh u jap gjithë demokratëve për një bashkim, ristrukturim të degës, të gjithë së bashku, kemi nevojë për të gjithë demokratët dhe më gjerë", u shpreh Zoto pas fitores.

Në votim morën pjesë gjithsej 517 anëtarë. Zoto siguroi një avantazh prej 289 votash ndaj Dishnicës, duke marrë mbështetjen e shumicës së demokratëve pjesëmarrës.

Votat e dy kandidatëve arrijnë në 507, ndërsa 10 vota rezultuan të pavlefshme.

Ora 16:02
Zgjedhjet e PD në Korçë, Kaso: Problematikë pjesëmarrja, shkak largimi i popullsisë! Tërheqja e Irvin Bodes, vullnet personal (VIDEO)

 

Pjesëmarrja e ulët është problemi mbizotërues në zgjedhjet e Partisë Demokratike në Korçë. Deputeti Ivi Kaso, njëkohësisht drejtues politik për qarkun, thotë se deri më tani s’ka incidente.

"Është një proces përgjithësisht i qetë siç keni mundur ta konstatoni. Procesi ka filluar në orët e para të mëngjesit. Parashikohet të vazhdojë deri në orën 18:00, në qoftë se nuk ka persona të tjerë që presin në radhë për të votuar. Përgjithësisht është zhvilluar i qetë pa problematika të ndryshme. Problematikat që kanë qenë në procese të kaluara, problematika e listave kryesisht duket sikur kësaj radhe janë të kaluara pasi kjo periudhë gjashtëmujore midis procesit i cili nuk arriti të përmbyllej përpara dhe procesit të sotëm ka shërbyer për të gjitha strukturat e partisë edhe për të verifikuar edhe njëherë anëtarësinë mbi të gjitha për të plotësuar listat me atë pjesë të anëtarësisë e cila nuk gjendej e pasqyruar edhe që ishte pak a shumë problematika e radhës së kaluar. Problematika të tjera nuk ka. Një sfidë ngelet gjithmonë në procese të tilla, ngelet pjesëmarrja, pjesëmarrja deri tani është e kënaqshme, sigurisht ka mundësi gjithmonë për më mirë. Nga informacionet që morëm ka kaluar 150 zgjedhës, nuk di të them numrin e saktë pasi kishte akoma persona që votonin. Pritet një pjesëmarrje pak a shumë e ngjashme me ato të proceseve të kaluara që janë përmbyllur, pavarësisht se procesi i fundit ka patur tre katër kandidatë, ky proces ka dy kandidatë”, tha Kaso.

Shifrën e ulët Kaso ia atribuoi largimit të popullsisë, duke shtuar se në Fier numri i votuesve është më i lartë. Më tej, shtoi se krahasimi nuk bëhet me numrin e anëtarëve, por të votuesve që kanë marrë pjesë edhe më herët. Ai mbetet besimplotë se shifra nuk do të shënojë luhatje të forta.

“Atëherë sigurisht numri i plotë i anëtarësisë që i kalon 4.800 përfshin gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike që nga viti ‘91 pasi listat tona të votimit nuk mbajnë parasysh gjendjen faktike të personave, pra ndodhen në territorin e Shqipërisë, në territorin e degës apo nuk ndodhen. Listat janë bërë sa më të gjera ashtu siç e kemi sqaruar dhe në procesin e mëparshëm, në mënyrë që të gjithë demokratët që kanë dëshirë të votojnë ta kenë mundësinë që të votojnë. Neve kemi qenë të parët që si forcë politike kemi vënë gishtin mbi atë që është plaga e sotme e gjithë shoqërisë shqiptare, por edhe qarkut të Korçës në veçanti, që është qarku me shpopullimin më të madh në Republikën e Shqipërisë. Një pjesë janë larguar, por sigurisht garat kur le të themi sa më shumë kandidatura të kenë, për shembull një proces paralel po zhvillohet në qytetin e Fierit, në degën e Partisë Demokratike të Fierit dhe nga informacionet që kam atje pjesëmarrja është më e lartë për shkak edhe se garojnë pesë kandidatë dhe sigurisht kjo motivon mbështetësit e secilit për të votuar. Megjithatë, siç e thashë asnjëherë në këto raste krahasimi nuk bëhet me numrin total të anëtarësisë, por me ata që kanë votuar le të themi në proceset e ngjashme përpara kur pjesëmarrja ka qenë vërtet diçka midis 500 edhe 600 pjesëmarrës. Kemi besim që shifrat, të paktën me sa fola me strukturat të cilat janë angazhuar me njoftimin e personave, do u afrohen shifrave të proceseve të kaluara”, vijoi deputeti.

