Zgjedhjet, Tahiri: Vlerësim opozitës
Hetojmë rastet e blerjes së votës

Zgjedhjet, Tahiri: Vlerësim opozitës<br />Hetojmë rastet e blerjes së votës
Janë zgjedhjet më të mira të 25 viteve të fundit pa asnjë incident, pa asnjë akt dhune”. Kështu i ka cilësuar Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Në një konferencë për shtyp Tahiri tha se fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve janë qytetarët dhe demokracia.

Më tej, Tahiri u ndal tek standartet e këtyre zgjedhjve duke thënë se të fituarit e këtij procesi janë qytetarët dhe standartet e arritura.

Tashmë që procesi zgjedhor ka hyrë në rrugën e përfundimit, është e qartë se fituesit më të parë, fituesit e vërtetë më shumë sesa fituesit e çdo gare elektorale, janë vetë qytetarët.  Është demokracia dhe shteti ligjor, që pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk hedhin dot kurrë rrënjë të shëndosha. 
Arritëm standartet më të larta zgjedhore demokratike, kjo falë qytetarëve në çdo Bashki, të cilët dhanë një shembull qetesie, rregulli dhe qytetarie.
Por falë edhe vullnetit institucional për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, më shume sesa rezultatin e garës.
Këto janë zgjedhjet më të mira të 25 viteve të fundit, pa asnjë incident dhe asnjë akt dhune apo akt problematik që mund të cënonte vullnetin e qytetarëve.
Si të tilla, janë dëshmia më e qartë se kur vullneti i institucioneve shkon në shërbim të qytetarëve pa dallim partiak, në shërbim të demokracisë dhe shtetit ligjor e jo në shërbim të interesave të ngushta partiake, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë tërësisht të mundura.
Këtë të diel, fituan zgjedhjet e lira e të ndershme, fitoi demokracia dhe shteti ligjor, ndaj fitues nuk është vetëm fituesi i çdo gare në të 61 bashkitë, por kanë fituar të gjithë. 
Ky është suksesi i vërtetë sot, por mbi të gjitha, ky është bazamenti më i mirë për të ndërtuar standarde të konsoliduara demokratike për zgjedhje tërësisht të lira e të ndershme në të ardhmen. Kjo është një rrugë pa kthim, një standard që nuk mund të kthehet dot pas, por mund vetëm të përmirësohet”
, - tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm është ndalur dhe tek bashkëpunimi që policia e shtetit ka patur me përfaqësuesit e opozitës gjatë këtij procesi.

“Dua të falenderoj të gjithë kandidatët dhe përfaqësuesit e partive politike të të gjitha partive politike, veçanërisht të PD dhe opozitës, me të cilët kontaktova intensivisht para dhe gjatë procesit zgjedhor, për të garantuar një proces plotësisht të rregullt zgjedhor.
Bashkë me përfaqësuesit e opozitës me të cilët pata rastin të komunikoj intensivisht gjatë procesit zgjedhor, dëshmuam se na ndajnë partitë por kur na bën bashkë vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme, respektimi i zërit të qytetarëve nëpërmjet votës është tërësisht i mundur.
Dua të falenderoj kryetaren e KQZ dhe Prokurorin e Përgjithshëm për bashkëpunimin e shkëlqyer për të vendosur përpara përgjegjësisë cilindo që tentoi të shkelë dispozitat ligjore në fuqi. Ashtu siç dua të falenderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, drejtuesit e Policisë në qendër e në çdo Qark e Bashki, por mbi të gjitha të falenderoj mbi 7.000 punonjësit e Policisë së Shtetit në çdo cep të Shqipërisë, që u shërbyen qytetarëve dhe kontribuan bashkë me ta, për të arritur standartet më të larta zgjedhore në këto 25 vitet e fundit. Partitë politike, kandidatët dhe veprimtaria e tyre, janë elemente kyç në një proces zgjedhor, ndaj dëshiroj të falenderoj të gjitha partitë politike dhe të gjithë kandidatët që, me përjashtime të vogla, kontribuan që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme
”, - tha më tej Tahiri. 
 
Për kallëzimet dhe rastet e denoncuara për blerjen e votës apo parregullsitë e shënuara, Tahiri u shpreh se Policia e Shtetit po bashkëpunon me prokurorinë për të patur rezultate nga këto hetime.

