Hackerat rus janë gati të veprojnë gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ky dyshim bëhet gjithnjë e më shumë konkret pasi vetë FBI ka lëshuar alarmin duke i këshilluar autoritetet lokale të sigurojnë serverat për të mbrojtur të dhënat e zgjedhësve.

Mediat amerikane citojnë se mbrapa këtyre veprimeve qëndron Moska. Bëhet fjalë për ndërhyrje kibernetike në regjistrat e dy shteteve. Në dokumentin e saj FBI nuk bëhet me dije se cilët janë këto shtete.

Por të përditshmet shkruajnë se bëhet fjalë për Arizona dhe Illinois. Në Arizona sistemi u mbyll për disa ditë për shkak të alarmit që dha FBI. Më pas u verifikua se informacioni për 3.4 milionë zgjedhës nuk ishte prekur. Një zëdhënës i këtij shteti u shpreh se ndërhyrja në sistemin kompjuterik të Arizonës ishte vepër e hakerave rus.

Në kushte të tilla FBI përforcon mesazhin e saj e kujton rëndësinë e sigurisë së sistemit informatik sidomos gjatë fushatës presidenciale. Pak kohë më parë u bënë publike disa deklarata nga partia demokratike e kandidates Hillary Clinton të cilët akuzojnë hakerat rusë se kanë ndërhyrë ne sistemin e partisë gjatë konventës.

Për zyrtarët amerikanë shqetësimet po shtohen gjithnjë e më shumë, se hakerët e huaj, të mbështetur kryesisht nga Rusia, mund të përpiqen të pengojnë zgjedhjet presidenciale amerikane në muajin nëntor por Moska nga ana tjeter ka hedhur poshte keto akuza.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com