I pyetur në lidhje me tërheqjen nga gara të kandidatit Irvin Bode, tha se është vullnet personal, por shtoi se edhe periudha 6-mujore që kërkoi procesi, mund të ketë ndikuar.

"Unë besoj që të gjithë kandidatët që ishin në garë në procesin e kaluar, si dhe kandidatët që janë në garë në këtë proces, janë kandidatë të vlefshëm, janë demokratë me kontribute. Tërheqja, sigurisht, ashtu si dhe procesi i kandidimit, është një vullnet personal, është një ambicie politike, por le të themi që duhet parë edhe në kontekst, sepse ambicia politike gjithsesi duhet të konkretizohet edhe në një moment historik të caktuar. Ndoshta fakti që procesi mori kohë që të zhvillohej dhe të ripërsëritet, pra kjo periudhë gjashtëmujore, mund të ketë qenë një nga arsyet që ka ndikuar në tërheqjen e zotit Bode, i cili ngelet sigurisht një demokrat me vlera, anëtar i kryesisë aktuale të Partisë Demokratike dhe pjesë e rëndësishme e kontributit të Partisë Demokratike në Korçë”, u shpreh Kaso.

Selia qendrore në Tiranë i ka kushtuar vëmendje zhvillimit të procesit pa incidente, tha Kaso, duke zgjidhur problematikat si ajo e listave.

"Unë këtë nuk di ta them, por di të them që ne bëmë më të mirën në mënyrë që të sqaronim çdo lloj problematike, të cilat, edhe në ethet e garës, nga problematika që në një moment të caktuar mund të zgjidhen me qetësi, në momentet e etheve të garës, sigurisht marrin tone më të ndezura. Prezenca jonë këtu e deputetëve, jo vetëm atyre në Korçë, por edhe imja si drejtues politik, e koordinatorit gjithashtu për qarkun, Besnik Dervishit, tregon që ka një vëmendje të posaçme nga Partia Demokratike në qendër në Tiranë që procesi të zhvillohet i qetë, të zhvillohet pa incidente. Dhe problematika kryesore që kishte qenë dhe problematikë në procesin e kaluar, ajo e listave, të merrte një zgjidhje sa më të gjerë; pra, edhe nga kjo, kemi dhe një listë gjithëpërfshirëse që arrin në numër total prej mbi 4.800 anëtarësh të partisë, një pjesë e mirë e tyre nuk janë më me banim në Korçë”, përfundoi Kaso.

Ora 08:50
Korçë, nis votimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së! 4800 anëtarë me të drejtë vote (VIDEO)

 

Ka nisur procesi i votimit në selinë e Partisë Demokratike në Korçë, ku anëtarët e kësaj force politike do të zgjedhin gjatë ditës së sotme kryetarin e ri të degës lokale.

Në garë për drejtimin e PD-së së Korçës janë dy kandidatë, Harito Zoti dhe Mikel Dishnica. Sipas listës zyrtare, janë rreth 4800 anëtarë me të drejtë vote, të cilët do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës, duke përcaktuar se kush do të marrë drejtimin e degës së Partisë Demokratike në Korçë.

Procesi i votimit pritet të vijojë gjatë ditës, ndërsa në përfundim do të shpallet edhe emri i kryetarit të ri.