Policia e shtetit në këto zjgedhje ka regjistruar 2 procedime penale me 10 persona, mes tyre 2 komisionerë dhe 8 qytetarë ndërsa për të garantuar procesin zgjedhorë në 3 ditë efektivët e policisë kaluan në gadishmëri me 6699 forca në terren.
 
MPB u angazhua intensivisht që në fazë përgatitore për këtë proces zgjedhor. 
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u angazhua në kohë, për përmirësimin dhe përditësimin e listave të zgjedhësve. U përmbushën në kohë rekord adaptimet e nevojshme në sistemin e Rregjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në zbatim të ndryshimeve ligjore. 
U realizuan ndryshimet e nevojshme për gjenerimin e ekstrakteve dhe listës përfundimtare së zgjedhësve, publikimin online në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas ndarjes së re administrative prej 61 bashkive, në mënyrë specifike duke futur konceptin e ri të bashkisë së madhe dhe të ndarjes administrative; Listat paraprake dhe lista e fundit zgjedhore u shpallën në kohë sipas përcaktimeve të Kodit dhe asnjë parti politike nuk pati konstestime për to. 
Çdo zgjedhës pati mundësinë të verifikonte emrin në listë, në adresën online të shpallur në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Për herë të parë është dhënë aksesi i kërkuar auditorëve të KQZ-së në Zyrat e Gjendjes Civile, gjë e ndaluar  më parë, me motivacionin e mbrojtjes së të dhënave të shtetasve. Nuk ka patur asnjë ankesë nga asnjë aktor politik apo ndërkombëtar në lidhje me mungesa të shtetasve lidhur me saktësinë e të dhënave dhe përbërësve zgjedhor të shtetasve në ekstrakte dhe në listën përfundimtare. Numri i dublimeve të dyshuara në lista ishte rreth 91% më pak  krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhësve, në procesin zgjedhor të kaluar. Sot jam krenar për punën e palodhur e të përkushtuar të Policisë së Shtetit që ndihmoi dhe u shërbeu qytetarëve për të garantuar që vullneti i tyre të ishte i lirë, duke sigururar njëkohësisht procesin më të qetë që Shqipëria ka njohur në  historinë e zgjedhjeve pluraliste.
Gjatë ditës së zgjedhjeve janë regjistruar vetëm 2 procedime penale, një prej të cilëve është nisur kryesisht nga Policia. Të dyja këto raste janë duke u hetuar nën drejtimin e Prokurorisë dhe përgjegjësit do të përballen me ligjin.
Janë arrestuar 2 shtetas për vepra penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe 8 ndiqen në gjendje të lirë. 
Policia kishte marrë të gjitha masat dhe iu përgjigj në 5 raste, kërkesave nga Komisionet e Qendrave të Votimit, apo Komisionet Zonale, për të rivendosur rendin në ato njësi të administrimit të votave, kjo jo për shkelje të ligjit por për rradhë masive votuesish në QV.
Gjithashtu, dua të konfirmoj vullnetin e Policisë së Shtetit për të çuar përpara, në bashkëpunim me Prokurorinë, çdo hetim të nisur kryesisht apo nëpërmjet kallëzimit të shtetasve, për akuza që kanë të bëjnë me blerjen e votës. 
Shpejt pritet të kemi rezultate për këto hetime, duke ndëshkuar çdo përpjekje për shtrembërimin e vullnetit të zgjedhësve.
Gjatë gjithë procesit zgjedhor, por sidomos gjatë ditës së zgjedhjeve, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm kam mbajtur kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet ndërkombëtare, për të bërë të mundur reagimin në kohë dhe me transparence për çdo rast, sado të vogël, që mund të shkaktonte probleme.
Dëshiroj të falenderoj të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe misionet e vëzhgimit për bashkëpunimin e ngushtë që në fazën përgatitore, ditën e zgjedhjeve por edhe tani.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se puna që kemi përpara është më shumë se gjithçka kemi bërë deri më sot, ashtu siç jemi të vetëdijshëm se standardet e arritura në keto zgjedhje janë detyrim i yni për të bërë më shumë për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të jenë tërësisht të lira e të ndershme në përmbushje të plotë të standarteve ndërkombëtare. Problemet, sado të vogla, të konstatuara në këto zgjedhje, si dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, por mbi të gjitha gjetjet e misionit të monitorimit të OSBE/ODIHR, do të jenë  axhenda e punës për Qeverinë dhe Parlamentin për të garantuar në të ardhmen zgjedhje në përmbushje të standarteve më të larta zgjedhore
”, - tha Ministri Tahiri.
 
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin